Kolumnist

Kanadaja: nga globalizmi i kontestuar te globalizmi i pastër kinez - Nga Rob Kore

Së pari, duhet sqaruar se çfarë është globalizmi, sepse vërej se shumë njerëz e ngatërrojnë atë me hapjen e një vendi ndaj vendeve të tjera.

Kjo nuk është globalizëm; kjo quhet marrëdhënie tregtare midis dy ose më shumë shteteve. Marrëdhëniet tregtare janë po aq të vjetra sa vetë bota.

Globalizmi, në kuptimin politik dhe ideologjik, është një koncept relativisht i ri, i zhvilluar kryesisht gjatë 100 viteve të fundit. Në takimet e Davosit, Forumi Ekonomik Botëror (WEF) e ka shprehur qartë synimin përfundimtar të globalizmit: krijimin e një qeverie të vetme botërore (One World Government), nga e cila do të varen të gjitha organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja, OBSH-ja, FMN-ja, organizatat për klimën dhe dhjetëra struktura të tjera globale.

Çfarë do të thotë në praktikë një One World Government?

-Një autoritet qendror me juridiksion global.

-Ligje të unifikuara dhe gjykata që veprojnë në mënyrë të njëjtë në mbarë botën.

-Një ushtri e vetme globale.

-Një buxhet global.

-Taksim i njëjtë në të gjithë botën.

-Të ardhura universale të barabarta.

WEF ka deklaruar hapur: “Nuk do të keni prona, por do të jeni të lumtur.”

Praktikisht, sot ky është sistemi kinez: një sistem politik njëpartiak, ku partia qëndron mbi shtetin. Ky sistem autoritar kontrollon gjithçka - politikën, ekonominë, drejtësinë, ushtrinë, të drejtat sociale dhe të gjitha levat që ndërtojnë një shtet komunist. Sistemi çensuron këdo që guxon t’i bëjë opozitë partisë.

Kush e tronditi nga themelet këtë sistem?

Donald Trump. Brenda një viti, ai arriti që liderët botërorë në Davos të pranojnë se rendi i vjetër  globalizmi - ka vdekur.

Fjalimi i kryeministrit kanadez Carney

Fillimisht, fjalimi i tij më pëlqeu, sepse pranoi realitetin se sistemi i vjetër kishte pësuar një çarje të thellë (rupture). Përmes shembullit të Václav Havel-it, ai pranoi disa herë se deri më sot kemi jetuar mbi një gënjeshtër. Deri këtu isha plotësisht dakord me të.

Por të nesërmen vura re diçka shqetësuese: fjalimi i tij po lavdërohej në mënyrë superlative nga e gjithë bota, ishte përkthyer në shumë gjuhë dhe po cilësohej si “fjalimi i shekullit”, “fjalim i të vërtetave të mëdha”, “brilant”, madje krahasohej me fjalimet e Churchill-it. Një mik i imi i nderuar e quajti madje “fjalim sokratik”.

Në atë moment kuptova se globalistët, përmes shtypit dhe rrjeteve sociale, po përdornin armën e tyre më të fortë: propagandën masive. Arsyeja ishte e qartë. Globalizmi kishte marrë një goditje shumë të fortë dhe duhej shpikur një “antidot” për ta zbehur atë.

M’u desh ta rilexoja fjalimin e Carney-t nën një këndvështrim tjetër, paralelisht me fjalimin e Lutnick-ut.

Sa i përket analizës të së kaluarës, të dy kishin pothuajse të njëjtën diagnozë:

Carney tha se kemi jetuar mbi një gënjeshtër, ndërsa Lutnick e shprehu më drejtpërdrejt. Ai deklaroi se globalizmi ishte një gabim që kishte dëmtuar si Amerikën, ashtu edhe Europën.

Këto vende kishin humbur pavarësinë e tyre duke u varur nga shtete si Kina, madje edhe për produkte strategjike si bateritë - e ardhmja e industrisë automobilistike. Varesia ishte aq e thellë sa edhe për medikamente jetike, Perëndimi varej nga Kina dhe India.

Ndryshimi midis Carney dhe Lutnick qëndronte te zgjidhja.

Lutnick ishte i qartë:

Jo globalizëm, por sovranitet, sidomos në fusha kyçe si mbrojtja, energjia dhe ekonomia. Shtetet duhet të marrin përgjegjësinë për të vënë interesat kombëtare në plan të parë. Ekonomia, sipas tij, duhet t’i shërbejë punëtorit vendas, jo elitave.

Carney, përkundrazi, hodhi idenë që vendet e madhësisë së mesme duhet të krijojnë aleanca të reja për t’iu kundërvënë hegjemonëve, duke goditur nën rreshta hegjemoninë amerikane.

Për mua, këtu qëndron problemi madhor i qasjes së Carney-t. Nuk mund të kritikosh hegjemonizmin dhe më pas të zgjedhësh një alternativë edhe më të keqe: një hegjemon autoritarist si Kina. Kjo qasje, sipas mendimit tim, do të ketë pasoja serioze negative në të ardhmen.

Kanadaja e ka ndërtuar të gjithë sistemin e saj të mbrojtjes dhe të ekonomisë mbi modele amerikane. Si fqinj i SHBA, Kanadaja ka qenë tradicionalisht vendi që aplikon i pari çdo sistem të ri që lind në Amerikë.

Me qëndrimin e fundit të Carney-t, në epokën e teknologjisë së avancuar, Kanadaja rrezikon jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe sovranitetin, veçanërisht sovranitetin digjital. Të dhënat, platformat, infrastruktura cloud, standardet dhe prona intelektuale rrezikojnë të kontrollohen nga qendra të tjera jashtë vendit. Në një botë ku pushteti varet gjithnjë e më shumë nga algoritmet, kjo nuk është çështje dytësore, është sovraniteti më thelbësor.

Carney premtoi se vetëm ai do të ishte i aftë të negocionte me Trump. Dështoi. Ndërkohë, ka provinca të tjera kanadeze që e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me Trump.

Alberta, për shembull, kuptohet shumë mirë me Trump, sepse Ottawa globaliste e ka lënë dhe vazhdon ta lërë pas dore këtë provincë dhe naftën e saj - burimi që e ka bërë Albertën provincën më të pasur të Kanadasë. Prej më shumë se 10 vitesh, Alberta është injoruar në kërkesat e saj nga Ottawa.

Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për Kanadanë.

© Rob Kore - Toronto