In Memoriam Fehmi Agani - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Si sot para 25 vitesh forcat serbe vranë profesor Fehmi Aganin, udhëheqësin intelektual e praktik të lëvizjes paqësore kosovare për mëvetësi në vitet 1990-të. Ai ishte njeri i dialogut dhe i aksionit. I lindur në Gjakovë, ai ishte ndër shqiptarët e parë nga Kosova që në vitet 1950-të studioi në Beograd dhe mes të tjerash u specializua edhe mbi lëvizjen sindikale në Gjermani.
Fehmi Agani ishte një figurë shumë e respektuar si strateg politik, sociolog, filozof, profesor universitar, negociator dhe ndërtues urash të komunikimit mes skenës së polarizuar politike kosovare sidomos në vitet e luftës së hapur.
Nga vitet 1960-të deri në heqjen arbitrare të autonomisë së Kosovës nga regjimi serb në vitin 1989, Fehmi Agani luajti rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve qendrore arsimore në Prishtinë. Më 1981 refuzoi të dënojë protestat e studentëve dhe për këtë u ndëshkua nga regjimi komunist.
Presioneve të ndryshme u bëri ballë me durim e gjakftohtësi. Krahas Ibrahim Rugovës, Shkëlzen Maliqit, Veton Surroit e Blerim Shalës, profesor Agani ishte figura prijetare e Alternativës Kosovare që kishte dijen dhe përvojën të përballet me çdo eksponent të politikës dhe skenës akademike serbe. Njëkohësisht profesor Agani çmohej në Lubjanë, në Zagreb e Sarajevë për fuqinë e argumenteve të tij.
Ky nam i tij i mirë në vitet 1990-të u përhap edhe në qarqet perëndimore. Shumë diplomatë e shihnin si udhëheqësin faktik dhe politikbërësin konkret të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Si të tillë edhe e çmonin. Fehmi Agani nuk ishte pacifist dhe indiferent ndaj realitetit në terren. Simpatia e tij për kryengritjen e armatosur ishte e dukshme.
Vrasja e tij nga forcat serbe është një nga krimet më të mëdha që regjimi serb kreu me qëllim dëmtimin e udhëheqjes politike të Kosovës. Vrasësit e tij nuk u arrestuan kurrë nga qeveritë serbe që nga viti 1999. Ata jetojnë të lirë në Serbi.
Jeta e vepra e profesor Aganit janë të pavdekshme, përkundër mungesës së angazhimit institucional në Kosovë për ta tematizuar vrasjen e tij në qarqet ndërkombëtare.
Copyright: Enever Robelli





















