Kolumnist

Enveristi që ndërtoi Kremlinin shqiptar - Nga Ilir Levonja

Nga një mbledhje e Byrosë politike të kohës së sotme, kreu i Kremlinit shqiptar, kërkon marrëveshje me opozitën. Me cilën opozitë, se sipas tij Shqipëria nuk ka opozitë dhe ai e ka për ofendim të ulet e të flasë me ndonjë “non grata” etj., ku po sipas tij dhe atyre kadinjve të drejtësisë, opozitarët nuk dinë se ku kanë vulën, ku kanë kokat, ku kanë selitë etj. Për më tepër i ka burgosur me fakte propagandistike dhe jo material safi si tarifat e inceneratorëve që Kremlini shqiptar u paguan lobeve që arrijnë kourume votash të padiskutueshme për fitoren e radhës..., pa diskutim edhe me angazhimin total të vipave të artit dhe showrock-ëve në klubet e natës në Tironën e zhurmshme.

Boll me marrëveshje me Edi Ramën, është kartë e djegur, një figurë analoge deri në perfeksion me Enver Hoxhën. Kur them perfekte, kini parasysh që pas çdo mbledhje Byroje, ekzekutohej publikisht një bashkëpunëtor i tij, një bashkëekzekutues i urdhërave të tij, një bashkëkapter, oficer a gjeneral. Këtë bëri edhe Edi Rama dje, mblodhi Byronë, jo Partinë Socialiste. Nuk ka më Parti Socialiste, është naivitet ta besosh, dhe ashtu publikisht me natyrën enveriste shpalli tradhëtarin e radhës ndofta edhe kërcënuesin real të pushtetit të tij, bajatin lali Eri. Nesër do shpallë armik të klasës edhe gruan e tij dhe ju po publikisht do besoni dhe do i bindeni kreut të Kremlinit shqiptar në këtë derexhe, duke pritur përjetësisht para nga fëmijët emigrantë.

Po kemi ardhur në atë zenit shekullor kurbeti, ku fëmijët tashmë janë bërë vetë gjyshër dhe po mendojnë për pensionimin. Shumë nga ju asnjëherë nuk e pyetën veten: përse edhe ne nuk gjykojmë e veprojmë si fëmijët jashtë? Përse nuk indinjohemi dhe përse nuk e kundërshtojmë padrejtësisnë sociale për një pension më të mirë dhe një pensionim me dinjitet si ata në botën e madhe? Por nuk e bëjmë se jemi shqiptarë me inat klasik. Kësisoj të vrasim me propagandë, rrojmë me propagandë dhe kësisoj akoma do komsumojmë të njëjtat tema si armiqtë klasës, Saliun, Europën që nuk na pranon, mungesën e ujit dhe pordhët me bumin turistik.

Kemi një devijim total nga demokracia, madje jemi futur në garë me sukses të plotë me Kremlinin, i cili po dje i dha mandatin e gjashtë Vladimir Putinit, plot njëzetë e pesë vjet në pushtet. “Kujt nuk i mungon Bashkimi Sovjetik, nuk ka zemër rusi” ka qenë deviza e Putinit për sundim. Ka vrarë e prerë në të dy anët ama nën emrin e demokracisë. Të njëjtën gjë po bën edhe Edi Rama. Shqipëria ka rënë në një vegjetim social edhe për shkak të emigrimit, deri dje i endërruar, sot një sëmundje që po e shteron kombin shqiptar. Kjo për shkak të zero mundësive në vendin e vet.

Bash dje, dëgjova një vip thinjosh, gjoja me klas, sipas studios televizive, i cili tha se opozita nuk ka një lider të ri, kësisoj do ta durojmë Edi Ramën. Eshtë vip biri i botës, ka klas, mund të ketë dhe para, por fatkeqësisht nuk ka sharm dhe kulturë për të kuptuar se sa e robëruar është shoqëria shqiptare e cila pranon të jetojë nën këtë koncept. Ose edhe mund të ketë kulturë, por nga ajo bajatja tipike e shqiptarit provincial, se ç’më duhet mua kur për vete jam në rregull. Nëse ti vip nuk bëhesh dot lider opozitar, të paktën bëhu qytetar opozitar, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht besimit fetar, pavarësisht prirjes seksuale. Se demokracia nuk është rreshtim politik, fetar, etj., por rreshtim qytetar. Por ti nuk e bën, vetëm jep mend. Dhe ky soj i nënshtruar është kavia perfekte e jona.

Eshtë një lojë e dhunshme gati mbarëshqiptare e propagandës shtetërore se nuk ka një lider opozita dhe do ta durojmë Edi Ramën, mendësi që po firon gjithçka, më keq se pandemia a sëmundjet e shekullit. Eshtë viti ku duhet të kalohet çdo vijë e kuqe pasi një qeveri që nuk rindërton dot një linjë hekurudhore Tiranë-Durrës, hiqeni nga mendja se mund të rindërtojë kombin. Dhe mbylleni këtë punën e Europës se me pensione nga 60 euro, nuk futemi në Europë. Më 2013 i dhatë Edi Ramës një milion vota, sot ka ardhur koha t’i jepni një milon shqelma. Kaq. Hiqeni nga koka marrëveshjen, as mos i diskutoni më studiove. Madje duhet refuzuar kategorisht çdo diskutim për këtë apo atë. I vetmi drejtim është zbythja e Ramës!

© Ilir Levonja