Krijimtari

Pjergulla loton fshehtas - Poemth nga Ruzhdi Gole

1.

Ec ti, hija ime, rrëpira ime ec...

trishtimi më i vogël

veç tek jeta ime

jo gjithandej.

Në fluturimin tonë të kasnecit

afërtutjeafër, gjatë sa shkurt

ne jetën e shkëlqejmë

me dekore

e ledhim

ia pijmë qumështin

dhe flladet

aty ku çelin

pastaj

në besë e presim

i cytim halë në sy

thikë në gjumë.

Ec ti, hija ime

plot rrëshekë e hire

diku e gjitha ti ankth

e gjitha përhitur urnë,

mos zapto në Vlorë breg

asnjë thërrime në alpe mos

zapto mahnitjeve pyll as kullë.

2.

Me butësi breg dhe mal jetojmë

por kur endemi tyre rreth e qark

nuk shohim një fije teli

as fije balone

ku fëmijëritë

ëndërrojnë

fëmijët

por

shohim fëmijë

elektronesh

kafaz.

Mbi tel luajnë rrallë, padukshëm

dhe të kërrusurit, të kërrusurit

plagosen shpejt e shpesh,

(dikur ata plot dallgë

mbushur hoje vere

tani as thumb

as rrezë.)

3.

O hije,

mos u largo prej tyre

lehtë - lehtë afroju

tinëz ballaz pak,

ata me ty

nuk grinden

mëri të mbajnë

gjys' fryme

nuk të përkulen

të kanë ty

hir të artë.

Ky hir i hirtë pllangë... vetvetja...

e humbasim... e gjejmë

vonë... për... më vonë,

Ec ti, hija ime

ti je më e buta

tëposhtë

të përpjetash

ti... rrëpirë e ujrave

pjergull që loton fshehtas

lëndinë ku feksja gëzon hov...

Ç'hov?

S’gënjejmë, gënjehemi

të pastër në mes tonë jemi.

Ec ti, o hije

rrëpira, rrëkeza ime

nëpërkëza ime e vogël

rrëmujë qetë kthjell' trisht',

në mes tonë afër

pendohemi

prehemi

Eja, mos më ec në gisht!!!

© Ruzhdi Gole