Kolumnist

Shqipëria, nga fryn era… - Nga Vangjush Saro

Nga: Vangjush Saro - Vancouver

Një tjetër show këto ditë në botën e madhe e të vogël njëherësh. Dhe Shqipëria është në rreshtat e para të atyre që po e diskutojnë dhe… shijojnë këtë çudi. Pas rrëmbimit të ish-Presidentit të Venezuelës, çka inspiroi shkrues të ndryshëm të fillonin nga analogjitë, skenaret ishin makabre, tash ka filluar fjalnaja për ato që quhen Rendi i Ri dhe Bordi i Paqes. Njerëzit anembanë shikojnë se si lobet thjesht përplasen dhe bashkohen, shahen e pajtohen; si të jetë loja. Autokratët dhe demagogjia po sfidojnë botën dhe popujt.

Në një shënim të mëparshëm, kam justifikuar veten (por edhe gazetarë të tjerë) në lidhje me përmendjen e njërit apo tjetrit politikan; pak rëndësi ka. Ndër ta, së fundi, ka zënë kryet e vendit, në të gjitha mediat, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Mesa më kujtohet, z. Trump e kam parë për të parën herë në një ndeshje wrestling, teksa bënte show me ca sportistë dhe menaxherë të mjerë (aq shpesh karagjozë) të këtij sporti dosido. Nga ai palo spektakël, ka kaluar shumë kohë. Sot z. Tramp po përpiqet për të tjera shfaqje, ku e ku më madhështore. Sapo që zihet në gojë emri i tij, flitet për një Rend të Ri (!) A thua premtimi për ta ribërë Amerikën të madhe lidhet me këtë Rendin e Ri? Këto ditë, plasi flluska tjetër, ajo që quhet Bordi i Paqes. (Edhe ky është për ta bërë më të madhe Amerikën?)

Nuk janë të pakët ata që pyesin nëse këto nisma janë realitete apo show? Çfarë po ndodh në të vërtetë dhe pse ky interes i madh për ta shoqëruar çdo sajesë të z. President dhe Amerikës me kaq bujë? Mund të sillen në bisedë shumë argumente, gafa, presione, thashetheme. Por mendoj që shumëçka bëhet pikërisht për këtë, për bujë; sepse ndërkohë - mund t’u hedhim një sy edhe shifrave nëse duhet - pasuria e më të pasurve po rritet, varfëria e më të varfërve po fiket. Ku janë këtu Rendi i Ri dhe Paqja?

Interesant është edhe të pyesim se ç’po ndodh me personazhet e këtyre spektakleve aktualisht? Më kujtohet se si hynte në skena triumfator miku i ngushtë i z. Trump, pasaniku Elon Musk, duke u hedhur si palaço; madje njëherë u pa duke u përdredhur me një sharrë elektrike në dorë. Janë të njohura tashmë “shkurtimet” që ai realizoi dhe konfliktet me Presidentin, më pas ftohja me të. Kohët e fundit kam vënë re që edhe zëvendësi, J. D. Vance, që një kohë dukej mjaft aktiv dhe luftarak, nuk po shihet fort në krah të Presidentit… Sigurisht, është punë e tyre. Jemi krijues dhe qytetarë modestë, që ndryshe nga ata, kemi në dorë pak gjë; siç e thashë edhe më sipër, i përmendim jo pse duam të shfaqim simpati apo antipati për ta, por në funksion të ngjarjeve. Veç, që fatet e popujve janë në duart e autokratëve, kjo s’do as mend, as kalem; dhe ata nuk shkulen nga pushteti e nga fitimet. Nuk di si mund t’i përjetojnë të tjerët disa episode, të vjetra dhe të reja, por mua se si më dukej kur z. Biden pengohej, në mos rrëzohej, nëpër shkallët e avionëve. Po ashtu, nuk di ç’të mendoj kur z. Trump, një më dy e thotë: Ishte një bisedë e mirë (?) Ose: Ai është djalë i keq (!) A thua tregon diçka fjalori i kufizuar, krahas oshilacioneve të tjera? Më vjen ndërmend një fjali e z. Duajt D. Ajzenhauer: “Askush mbi 70 vjeç nuk duhet të qëndrojë në këtë zyrë (Presidencë), dhe unë e di këtë.”

Por le të kthehemi te Rendi i Ri dhe Bordi i Paqes. Siç u shpreha më lart, mendoj që gjithnjë bëhet fjalë për show, sado që një pjesë e mediave, edhe shumë analistë llafazanë në TV-të e Shqipërisë, lënë kokën në këto terma. Një zhurmë e madhe edhe për ftesën që i ka ardhur Kryeministrit, z. Rama, (ngase miqtë e tij, të përfolur për afera, janë pjesë e spektaklit më të ri, në mos në udhëheqje). Jo më larg se disa ditë më parë, në një shënim tjetër, bëra pak ironi me garën e politikanëve shqiptarë për të dalë në fotografi me atë dhe këtë. Dhe shtova që Amerika na “dha duart”; e them sërish, ani pse loja tash u koklavit disi. Nuk di ç’mund të ndodhë nesër, kur Amerika të vazhdojë të shtrijë kthetrat andej e këtej, ndërkohë që Evropa dhe BE-ja po përpiqen ta përmbajnë. Shqipëria, si asnjëherë tjetër, mesa duket, do të shkojë nga fryn era. Kujt prej qytetarëve të saj u hyn në qese Rendi i Ri, Bordi i Paqes, ndërkohë që ata përballen dita-ditës me një mijë halle(!) Këto t’i gëzojë (përkohësisht) z. Kryeministër.

Po kthehemi në politikën “e madhe”. Do të shohim ç’do ndodhë më tej, por hë për hë, duket se Amerika dhe ata që po e drejtojnë, po i bëjnë karshillëk njerëzimit dhe disa prej organizmave të zgjedhura nga shtetet e botës, siç është OKB-ja. Ajo organizatë, edhe ashtu, mjaft e dobët ishte; dhe nuk po mundej të shpëtonte asgjë dhe as të diktonte kund. Por tash i bie që të bjerë krejt poshtë; dhe pa le se ç’vjen më pas. Fantazia dhe egoizmi i më të madhit kushedi ç’do të sajojnë nesër, pasnesër. Ndërkaq, në një servilizëm e makth të paparë më herët, liderë të vegjël e të mëdhenj të botës, komunistë, diktatorë, demokratë, liberalë, çfarë u thonë tjetër, po rendin drejt “çudisë” më të fundit që shpiku Presidenti i paqendrueshëm i SHBA-ve. Njerëzit, mediat, madje edhe institucione të caktuara, merren shumë me këto trallisje… Rend i Ri! Po çfarë është ai? Ndërroi gjë sistemi kapitalist? U shkatërruan aleancat e vjetra dhe po lindin ato të reja? U mpak shtypja sociale, ndryshoi pabarazia, reshtën luftërat? (Nëse jam gabim në këto që them apo nëse lëndoj dikë, mund ta fshij në çast këtë shënim.)

Për ta plotësuar tablonë, do të ndalem pak në Evropë. Ka disa kohë që shkrues të ndryshëm i bien asaj në qafë vend e pa vend. Në vitet ‘60, Evropa kishte hequr dorë tashmë nga fushatat dhe përfitimet koloniale. Afrika u pavarësua. Po ashtu, shumë vende të Azisë dhe Amerikës Latine. Qysh atëherë, kanë kaluar përmbi ‘70 vjet. A e gjetën qetësinë dhe mbrothësinë ato vende? Në shumicën e tyre, fiset përleshen në mënyrë të përgjakshme, duke armatosur e përdorur mijëra adoleshentë e fëmijë, duke shfarosur e shtënë në skamje miliona njerëz; varfëria, uria, etja, injoranca veç janë thelluar. Edhe pse nuk kam ndjenja të forta kapitaliste, ca më pak imperialiste, mendoj që për një vend të prapambetur është më mirë tutela e një vendi më të përparuar, se sa pavarësia që pjell kaos dhe vuajtje të paimagjinueshme. Dhe kush po mendon për ato vende dhe për ata njerëz? Rendi i ri?

Së dyti, gjithnjë për Evropën, prapë që nga viti ‘60, nuk di që një vend të ketë sulmuar ndonjë tjetër. Nëse bëhet fjalë për demokraci, për mirëqenie, për një lloj barazie relative, për të drejta, hidhini sytë përqark… ato mund të gjenden njëfarësoj vetëm në Norvegji, Suedi, Finlandë, Danimarkë, Hollandë, Austri, Zvicër. Ç’u paska bërë Evropa shkruesve mediokër dhe inatçinjve nga ana e anës që nuk shohin se vendet e Evropës po tregojnë më shumë se kurrë dhe më shumë se kushdo tjetër në botë: vetpërmbajtje, qetësi, dëshirë për rend e demokraci?! Eshtë e dobët, thonë. Nuk mbahet pa Amerikën, shtojnë. Po Australia si mbahet? Po Zelanda e re? Kanadaja? Çfarë ka për t’u legjendarizuar (njëri vend apo tjetri!) në këtë histori, ku e shumta po tranden disa aleanca, pa le si do të shkojë më tej, gjërat janë në zhvillim e sipër, s’mund të shtiem fall…

© Vangjush Saro - Vancouver