Blog

Rithemelimi i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut - Nga Xhevdet Nasufi

Referuar logjikës, politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjatë dhe para zgjedhjeve 2024 sillet mes sindromës së ndryshimit dhe mosndryshimit, por tani edhe me sfidën e paqartësisë politike në të dy etnitë më të mëdha në vend. Kjo sfidë rritet sidomos me diskursin dhe doktrinen e ringjallur raciste sllave. Mu për këtë, politika shqiptare këtë mjegullnajë sot si asnjëherë më parë, nuk duhet ta përdorë si alibi për vete dhe interesat e saj separatiste partiake. Kjo mjegullnajë politike shqiptare e bën më përgjegjës veçmas Frontin Proevropian (emërtimi nuk mund të jetë amnisti), por pa përjashtuar edhe opoziten Vlen. Holokausti parazgjedhore shqiptar dhe insistimi i pashembull me çdo kusht të fitohen zgjedhjet nga BDI dhe Vlen po i kalon përmasat e garës politike zgjedhore në demokracitë funksionale, siç është ta zëmë Kosova. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë, që partitë politike shqiptare kanë mjaft autorësi në krijimin e kësaj mjegullnaje, sidomos BDI, që në qeverisje të pandërprerë nga viti 2001 nuk arriti ta përligjë funksionimin e shtetit të së drejtës, barazinë e ekuilibruar mes shqiptarëve dhe maqedonasve.  

Provë për siç thamë, është diskursi antishqiptar dhe ringjallja e doktrinave raciste edhe në Maqedoninë e Veriut të afishuara këto ditë në qëndrimin unikal të Mickovskit, Dimitrievskit, Apasievit, Siljanovskës, e që nuk është vetëm kuvendim parazgjedhor. Për tu përballur me këtë politikë raciste pak dhe aspak nuk punoi BDI, apo të tjerë shqiptarë që i janë bashkangjitur në qeverisje. Është absurde dhe e pakuptimtë që bile BDI nuk e vazhdoi më tej performancën kombëtare të suksesshme të Partisë Demokratike Shqiptare me Arben Xhaferin gjatë qeverisjes 1998-2002, në të cilën u krijua një drejtpeshim solid në bashkëqeverisjen shqiptaro-maqedonase. Për dallim, qeveria e BDI, sikur edhe bashkngjitësit e saj me apo pa vetëdije e stimuluan konceptin antishqiptar, që sot gjithnjë e më shumë po e ngre koken. Në sensin moral kombëtar, po kjo politikë shqiptare në Maqedoninë e Veriut shpopulloi shtetin nga shqiptarët (katastrofë etnike), e harakiroi sistemin arsimor dhe të punës. Kjo mjaftueshëm, si kundërsens progresi po frenon dhe dëmton zhvillimin, ndjeshëm e rrit pasigurinë për të ardhmen dhe natyrshëm e stimulon shpopullimin e Maqedonisë së Veriut.

Holokausti aktual politik parazgjedhor në fakt është anakronizëm politik. Nevoja për ndryshim politik te shqiptarët është qytetari dhe kulturë. Ky ndryshim te shqiptarët sot mjerisht duhet të kalojë nëpër shumë parti dhe liderë politikë, që duam ne apo nuk duam të pranojmë, përbën miksim inkoherent me vetë ndryshimin. Përtej kësaj, blloku politik maqedonas (VMRO, ZNAM, LEVICA) që pritet t’i fitojë zgjedhjet, ngërthen brenda vetes mjaft antishqiptari dhe antievropë. Kapaciteti aktual politik shqiptar nuk është në përputhshmëri me performancën rezistuese të nevojshme ndaj këtij blloku. Andaj edhe në këtë fushatë zgjedhore dëgjojmë me të madhe edhe brohoritjet UÇK, UÇK... në mungesë të zgjidhjeve sistemore në shtet dhe ideve politike.

Sidoqoftë, ndryshimi i qeverisjes te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është domosdoshmëri. Gjersa VMRO dhe LSDM zëvendësojnë njëra-tjetrën në qeverisje mu sikur Demokratët dhe Republikanët në SHBA, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë barikaduar rreth një partie politike, në sens jo edhe aq nacionale, jo aq kreative, jokërkuese, ama e shkathët brenda vetes për vetveten. Kjo edhe do të përtypej në rrethana jo krize, në rrethana joshpopulluese, në rrethana kur të vepronte shteti i së drejtës dha barazia etnike.

Miq të dashur, qeverisja e BDI nuk është pritur të jetë proglobale e më pak nacionale, pacifiste e më pak nacionaliste, koalicionuese në kontekstin etnik dhe partiak, por as kaq e gjatë. Mu kjo imponon ndryshimin, qoftë nga brenda (gati është pamundësi), qoftë nga jashtë.

Është e qartë, arena parazgjedhore (2024) te shqiptaret në Maqedoninë e Veriut i ngjan dyluftimit mes të barabartëve dhe të pabarabartëve. I ngjan nxitimit maratonë, në të cilin garuesit shqiptarë e kanë përjashtuar eposin etnik. Profilimi i dy fronteve zgjedhore është veprim pozitiv, por jo parimor në formimimin e tyre. Profilimi i tillë, duam ne apo nuk duam, do ta vështirësojë qeverisjen e ardhshme.

Çka i dalloi zgjedhjet 2024? Së pari, “vëllezërit” e mëdhenj, Shqipëria dhe Kosova zyrtare u radhitën në këtë fushatë sipas preferencave partiake dhe porositën shqiptaret: Tirana zyrtare që të votohet Fronti Evropian, Prishtina zyrtare që të votohet opozita Vlen. Së dyti, koalicionet parazgjedhore janë konceptuar që të prodhohen deputetë me reflektim të gjerë etnik dhe partiak. Pra, u shpërfill benefiti shqiptar zgjedhor në favor të minoriteteve, por u bë edhe miksimi partiak te opozita që reflekton mjaft garë liderësh. Së treti, ndodhi një thyerje joparimore partiake në Aleancën për Shqiptarët si derivat i PDSH (Partia Demokratike Shqiptare) mu në vigjilje të zgjedhjeve. Kjo edhe njëherë shantazhoi simbolin më të fuqishëm të politikës kombëtare te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Partinë Demokratike Shqiptare të Arben Xhaferit. Ndoshta kjo edhe mund të jetë inspirim për shpresë dhe kureshtje: Në koalicionin me Frontin Evropian (BDI) janë bashkuar tre degëzime të PDSH të cilët ndoshta, do të ringjallin PDSH-në e qeverisjes në vitet 1998-2002 me në krye Arben Xhaferin.

© Xhevdet Nasufi