Urtësi

Nuk mund të ketë politikë të mirë pa politikanë të kulturuar - Klodi Stralla

Eshtë më se e natyrshme që një njeri i kulturuar mund të mos jetë politikan, ndërsa e kundërta, që një politikan të mos jetë i kulturuar, kjo është një fatkeqësi e madhe për çdo vend që ka politikanë të tillë.

Profesioni dhe kultura janë dy gjëra të ndryshme. Mund të jesh inxhinier, mjek, mësues ose biznesmen i aftë në profesion, por mund të mos jesh i kulturuar. Kultura është diçka më e gjerë dhe nuk mund të reduktohet vetëm në njohuritë që zotëron një profesionist i një fushe të caktuar. Ajo lidhet, para së gjithash, me sjelljen, edukatën, dashamirësinë, tolerancën dhe sidomos me ndjenjën e përgjegjësisë për punën që kryen, për fëmijët që rrit dhe edukon, për marrëdhëniet bashkëshortore dhe shoqërore që ndërton, pra në themel të saj qendron virtuti, aftësia për të komunikuar me të tjerët në mënyrë racionale e dashamirëse.

Mungesa e kulturës është veçanërisht me pasoja të dëmshme kur i pakulturuari është politikani ose çdo person publik, sepse ai supozohet që punon për të mirën e përgjithëshme të një vendi apo një komuniteti të caktuar.

Shumë prej nesh përgjërohen për fatet e vendit, për koorrupsionin dhe nepotizmin aq të përhapur tek ne dhe, për këto bëjmë përgjegjës vetëm politikanët tanë. Kjo është gjëja më e lehtë, të fajësosh të tjerët dhe të kërkosh që ata të sillen ndryshe nga sa do të bëje vetë ti, nëse do të ishe në vendin e tyre.

Unë mendoj se shoqëria jonë ka më shumë nevojë për kulturë sesa për dije të mirëfillta në fusha të caktuara, sepse po pati kulturë do të dijë të zgjedhë edhe politikanë të mire. Njerëz të “shkathët”, të djallshëm dhe pelivanë kemi pasur historikisht dhe kemi ende me shumicë në të gjitha fushat e jetës dhe s’ka se si të mos jenë të tillë edhe politikanët tanë. E thënë troç, na mungon fisnikëria, që e vramë dhe vazhdojmë ta vrasim sistematikisht.

Kultura, ndryshe nga dijet, fitohet me më vështirësi, shpesh nuk gjendet vetëm nëpër libra; ajo kultivohet në familje, në shkollë dhe në mjedise në marrëdhënie me të tjerët. Ajo nuk gjendet as në CV-të e thata të aplikantit, që tregojnë vetëm dijet, kualifikimet, masterat apo doktoraturat e tij, ndonëse shpesh edhe ato janë shumë të dyshimta nga dijet reale që ai zotëron.

Edhe “Rrjetet sociale” mund të ndihmojnë në zgjerimin dhe përhapjen e kulturës. Më shumë letërsi dhe poezi, më shumë muzikë dhe pikturë, më shumë moral dhe eksperiencë vetjake. Të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të shmangim sa më shumë emisionet televizive që deformojnë qëllimisht realitetin duke u shndërruar nga mjete informimi në mjete propagande.

Unë ruaj bindjen e thellë se përparimi, siç shprehej sër Bertrand Russell, vjen vetëm “nga Dashuria që udhëhiqet nga Dituria”, pra nga Kultura.

©Klodi Stralla