Andej-Këtej

RREZIKU MË I MADH – PADIJA

Nga: Ardian Vehbiu

Kam frikë se ka konfuzion të madh, të shkaktuar nga mediat, për shëndetin e rrezikuar nga produktet bujqësore të trajtuara kimikisht.

Produktet bimore që përdorim për ushqim mund të trajtohen me gjithfarë kimikatesh: plehra kimike, pesticide dhe hormone bimore (që rregullojnë rritjen, etj.).

Asnjë nga këto produkte nuk është absolutisht i padëmshëm për shëndetin, por mes tyre ka diferenca të mëdha.

Veçanërisht është folur kohët e fundit për hormonet bimore, të cilat ndikojnë në shpejtësinë e rritjes dhe të pjekjes.

Ndonjëherë këto alarme i amplifikojnë me fotografi frutash të përçudnuara.

Unë NUK JAM EKSPERT I FUSHËS, por gjithnjë bëj kujdes dhe informohem mirë për çfarë fut në gojë. Prandaj habitem sa herë që lexoj për “tmerret” që shkaktokan hormonet bimore.

Pa çka se këto të fundit konsiderohen nga ekspertët si relativisht TË PADËMSHME (kushedi më pak të dëmshme se edhe plastika e shisheve të ujit).

Përkundrazi, pesticidet (insekticidet, herbicidet, fungicidet) janë helme dhe kanë efekte negative të njohura mirë.

Edhe më negative për ne njerëzit, në afat të gjatë, janë efektet e antibiotikëve që përdoren gjerësisht në blegtori.

Pa folur për mikotoksinat (si aflatoksina) që përmban mielli i pakontrolluar ose i prodhuar nga drithë që është ruajtur në kushte jashtë standardit.

Një specialist do të mund t’i sqaronte këto shumë lehtë, për publikun. Mirëpo specialistët zgjedhin të mos flasin, sepse nuk duan të trazojnë ujërat.

Jo-specialistëve u mbetet të informohen duke lexuar në Internet dhe TË MOS U BESOJNË budallallëqeve histerike që lexojnë në mediat shqip.

Alarmi për hormonet bimore zhvendos vëmendjen edhe nga çfarë duhej të ishte shqetësimi kryesor për produktet bimore dhe në përgjithësi për ushqimin që marrim dhe ujin e pijshëm: ndotja e mjedisit (ajrit, ujit, dheut) dhe higjiena.

Tagged under Ardian Vehbiu