Kolumnist

Atdheu ku drejtojnë 99-tshat - Nga Ilir Gjini

Shprehja ai është “99-tsh”, ka një simbolikë të veçantë. Ajo nënkupton një njeri që është i aftë t’i bëjë të nëntëdhjetë e nëntat, pra i aftë për gjithë prapësitë.

Në atdheun tonë që aspiron të bëhet pjesë e familjes europiane, treguesit e lirisë së medias kanë rënë në pikiatë duke e çuar nga vendi 36-të, në të 99-in, madje pas Serbisë që drejtohet nga ish-ministri i propagandës së diktatorit Milosheviç.

Dhe qe të zbresësh në vendin e 99-të, patjetër që barrën e fajit e ka qeverisja. A thua drejtohemi nga ca 99-tsha, që ndodhi kjo? Se vetëm po të drejtohesh nga 99-tsha, ndodh që drejtorët grabisin pjesën e luanit nga taksat dhe i shdërrojnë në hotele të vetat turistikë. Vetëm po të drejtohesh nga 99-tsha, ndodh që shpenzohen miliona euro dhe nuk ka as godinë e jo më incenerator. Vetëm po të drejtohesh nga 99-tsha, gazetarët kritikë quhen llum, kadrinj, kazan mediatik, vrasës me pagesë. 

Kemi parë gazetarë që çohen në riedukim, vetëm për pyetje që kanë lidhje me konfliktin e interesit të ish-ministres Xhaçka, e që sot janë të pandehur në dyert e SPAK. Çudira që do na i kishte zili edhe lideri i Bjellorusisë.

Shoqëria e sotme fatkeqësisht po demostron gjithë degradimin e ish-sistemit komunist. Dikur për “shfaqe të huaja” të çonin në riedukim pranë gjirit të klasës punëtore. Sot të çojnë në riedukim për pyetje që vënë në siklet pushtetin. Dje, sa herë që i prishej humori udhëheqësit, shpalleshin grupe armiqësore. Sot, sa herë që popullit i tregohen disa të vërteta nga bataku i korrupsionit, shpallen grupe armiqësore gazetarësh që linçohen në rrjetet sociale nga Bashkia e kryeqytetit.

Rastësisht ndoshta edhe kryebashkiaku i sotëm që po “baltoset” për shkak të korrupsionit sipëror në bashkinë që drejton, dikur drejtonte një lëvizje që quhej G- 99. 

Megjithëse kemi organizata të shoqerisë civile që marrin fonde për lirinë e medias, askush as sa për sy e faqe nuk e ngriti zërin për “grupin armiqësor të gazetarëve”. 

Më bëri përshtypje në një emison-debat, një gazetar komentator të cilin dikur e kam pasur kryeredaktor, që për gënjeshtrën aq të trashë të kryebashkiakut të Tiranës se ishte në një takim ku kishte vajtur vetë vullnetarisht me dy kolegë të SPAK-ut, thoshte se Veliaj është mjeshtër i komunikimit.

Që gënjeshtra të quhet mjeshtëri, mendoni tani linjën editoriale të televizioneve që drejtohen prej tyre.

Po të shohësh lajmet e televizioneve kombëtare, duket sikur shqiptarët jetojnë në parajsë. Janë kthyer në altoparlantë të propagandës, pa treguar asgjë nga realiteti i zymtë i së vërtetës. Mjafton të krahasosh tre elementë bazikë si niveli i korrupsionit, borxhi publik dhe liria e medias, për të parë që pas 11 vitesh qeverisje, treguesit janë shumë më keq se sa qeverisja e demokratëve të Saliut dhe LSI-stëve të Metës.

Sigurisht që edhe këta të fundit kanë gjynahet e tyre, por na duken lule krahasuar me këta të sotmit. Dhe kjo arrogancë e trashë në zhvatje, vjen nga siguria e një pushteti absolut ku Drejtësia është bërë pjesë e shtrembërsisë së pushtetit, ku Gjykata Kushtetuese i ka vënë minat themeleve të Kushtetutës, duke u kthyer në një  freskuese të pushtetit.

Dhe në këtë kataklizmo “demagogjie” ku korrupsioni quhet zhvillim, ku rrena quhet mjeshtëri komunikimi dhe grabitja e zgjedhjeve marshim nga “fitorja në fitorje”, media për fat të keq është kthyer në zgjatim të propagandës. Këtu kanë pjesën e vet edhe partnerët ndërkombëtarë, që përmes ambasadorëve, nuk e kanë ruajtur etikën diplomatike, duke mos futur hundët në punët tona të bredshme. Por jo, ata nuk i shqetëson liria e medias, zhvatja e parave publike që shdërrohen në hotele turistike të drejtorëve bashkiakë, por dy tymuese që hidhen nga protestuesit tek dera e bashkisë.

Për këta të fundit do jepja një këshillë: Ose mos u përzieni fare, siç ju kërkon edhe statusi juaj diplomatit, ose… shut the fuck up!

© Ilir Gjini

Tagged under Flasshqip.ca Ilir Gjini