Kulturë

“Dhuna” letrare - Nga Vangjush Saro

  • Published in Kulturë

Nëse ka aspekte të jetës që assesi nuk do ta pranonin dhunën, më së pari janë arti dhe letërsia. Përdorimi këtu i fjalës “dhunë” ka një ngarkesë stilistike; por ndonjëherë ajo që është gjysmë e vërtetë, ngjan më e hidhur se krejt e vërteta. Realisht asgjë nuk i ndalon disa medie dhe institucione që mundësitë e tyre, privilegjet e tyre, apo private apo falë taksapaguesve, t’i përdorin për t’iu imponuar publikut. Ato përfshihen kohë e pa kohë në fushata - lavdëruese për një sërë dhe shkatërruese për disa të tjerë.

Një snob që flet sikur të rronte në qiell a nuk di ku gjetkë, dhe një mediokër, që nuk arrin të kuptojë varfërinë e vet letrare, janë fatkeqësi më vete, por edhe brenda asaj që u vizatua më lart. Dhe problemi është që shpesh ata kanë pushtet; për fat të keq. Nëse duhet të jetë një profesion i tillë - dikush që thirret për të dhënë çmime apo për të shkruar recensione e për të prezantuar, ndoshta edhe imponuar (me dhunë) aksh autor apo autore - lipset që kjo të vendoset mbi një truall rregullash.

Në botën e përparuar, janë agjentët letrarë që lidhin krijuesit me shtëpitë botuese. (Pak a shumë si në sport, kinema, etj.) Por këta, janë njerëz me një formim të caktuar, që e njohin mirë letërsinë, disa nivele të saj, kërkesat e lexuesve, të enteve botuese, tregun. Dhe kur marrin përsipër të përcjellin një autor, mendohen mirë, sepse kjo ka të bëjë me reputacionin e tyre. E njëjta gjë, pak a shumë, kur jepen çmime të rëndësishme; ka një vështrim të gjerë mbi pretendentët dhe situatën letrare në përgjithësi. Kurse në “botën” tonë të vogël - pa ia mohuar edhe asaj vlerat, përparimet, emrat e spikatur - ka shumë mishmash dhe ata që merren me këtë punë, janë shndërruar në zanatçinj. (Dhe më duket se i ngrita shumë.)

Është bërë rrugë tashmë që të jepen çmime pa lexuar asgjë, pa pranëvënë veprat, pa njohur autorët, krijimet e tyre, karrierën e tyre letrare, botimet e tjera, përfshi ato në gjuhë të huaj… dhe kjo vazhdon në vite e në dekada. Ka një klimë, për të cilën kam folur edhe tjetër herë, e ceka dhe më lart, ku snobizmi dhe mediokriteti po harmonizojnë përpjekjet e tyre për të shtyrë tej letërsinë më të mirë. Me dhunë.

Autorë, nga më të njohurit ndër ne, sulmohen ose vihen në një rang me të tjerë që nuk janë njohur gjer më sot, të tillë që publiku i gjerë nuk iu është afruar, edhe pasi janë lançuar me sforco. (Njëlloj dhune edhe kjo.) Sensi i leximit, i blerjes së librit, i bërjes së një kritike letrare serioze, këto thuajse kanë humbur. Disa nga ata që kanë në dorë një zyrë apo një institucion të tërë, që janë në një a më shumë klane, apo që thjesht sapo kanë dalë në sipërfaqe dhe duan të duken, po bëjnë presion mbi publikun në një mënyrë që mediat duhej ta kishin shmangur.

Është e padrejtë që për libra dhe për autorë nën mesataren të bëhen horte e të mbushen faqe të tëra me stërhollime; të jepen edhe çmime. Ndërkaq, një libër i botuar në një sërë gjuhë të huaja, vihet papritur në gojën e një anonimi që është në botën e vet të supozuar dhe fillon e shkruan, më falni, bën thashetheme, për librin dhe për autorin (autoren), duke u përpjekur jo aq për ndonjë analizë serioze, sesa për të nxjerrë në pah… “kulturën” e tij të fituar vonë, falë internetit, dhe prirjen e kahershme për ta parë çdo gjë si ia thotë mendja atij. Episode këso, gjithashtu, njëfarësoj, janë “dhunë”.

U fol dhe u shkrua jo pak këto kohë për atë punën e laureatit (laureates) së poezisë… Duhet nënvizuar që shënimet kanë qenë të përmbajtura. Pa ikur nga tema, për një shumicë krijuesish - mendoj edhe për publikun - laureatja më e fundit nuk se i bën ndonjë nder të madh letërsisë, poezisë për më shumë, sado që çdokush është në të drejtën e tij të shkruajë dhe të sulmojë majat. Edhe pse e gjej veten mes atyre që nuk synojnë të godasin një poete, por dukurinë, prapë ngul këmbë që komisionet dhe juritë nuk lexojnë. Ato vendosin apriori.

Në fakt, kjo është një temë kaq delikate, ku gjithsecili mund të sjellë objeksionet e veta, por edhe një qasje tjetër. Bie fjala, po të ishte në dorën time, doemos edhe në mendjen time, unë do të kisha zgjedhur për këtë nder poeteshën Shpresa Kapisyzi Rama, e cila është një lartësi në poezinë e sotme. Librat e saj të fundit me poezi ndreqin (nëse mund ta themi kështu) atë mishmashin që ka krijuar media dhe rrjetet me soj-soj botime e shfrime që, në fakt, ia kanë me hile Letërsisë. Për të thënë këto, kam parasysh disa shënime letrare nga autorë të njohur. (Me modesti do të kujtoja edhe një recension të autorit të këtyre radhëve.)

Po ashtu, mund të përmendja disa poetë dhe poetesha të tjera, që juritë e komisionet në fjalë nuk i kanë marrë në sy; në fakt, ndoshta nuk i kanë lexuar. (Tani komunikimet dhe marrja e vendimeve qorre bëhen me telefon, me kafe, me opinione të ngurosura, të marrosura… se ç’mund të themi tjetër.) Po në këtë temë, mund të kisha ndonjë apo ca pyetje për këto juritë, komisionet dhe institucionet që s’u panë njëherë të hedhin vështrim përqark, por mbetën robër të klaneve dhe të paragjykimeve idiote. Bie fjala, një fabulist a mund të quhet poet? A mund të merret ai dhe krijimtaria e tij në konsideratë për ndonjë çmim apo titull? (S’e kam thjesht për veten; por edhe për veten, pse jo.) Kur emra të spikatur të Kritikës Letrare dhe të Letërsisë flasin e shkruajnë për të, duke dhënë vlerësime maksimale, madje me raste duke analizuar edhe fabula të veçanta, kur Publiku ka treguar interes të vazhdueshëm për librat e tij, kur ato botohen edhe jashtë vendit, gjer në SHBA, etj. Këta snobë e të pahir a mund të kthejnë njëherë, vetëm njëherë, kokën?

Ne jemi në një terren që bëhet gjithnjë e më i vështirë. Dhe ca më keq, kur në këto zhvillime, institucionet “e specializuara” bëjnë protagonistin. Thuhet me të drejtë se shumica e atyre që marrin çmime, në vite, nuk ofrojnë ndonjë kontribut të spikatur; ndryshe nuk ka si shpjegohet që pas njëfarë kohe harrohen. Dhe duke kujtuar këtë, vetiu të shkon mendja në mungesën e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë. (Të institucioneve përkatëse.) Këta pastaj bëjnë që të përplasen përvoja reale, arritjet e gjithëpranuara, të vërtetat e mëdha me… botën e vogël të atyre që nuk u ngritën apo nuk ngrihen dot në lartësinë që do ta donte profesioni, por edhe publiku. Se në fund të fundit, është ai që duartroket ose hesht; dhe vë notë.

Ky nënvizim sjell sërish në fokus drejtësinë e munguar dhe jetëgjatësinë reale të krijimeve letrare dhe të autorëve vetë. E përsëris - sepse më duket e tepruar dhe gjer marrëzi - “lufta” që bëjnë disa për të imponuar aksh poet apo shkrimtar që asnjëherë s’e bëri dot për vete lexuesin, brenda dhe jashtë vendit; dhe nuk ia dalin dot, sepse kjo punë nuk bëhet me dhunë. Kujtoni sa çmime janë dhënë tutje e tëhu për lloj-lloj tregimesh që nuk janë më, që nuk gjenden askund, për askënd… Dhe kujtoni tregimin “Stenograma e një fjalimi” të Qamil Buxhelit, që Teatri i Estradës i Fierit e solli në skenë me aq profesionalizëm. (Ka mbetur proverbiale fjalia-lapidar “A doni më për Belulin?”) Qindra e qindra shfaqje, mijëra e mijëra shikime, miliona mbase. Ku ishte këtu çmimi dhe tregimi dhe… trimat e jurive në dekada?

Ka krijime letrare dhe filma që Kritika Letrare dhe Publiku i kanë vendosur dhe i mbajnë në pidestal e aty do të rrinë; sadoqë shumëkush përpiqet të gjejë gjilpërën në kashtë, duke vizatuar (apo futur) spica me bojra ideologjish. Nga ana tjetër, çdo kultivim talentesh që nuk e bënë dot për vete publikun, edhe pse u lëvduan dhe vazhdojnë të lëvdohen, nuk shkon dot te lartësia në fjalë. Megjithë shtrembërimet, sharlatanizmin e dhunën e kujtdo, kështu do të jetë gjithnjë.

© Vangjush Saro - Vancouver