Urtësi

Avokati, ky farmakolog i pasioneve - Nga Piero Calamandrei

Nga: E shqipëroi Henrik Ligori

“Tashmë avokatët praktikojnë përditë, njëlloj si mjekët, atë formë të solidaritetit njerëzor të qëndrimit pranë njerëzve që gjenden përballë dhimbjes: prandaj profesionet e mjekut dhe të avokatit i quajnë profesione të dhimbjes, më shumë se sa profesione të lira.

Ashtu sikundër i sëmuri, të cilit i pëlqen t’u hapet mjekëve, ndonëse nuk ka shpresë të shërohet, edhe klienti, ndonëse nuk ka shpresë që të fitojë, e kërkon me ngulm avokatin, ngaqë e di se në këtë botë nuk do të gjente dot tjetër njeri të gatshëm për të dëgjuar, me durimin e mjekut, rrëfimin fill e për pe të telasheve të tij të pakëndshme, të cilat për atë që i përjeton janë të mëdha sa bota, por për çdo sehirxhi tjetër, që nuk është avokat, duken si një varg andrallash bezdisëse, pa pikë rëndësie.

Zakonisht besohet se misioni i veçantë i avokatit qëndron tek përpjekjet që bën për t’u dëgjuar prej gjyqtarëve: në të vërtetë, misioni më njerëzor i avokatit është të dëgjojë klientët apo t’i japë gjindjes së shqetësuar kënaqësinë e ndjesisë se e gjeti më në fund një njeri të besuar, që nuk lodhet së dëgjuari dertimet e saj.

Klienti, pasi del nga bashkëbisedimi i gjatë me këtë rrëfyes laik të cilit, për nga prirja, i len në zemër dëshira për gulmet e fshehta që tjetri ia beson në ruajtje, ndjehet më i lehtësuar dhe si i dëlirur e kupton se pasi ia ka besuar hallin atij, pjesa më e egër e brengës së vet mbeti e burgosur dhe e zbutur mes atyre kartave, mbi të cilat avokati klasifikoi gulçet simbas neneve të posaçme të ligjit, teksa klienti fliste.

Kështu zuri fill e u krye një lloj reaksioni kimik mirëbërës, falë të cilit mëria, ky helm gati i padukshëm, që pak më herët qarkullonte i tretur në gjak, u shndërrua në një substancë asnjëanëse, që nuk ia djeg më gjuhën dhe që tashmë mund ta këqyrë, me qetësi indiferente, si një precipitat tanimë të patretshëm, që dallohet qartë në provëzën e kthjellët të avokatit, këtij farmakologu të pasioneve.”

Piero Calamandrei, Elogio dei giudici..., Ponte alle Grazie, 2008.