Gjermania rivendos kontrollet në kufirin tokësor, reagime në Evropë - Nga Auron Dodi
- Published in Andej-Këtej
REAGIME NGA SHTETET E BE
Reagimet nga shtetet e Marrëveshjes së Dublinit, për futjen nga Gjermania të kontrolleve tokësore nuk janë entuziaste. Situata aktuale, kur refugjatët kanë synim në radhë të parë Gjermaninë në Veri të Evropës, është më komode për shumë shtete. Bëhet fjalë për një vijë kufitare mbi 3700 km të gjatë.
Kancelari Olaf Scholz e pranoi në debatin e së mërkurës në Bundestag se masat nuk u pëlqejnë fqinjëve të Gjermanisë. Por ai shtoi se masat duhet t'i përballojmë të gjithë tani. Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, deklaroi se çështja e ripranimit të refugjatëve do të diskutohet në nivelin më të lartë shtetëror. Kjo sepse dihet që Marrëveshja e Dublinit kërkon që rasti i një azilkërkuesi të trajtohet në shtetin e parë të BE ku shkel ai dhe Gjermania është e rrethuar me shtete të tillë.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk nuk erdhi sipas planit për një vizitë të premten (13.09) në Gjermani. Ai e quajti " të papranueshëm" vendimin gjerman. Për Tusk vendimi "është pezullim de-facto, në përmasa të gjera i Marrëveshjes së Shengenit".
Austria deklaroi se nuk do të ripranojë refugjatë që kthehen pas nga Gjermania. Kurse kryeministri grek, Kyriakos Micotakis u shpreh që nga Austria, se refugjatët i tërheq shteti më social në Gjermani. Ai shtoi se nuk do të pranojë barrë joproporcionale refugjatësh. Micotakis kërkoi me këtë rast që murin 5 metra të lartë me Turqinë, që do të ndërtojë, t’ia financojë Evropa.
MIRËKUPTIME TË KUFIZUARA PËR VENDIMIN
Italia, në një reagim të parë, u shpreh se e konsideron legjitim vendimin gjerman. Kurse Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë e përshëndeti vendimin në platformën X: "Ide e mirë, duhet ta bëjmë edhe ne”.
Në Bruksel, Komisioni Evropian pohoi se këto masa duhet të jenë një përjashtim. Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser i kishte shkruar Komisionit Evropian se është e papranueshme që 50.000 vetë deri në korrik, kanë dashur të hyjnë në mënyrë të parregullt në Gjermani. "Asnjë shtet në botë nuk mund të pranojë pa kufi refugjatë", deklaroi ministrja.
Në fakt, prej vitit 2015 Gjermania ka pranuar më shumë se dy milionë refugjatë. Së fundi janë shtuar edhe 1,2 milionë refugjatë nga Ukraina.
NË ÇFARË KONSISTON KJO MASË E PAZAKONTË?
Prej sot (16.09.) do të futen kontrolle në të gjithë kufijtë tokësorë të Gjermanisë. Sipas Socialdemokratëve, është fjala për kontrolle inteligjente të kufirit, jo për ndalimin e çdo automjeti.
Mësohet që do të kthehen pas ata imigrantë që nuk kanë dokumente të mjaftueshme dhe që duan të hyjnë ilegalisht në Gjermani. Në të ardhmen, policia federale do të shqyrtojë që në kufi, a është përgjegjës një shtet tjetër për kërkesën e azilit. Ajo mund të marrë në pyetje atje edhe aplikuesin. Personi do të mbahet në strehimore në kufi dhe nuk do të lejohet të hyjë brenda në Gjermani. Po të ekzistojë rreziku i fshehjes së aplikuesit, ai do të arrestohet.
Masat do të zgjasin fillimisht gjashtë muaj. Ministrja e Brendshme e Gjermanisë përmendi si argument se ato synojnë "të kufizojnë më tej imigrimin e parregullt dhe të na mbrojnë nga rreziqet akute të terrorit islamik dhe nga krimet e rënda". Ministrja Faeser garantoi se "do të bëjmë gjithçka për t'i mbrojtur më mirë njerëzit, në këtë vend".
Gjermania ka vendosur megjithatë që prej një viti kontrolle në kufijtë tokësorë: me Poloninë, Çekinë, Austrinë dhe Zvicrën. Me rezultat: 30.000 vetë, që donin të hynin ilegalisht prej andej në Gjermani, janë kthyer pas këtë vit, tha ministrja e Brendshme gjermane. Ata qenë persona pa dokumenta: ose i kishin falsifikuar ose nuk kishin vizë apo leje qëndrimi për në Gjermani.
Tani, Gjermania i shton kontrollet edhe në kufijtë me Francën, me Holandën, me Belgjikën, me Luksemburgun dhe me Danimarkën.
SA PERSONA APLIKOJNË AKTUALISHT PËR AZIL NË GJERMANI?
Me masat që janë marrë në Gjermani, shifrat janë në rënie. 18.427 vetë aplikuan për azil vetëm në gushtin e kaluar. Në të njëjtën periudhë, vjet qenë mbi 27 mijë vetë.
Strehimoret për refugjatë e azilkërkues janë 50% të mbushura, tha ministrja Faeser. Ndaj nuk justifikohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në kufi, si kërkon opozita.
ATENTATET SI KTHESA NË QËNDRIMIN E GJERMANËVE
Kancelari Scholz ndodhet megjithatë nën presion publik për ta kontrolluar më mirë imigrimin, që pas atentatit në Solingen në 24 gusht, ku një person i dyshuar si anëtar i Shtetit Islamik vrau me thikë tre vetë e plagosi shumë të tjerë.
Pas kësaj, qeveria miratoi një paketë masash, me të cilat shkurton shërbimet për azilkërkues që duhet të kthehen pas, ndalon mbajtjen e thikave në aktivitete publike dhe i lejon policisë të përdorë software për dallimin e fytyrave.
Kujtojmë se qëndrimi i hapur i gjermanëve ndaj refugjatëve ndryshoi pikërisht pas një atentati: atij në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, në vitin 2016. Sot, dy të tretat e njerëzve në Gjermani duan kufizim të migrimit të parregullt.
PRESIONI PUBLIK DHE SUKSESET NË LINDJE TË AFD
Opinioni publik që mbështet kufizimin e migrimit të parregullt, shfrytëzohet me sukses, si nga ultra e djathta AFD, ashtu edhe opozita CDU/CSU. Ato e kanë vënë nën presion qeverinë. Imigrimi, shtimi i krimeve nga të huajt dhe terrori islamik qenë temat me të cilat i fitoi zgjedhjet në Tyringi AFD-ja dhe në Saksoni doli e dyta.
Opozita CDU/CSU pasi deklaroi se "Gjermania kërcënon t’i rrëshkasë për duarsh” qeverisë, kërkoi nga qeveria një vendim të detyrueshëm për kthime masive imigrantësh dhe azilkërkuesish në kufi. Për këtë opozita i kërkoi një plan ministres së Brendshme dhe që Bundestagu të merrej me këto vendime që këtë javë.
Por qeveria gjermane Socialdemokrate-E Gjelbër-Liberale nuk i pranoi këto ultimatume. Qeveria nuk pranoi as kërkesën e CDU/CSU për të kthyer për tre muaj pas çdo lloj refugjati që vjen në kufirin gjerman. Ndaj dështoi një marrëveshje me opozitën për këtë temë.
Thelbi i masave të marra tani, është përshpejtimi i masave ekzistuese. Dhe shfrytëzimi i parakohshëm i disa masave evropiane, që në BE hyjnë në fuqi pas dy vjetësh.
© Auron Dodi - DW Shqip