Letërsi

Reportazhi poetik, një zhanër i poezisë narrative - Nga Vangjush Ziko

Duke ndjekur poezinë tonë bashkëkohore, të bie në sy një prirje tendecioze e largimit të poezisë saj nga tradita klasike e strukturës, estetikës dhe gjuhës poetike klasike.

Sondazhet dhe studimet e ndryshme letrare në shkallë botërore, dëshmojnë se ligjërimi poetik dhe shijet utilitare të lexuesve po ndryshojnë.

Veçanërisht, poezia narative ka evoluar nën ndikimin e ndryshimeve kulturore dhe të mjeteve të komunikimit elektronik.

Temat kryesore të saj përfshijnë përshkrimin e një bote të tronditur nga lufta dhe teknologjia, nga kritika ndaj materializmit dhe humbja e vlerave shpirtërore, si dhe ndaj alienimit.  Traditat dhe vlerat morale po reformohen. Po ndodh dhe lindja e nënllojeve të reja. Siç ka ndodhur me zhanrin e Prozës Poetike.

Poezia narrative po synon një lidhje sa më të drejtëpërdrejtë utilitare me lexuesin, duke trajtuar ngjarje objektive dhe subjektive të mprehta të përditshmërisë.

Bëhet fjalë, pra, për të komunikuar me një lexues të gjerë dhe të niveleve të ndryshme kulturore dhe estetike, të interesuar për probleme intime dhe shoqërore të mprehta aktuale.

Për këtë diskurs zgjodha poezinë e poetes Gabriela Mujaj me titullin:

“SOS” (Nji e-mail Zotit, anipse asht fundjavë).

Struktura kompozicionale e kësaj poezie është e dyfishtë, një simbiozë midis gazetareskes dhe artistikes.

Shtrati gazetaresk i ngjan një reportazhi, që përqëndrohet, në radhë të parë në fakte objektive të aktivitetit urban të një bashkie dhe të të dhënave historike të saj.

Poetja procedon në mënyrën kalendarike, lokalizon ditën, muajin, javën, çastin dhe vendin ku zhvillohet subjekti i poezisë të saj:

“Qenë ditët e fundit kur korriku po jepte shpirt.

Dielli i Mersosë më pati ra në krye.” 

Ky diell e bëri poeten, studente në emigrim, të meditojë e mërzitur nga larg për vendlindjen e vet dhe shkollën e varfër të fshatit:

“nji njollë të vogël me emnin e tij...

Tijin pra, timit, tuajit, tonit,

Atit të dhenave ku shkelëm,

Apo na shkelën?...

Poetja kalon deri në të dhëna mbi fatin e vendlindjes “I gjymtuem në Londër...”, që aludon për vendime historike për fatin e saj.

Shtrati artistik i saj na përcjell të dhëna konkrete të gjendjes së trishtuar të jetës së përditshme të kësaj bashkie:

“Para se kryebashkiakët të ndreqnin

rrugët me gropa,

I mbuloi dheu kambët e njerëzve

që i binin asaj udhe.”

Poetja, tashmë, jeton në një vend të zhvilluar dhe e kupton shumë mirë dramën e mërzisë të heroinës së poezisë së saj, fatin, “të kësaj shqiptareje”:

“duhej të më binte dielli i Mersosë

që të mërzitesha për vendin tim”.

Vendlindja e saj është baktisur:

“Në fshatin tonë ku banonim dikur,

kanë mbet fiks tri shpi, tri lopë dhe tre qej.

Ato gratë gjoksmëdha nuk janë ma,

as vajzat me flokë të gjata që ecnin

me krye ulun dhe respektonin zakonin

mos me fol shumë...”

“TV-të lokale nuk japin lajmërime.

për dekë, as përshëndetje nga ekrani...”

Aristoteli thotë se njeriu është qenie politike, duke përfshirë këtu edhe poetin të cilin e përcakton si pjesë të qenies politike, që nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj realitetit aktual. Nga ana tjetër, Aristoteli nënvizon se krijimtaria artistike është e thirrur për të krijuar vlera estetike.

Poetja, pra, bie në “grackën” e dyfishtë. Në atë të reportazhit gazetaresk mbi përditshërinë e realitetit. Në të njëjtën kohë ajo provokon mendime dhe ofron ndjesi emocionale duke përcjellë mesazhe estetike.

Janë këto dy aspekte që e bëjnë poezinë e saj me tipare të dyfishta, pra, një Reportazh Poetik, i cili kombinon saktësinë dokumentare me detaje emocionale lirike.

Poetja kujton që e ëma nuk e lejonte t’i priste flokët e gjatë. Ditën që kjo i preu, nëna qau me lot. Por nëna e saj këmbëngul ende që nga larg për të njëjtën dëshirë:

“Vazhdimisht më telefonon që t’i rris flokët.

Si t’ia shpjegoj që ka kaq gjana që më

peshojnë në shpirt dhe nuk due me mbajtë edhe peshën e flokëve...”

Asaj i bef ndër mend kjo këmbëngulje e zymtë:

“Në darkë, para se me u sosë në gjum’

më bie ndërmend për flokët e gjatë

që nana s’më linte me i shkurtue.

Ditën që e bana, ajo qajti me lot

dhe u ndieva me fat që s’më mallkoi.”

Ajo kujton “Machia(n) në globin që kishin në shkollën e varfër të fshatit dikur, të lyer me bojë të verdhë, të shpëlarë…”

dhe i bef ndërmend një mendim tronditës:

“Mbase donin me tregue se sa e urrenin dijen...”

Aq tronditëse është kjo këmbëngulje primitive e njerëzve të vendlindjes së saj, sa përjeton një çast transcedental, që e tejkalon përvojën e zakonshme shqisore dhe vetëdijën e saj të zakonshme.

Ajo shpërthen me një lutje ekstatike, i kërkon ndihmë Zotit:

“Asht Urgjente, Zot, ndërhymja Jote,

Kujdes!!!

Në e-mail të kam shkrue me të madhe,

Kapitale, dhe nanvizu SOS!”

Poetja i bën jehonë instiktivisht mendimit të Aristotelit, që bashkon në një “qytetarin” dhe “poetin”, realitetin faktik dhe përjetimin emocional, duke na e përcjellë me emocion tronditës tablonë e dyzuar të vendlindjes së vet.

Teoricienët e letërsisë pohojnë se lindja e zhanreve të reja letrare lidhet me ndryshimin e vetëdijes artistike të artistit. Në mënyrë të vetëdijshme apo intuitive poetët detyrohen të gjejnë forma të reja apo kryqëzime formash për të shkuar te vëmendja e lexuesit.

Poezia botërore ka plot shembuj të reportazhit poetik, të pranuar si një zhanër të poezisë narative. Ja disa prej tyre.

Një shembull i habitshëm është poezia e V. Majakovskit “Broadway” (ose “Moskë – Paris”): ku poeti përshkruan skena rruge, tabela dhe zhurmën e qytetit, duke kapur detajet si një gazetar, por duke i mbushur ato me emocion ritmik.

Josif Brodski në poezinë “Natyrë e qetë” përshkruan të detajuar një skenë të përditshme, që zhvillohet si një vëzhgim filozofik.

Poezia “Mbrojtësi i Çikagos dërgon një burrë në Little Rock” e poetit Gwendolyn Brooks, trajton një raport prekës gazetaresk mbi tensionet racore në Jugun Amerikan.

Poezia “Lart në çati” e Patricia Smith është një poemë narrative që dokumenton çështje specifike sociale dhe përvoja personale në një mjedis urban.

Stili krijues i Gabriela Mujaj ka të veçantat e veta. Poetja nuk synon as simbolin, as teprinë e figuracionit të mbingarkuar figurativ. Asaj i mjaftojnë metaforat, krahasimet dhe detajet konkrete jetësore. Ajo përdor suksesshëm meditimin dhe analizën psikologjike.

Poezia e Gabriela Mujaj, mbi të gjitha, është kredhje në nënvetëdijën, sinqeritet dhe guxim krijues ndaj përmbajtjes dhe formës, të cilat e shndërrojnë poezinë e saj narrative në Reportazh Poetik mbresëlënës.

Poezia “SOS” është një ligjërim patetik i përkorë, që nuk e kursen ironinë dhe sarkazmën ndaj ndërgjegjes së platitur shoqërore:

“Lypset nji kosë,

Sa shumë asht rrit bari i keq!

Dhe nuk mundem me prit deri ditën

kur të ndanen egjra me grunin,

siç premton Unjilli.”

© Vangjush Ziko