Amerika na dha duart, faji u bë qyrk - Nga Vangjush Saro
Prej disa ditësh, një nga lajmet kryesore që po qarkullon në media, në mjedise të politikës dhe në jetët private, është pezullimi për një periudhë të pacaktuar i vizave të emigracionit për shtetasit e 75 vendeve të botës, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Ndërkaq, ka shumë fjalë; edhe shumë shpjegime. Në një nga këta shpjegime, kritikohet paraqitja e gjithë kësaj historie si një “vulë turpi” (edhe) për emigrantët shqiptarë në SHBA. Dhe më tej: Ajo që nënkuptohet qartësisht, edhe pa u thënë me zë të lartë, është se kjo përbën një provë abuzimi dhe teprimi nga ana e tyre. (E emigrantëve.) Në të njëjtin shkrim, thuhet gjithashtu: “Ndihma sociale nuk është provë e dështimit të emigrantëve, por e një sistemi që kërkon me doemos krahë pune, pa pranuar t’iu sigurojë atyre dinjitet në këmbim.” Më tej, kjo përbën edhe më shumë interes, zhurma rreth kësaj mase shtrënguese të Amerikës mbi ato vende, posaçërisht mbi Shqipërinë, përplaset mbi politikën, mbi qeverisjen aktuale në Shqipëri, etj. Por faji është bërë qyrk dhe… nuk e vesh askush.
Gjithsesi, mendoj se arsyetimet, që lindin nga e keqja, pra nga kjo situatë, përpiqen të shkojnë drejt së vërtetës. Këtë shpresoj edhe vetë, duke shkruar këto radhë. Për ta shpjeguar pse gjendemi këtu, natyrisht sipas ndjesive të mia, do të kthehem disi pas. Lidhjet e Shqipërisë me Amerikën janë të hershme. Konica, Noli, të tjerë intelektualë shqiptarë, jetuan dhe krijuan atje shqiptarinë. Piktorë, fotografë, aktorë, njerëz në biznes, këta ishin sa të njohur për Amerikën, aq edhe një lloj pasqyre për shqiptarët që e aspironin atë dhe Perëndimin. Ndërkaq, vetë emigrantët punonjës, që doemos ishin dhe mbeten shumica dërrmuese, i kanë konsoliduar këto lidhje, me punën dhe sjelljen e tyre; në dekada. Mbaj mend, fëmijë, në lagjen tonë, një sërë familjesh kishin njerëz në Amerikë. Këta edhe vinin ndonjëherë, si vizitorë. Ne i quanim “amerikanë”. Vinin, iknin, dërgonin a sillnin pako, dollarë… Edhe unë kisha një hallë në Amerikë, ikur që në vitet ‘30, me burrin. Gjithnjë na dërgonte letra, ndonjë pako me rroba dhe ca pak dollarë. Më pas, kur im atë, ndjesë pastë, u sëmur, ajo shtoi në dërgesat e saj edhe ilaçe.
Ne e adhuronim në heshtje Amerikën. Po shtoj edhe një tjetër episod që ka të bëjë me këto marrëdhënie. Në fillim të viteve ‘70, kur isha në gjimnaz, gjatë një ore mësimesh ushtarake, në lëndën Ndërlidhje, ndërsa një oficer na shpjegonte rëndësinë e kësaj arme, një shoku ynë, krejt natyrshëm, mori mikrofonin e aparatit ndërlidhës, radio a çfarë i thoshin dhe thirri fort: Hello! Ne qeshëm; por oficeri u bë keq. Ai filloi të bërtiste, ç’po them, ulërinte, duke më ndërmendur skena nga “Ushtari i mirë Shvejk” i Hashekut: “Si guxon ti? Po a e di ti ç’është ajo? Ajo është një parrullë. Ç’do të thotë parrullë? Do të thotë që armiku e dëgjon. Dhe armiku na ka në grykë të topit. Ke për ta parë ti ç’do të të bëj…” Nuk se bëri ndonjë gjë të madhe, por kjo s’mund të kalonte pa ca mbledhje.
Ato kohë, kur ne dëgjonim Hit Parade, Bitëllsat dhe shikonim ndonjë film amerikan në TV-të e ish-Jugosllavisë, Amerika ishte njëlloj enigme për ne, sadoqë drejtuesit e shtetit të atëhershëm e shanin dhe Hoxha, i pari, e quante atë “Xhandar ndërkombëtar”. (A thua, ha pak diskutim ky term?) Sidoqoftë, fantazia punonte dhe ne e merrnim me mend se çfarë ishte Amerika dhe Perëndimi në përgjithësi. Bota (dua të them njerëzit) këtej nga Lindja, i ka pasur dhe i ka sytë te Perëndimi, veças te Amerika. Mirëpo çfarë ndodh? Pa shpërndarë asnjëlloj paragjykimi, por thjesht për të kuptuar arogancën amerikane, ndonjëherë me të drejtë, po kujtoj që këtu ku jetoj, në British Kolumbia, një nga provincat më të lakmuara të Kanadasë - këto kohë, u fol dhe u shkrua që mijëra studentë ndërkombëtarë (siç i thonë këtej) të ardhur kryesisht nga India, nuk u gjendën të regjistruar në asnjë universitet apo kolegj (!) Pra, njerëzit, për një jetë më të mirë, ia mbathin nga vendet e tyre të zhytur në probleme, duke përdorur lloj-lloj marifetesh. Kjo prirje e mjegullon pamjen; ka më shumë dollarë, por edhe problemet shtohen: vjedhje, banditizëm, trafik, kërkesa të vazhdueshme për azil e asistencë, përpjekje për të imponuar kulturat dhe klanet e eksportuara… Amerika e Veriut, sidomos SHBA-të dhe Kanadaja po e ndjejnë shumë këtë mjegullim, siç u shpreha.
Por le të kthehemi në atdheun tonë. Duhet të kujtojmë se ëndrrat me Perëndim nuk po bashkëjetonin dot me varfërinë dhe izolimin. Në fillim të viteve ‘90, pas përmbysjes së Socializmit, vendi u hap; dhe më së pari ndaj Amerikës. E kam treguar atë që ndodhi në mitingun e organizuar për nder të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Xh. Bejker dhe se si drejtuesit e tribunës u bënë thirrje pjesëmarrësve të uleshin në gjunjë… Ani, ulur në gjunjë apo jo, me Amerikën dhe BE-në, Shqipëria e shkretë filloi një rrugëtim tjetër, atë drejt Demokracisë dhe Perëndimit. Thamë se vendi hyri në korsinë e duhur. Përse papritur na shtyjnë tutje?
Prapë fjalë do themi. Duan të argumentojnë që kjo është njëlloj rutine, burokraci, kaq shqiptarë janë në asistencë, Amerika harxhon ato dhe këto për aksh kategori emigrantësh, kështu shkon dhënia e ushqimeve (prapë me tallona, mo?) e të tjera. Por thonë edhe që u teprua zullumi me drogën… Me korrupsionin shtetëror, pse jo. Disa madje mendojnë se bëhet fjalë edhe për raporte vetjake; jo po ky ka sharë atë, jo po z. Trump ashtu dhe kështu… Meqë erdhëm këtu, dua të shtoj se bëj pjesë ndër ata që nuk kanë ndonjë nderim të madh për Presidentin e Amerikës. Dhe jo vetëm për këtë të sotmin. Megjithatë, mund ta mbështesja atë për çështjen e dy gjinive, për largimin e emigrantëve të paligjshëm dhe për luftën kundër trafiqeve. Në disa tema të tjera nuk bie dakord…
Mjaft o artikullshkrues se nuk të pyet kush! Po vërtet. Çështja nuk shtrohet nëse kemi apo nuk kemi simpati, për këdoqoftë. Puna është që Amerika na shtyu sërish në Botën e Tretë. (Kështu quheshin dikur - me pak përjashtime - vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, për shkak të prapambetjes ekonomike e politike dhe gjithaq prej raporteve të vështira me Perëndimin.) E vërteta është që në përjashtimet në fjalë, nga Ballkani, pra edhe nga Evropa të themi, listohen vetëm vendet që ende s’bëjnë pjesë në BE: Mali i Zi, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe ne. Nuk qenka përfshirë në këtë listë ndëshkuese Serbia (!) Kurse dje, është nxjerrë nga ky dënim edhe… Venezuela. Çudira ndodhin në këtë botë.
Në disa shkrime të mëparshme, jam përpjekur të vë në dukje qëndrimin servil të qeverive shqiptare ndaj Amerikës dhe BE-së, duke bërë krahasime me vende që janë në punën e tyre pa u ekspozuar shumë ndaj partnerëve; dhe këtu, kam marrë gjithnjë si shembull Slloveninë. Gjithsesi, s’është koha për krahasime dhe analogjira; ne duhet të nxjerrim mësime në lidhje me këto dy argumente: zdërhalljen dhe servilizmin. Ajo gjëja e parë është për emigrantët, pra që të jenë më pak të bezdisshëm dhe të shkojnë apo të rrinë atje ku janë me një lloj dinjiteti. E nëse nuk i pranojnë apo u kujtojnë bukën e gojës, asistencën, të kthehen në vendin e tyre. E dyta u takon zyrtarëve, politikanëve. Kur atje të drejtohet mirë, me thjeshtësi dhe me ndershmëri, aq sa mund të kenë kuptim këto terma në një sistem kapitalist, atëherë mund të shohim një tjetër pamje, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë temë, politikanët e sotëm, nuk kanë sy për qabe. Në fakt, ata janë aq të vegjël dhe aq të korruptuar dhe aq provincialë; “vdesin” qoftë edhe për të bërë një foto me ndonjë drejtues të lartë të SHBA-ve. Madje ata dhe njerëzit përqark tyre fillojnë e polemizojnë, çfarë thashë, përleshen: Ishte ashtu; jo jo, ishte kështu; hm, u bë me aq dollarë; nëc, bëhet fjalë për kaq… Epo, si mund të aspirojë një vend të hyjë në BE e të rreshtohet në Perëndim, kur drejtuesit e tij gjenden aq të mjerë dhe qesharakë në ato… foto dhe në këtë farsë! (Oops!)
Tani, fjalët e shumta janë fukarallëk. Të urdhërojë e të vijë dikush, disa - nuk e di si do t’i gjejë ai popull, që ka problemet e veta, të trashëguara dhe të reja, por me siguri do t’i gjejë - që të na heqin nga ajo listë. Dhe mbase edhe më shumë se kaq.
© Vangjush Saro - Vancouver











