Andej-Këtej

Rrugicat kërkojnë njerëz - Nga Agim Xhafka

Ndërsa po ecja në Korçë në rrugicat e fëmijërisë sime, para një shtëpie të vjetër dykatshe po rrinte te sofati një zonjë e moshuar. Tani këto mosha nuk mbajnë shami të zeza në kokë, por ia pashë flokët e bardhë që i kishte të çakërdisur nga që nuk u kishte kaluar ndonjë krehër sipër. Deri poshtë afër stadiumit veç kjo rrinte te guri përjashta. Nuk kishte shtiza, s’po bënte triko si ato të qëmotshmet, veç mbante kokën nga kreu i rrugës.

-Mbase po pret burrin, djalin, nipërit, mbesat, - mendova.

Sa po i afrohesha para saj ndali një veturë. Nga ajo zbriti një djalosh. Por e moshuara u ngrit si e trembur e hyri vrik brenda. Mbylli dhe portën. Djaloshi i qetë trokiti te dera me atë dorezën e bukur prej tunxhi, që kur ishim te vegjël pandehnim se qe dorë vajze. Aq të bukura i prodhonin mjeshtrit. Trokiti tri herë dhe nuk priti të hapej. Iku. Hipi në veturë e la tymin pas. Pas dy sekondash u çel kanati i portës. Doli sërish zonja me flokë të bardha dhe e qetë u ul sërish te sofati. Nuk pyeti atë çunin pse trokiti, çfarë donte. Ktheu kokën nga kreu i rrugës e prapë u ngrit me vrap dhe hyri brenda. Mbylli derën. Pashë që atje u afrua një vajzë, ndoshta gjimnaziste. Trokiti me dorezën e bukur e nuk priti të hapej dera. Iku dhe ajo. Doli sërish e moshuara e sërish u ul te sofati. Kokën e çoi lart, te kreu i rrugicës. U bëra kurioz ndaj nxitova të kapja vajzën.

-Ti trokite dhe nuk prite të hapej dera. Pse?

Vajza nga që nuk më njihte, mbeti cazë e shtangur. Por më dha përgjigje se nga një derë aty pranë doli një burrë. Siç duket mori siguri nga prania e tij.

-Plaka te sofati quhet Ollgë. Ka ngelur vetëm prej vitesh. Kanë ikur në Greqi dy djemtë me nuset dhe fëmijët. Burri ka ndërruar jetë. Na është lutur para ca kohësh që sa herë të kalojmë para shtëpisë së saj t’i trokasim te porta. Ajo dëgjon nga brenda dhe i duket sikur po i vjen biri, nipi a mbesa. Ose pandeh se po i bujt dikush nga farefisi. Kështu e shtyn ditën. Jo vetëm në kohë të mirë, por edhe në shi e dëborë.

Shtanga. Isha mes dyzimit ta besoja apo jo. Ndaj bëra provën. U ktheva dhe iu afrova shtëpisë së saj. Zonja rendi drejt e brenda. Kapa dorezën dhe i rashë fort. Tri herë. Por nuk ika. Prita. Doli e moshuara që kishte sy plot lëng si syri i kaltër i Bistricës. E pashë që ajo trokitje te dera e kishte lumturuar një çast. Por doja t’ia shtoja dozën. E përqafova fort dhe i thashë:

-Prit te guri sa të marr një lëng portokalli te dyqani përballë. Ta pimë bashkë!

Ndenja plot një orë. E bëra adetin jo veç për trokitje, por dhe për mikpritje. Se njeriu kur rri me njeriun ndjehet njeri. Kur ika ndalova te plot dyer. Dhe trokita te të gjitha. Por askund nuk doli kush. Rrugicat kërkojnë njerëz, o njerëz!

© Agim Xhafka