Myrto dhe nipi nga Anglia - Nga Gëzim Zilja
- Published in Andej-Këtej
Para tre vitesh kam shkruar për komshiun dhe mikun tim Myrton. Pinim bashkë kafen e mëngjesit dhe ndonjë raki “të bërë vetë”, siç thoshte kamerieri. Është ai Myrtua që i erdhi djali pas dhjetë vitesh nga Anglia me gruan dhe fëmijën dy vjeç; ndenji tetë ditë, por nuk shkoi as për vizitë te shtëpia e të atit, që ishte ende me mobiliet e kohës së diktaturës. Dy gjëra i ngelën peng Myrtos atë kohë: Nusja nga fshtarat e Fierit (Laleshka thoshte gjithë mllef) që nuk e la as ta prekte me dorë nipin e vogël dhe ato njëqind eurot, që ia dha fshehtas plakës i biri. Ishte bërë bishë nga zemërimi dhe i ishte betuar së shoqes: -Po e kape me dorë atë “qinçe” do të ndjek nga shtëpia!- Me sa më kishte thënë “qinçja” e euros ishte ende, pas tre vitesh mbi komodinë. E shoqja kur fshinte pluhurat e merrte e rrotullonte nëpër duar dhe e linte sërish atje duke murmuritur: - Nuk kam nge tani në pleqëri të merrem me këtë “të çmendurin’ që kam për burrë.- Këtë vit, te “Da Capo,” ku sërish po gjerbja me nge kafen, dikush më kapi nga mbrapa dhe më mbylli sytë me duar
-Gjeje, gjeje kush jam ,- thoshte duke qeshur.
-Ah, presor, ike dhe ti. Ke filluar të çedosh, - tha më zë të lartë duke qeshur me të madhe.
-Je Myrtua. Të gjeta! - thirra nga qejfi, pasi e dallova nga e qeshura. U përqafuam me mall dhe u ulëm. Kishte ndryshuar shumë dhe kjo më gëzoi. Pantallonat dhe shapkat dhuratë nga Kryqi i Kuq nuk i kishte më. Më vonë vura re se çdo katër-pesë ditë ndërronte rrobat dhe pantallonat e shkurtëra, që i rrinin fare mirë në trupin e tij ende robust të një sportisti të dikurshëm. Atletet e kuqe firmato, nuk i hiqte kurrë nga këmba dhe përsëriste:
-Më tha djali se më shkojnë të kuqe, pa për mua le të ishin të çdo lloj boje. - E bënte llogarinë si dikur për të më gjetur si rastësisht por jo gjithmonë më linte të paguaja kafen dhe atë teken e vockël si dikur, që ia donte shpirti sabah-sabah. -Mos na nënveftëso dhe neve, - thoshte, dhe shtonte gjoja i mërzitur, - Të pasur nuk jemi xhanëm, po ja, ca lekë për të paguar kafen i kemi sa për të mos u turpëruar me shokët e miqtë. - Gjatë gjithë kohës që bënim muhabet një djalë i vogël rreth 4-5 vjeç nuk i ndahej duke e mbajtur nga dora. I bëra shenjë nga vogëlushi që po më shihte gjithë kureshtje.
-Është nipi im po nuk di shqip,- Ka nja dy javë që e kam prurë këtu në Shqipëri dhe e mbaj unë me plakën.
-Nuk të kuptoj!
-Po ç’do kuptosh o komandant? Nuk kishin si ta mbanin se im bir punonte larg dhe vinte vetëm fundjavave në shtëpi. Laleshka, e ëma, punonte në një byrektore te disa kuksianë gjithmonë turni i tretë. E merrte në dy të natës dhe e linte turnin në dhjetë të mëngjesit. Kur kthehej nga puna e zinte gjumi sa hapte derën. Lere mos e nga, si ajo punë. Erdhi vetë djali që na mori se unë asnjë fjalë anglisht nuk di. Na thirrën me plakën gjoja si turistë por shpejt e kuptova që puna ishte te nipi. Më erdhi keq dhe thashë të rrimë ca e t’i ndihmojmë. Po ky i uruar nuk dinte asnjë fjalë shqip, se Laleshka nuk do që të mësojë shqip: -Ka nënshtetësi angleze! - thoshte. Pas tre muaj burg në shtëpi, se burg ishte për mua, i thashë plakës: -Ti po deshe rri, unë të do iki! Erdhi dhe ajo e shkreta me mua. Na vinte keq për nipin po nuk ishte për ne Anglia. U bëra derr. Më mori malli për gurët e drurët si i thonë një llafi. Po deshe më beso por e kam puthur njëqind herë atë derën shtrëmbaluqe prej llamarine të oborrit të shtëpisë. Kur i hoqa shulin dhe e lëviza, krikëllitja e menteshave të ndryshkura mu duk si muzikë. Qava kur hyra brenda. Jo ore byrazer nuk ka si vendi yt, si toka jote. Ore më mori malli edhe për ferrat e baçës, që kam dyzet vjet, i shkul e ato sërish mbijnë. E vetmja zgjidhje ishte të merrnim djalin me vete në Shqipëri. Kënaqet i varfëri, e vjen pas meje e pas plakës si manar. Më ka pjellë belaja se nuk di shqip dhe kalamajtë e lagjes nuk kanë lënë fjalë të pista pa ia mësuar. Bela e madhe për zotin! Ca fjalë i ka mësuar. Ajo Laleshka (me atë e kishte gjithë mllefin, jo me të birin) që ka shkuar me një fustan e një palë brekë në Angli, le të plasë po të dojë. Edhe një strofë nga vjersha e Naimi Frashërit, ia kam mësuar.
-O Klevis, hajde këtu afër të keqen gjyshi! Thuaja atë vjershën që të kam mësuar, këtij shokut tim. - Djali u step pak pastaj filloi me një shqipe të ngatërruar:
-Mëmël(dhe) quhet toka
- Ku më ka l(r)ënurë koka
-Ku kam dashur mëmë e atë
-Ku më njeh dhe gul(r) i thatë!
Sapo mbaroi mori frymë thellë dhe pa Myrton gjithë krenari.
-E shikon o kamandant? Ia kam mësuar vetë një për një. O e bëj shqiptar unë këtë, o mos më thënçin Myrto!
-E bën ti Myrto, e bën, - i thashë. -Ti e do vendin tënd dhe këtë Skelën tonë të dashur.
-Skela ka qenë më përpara, tani këtu nuk e merr vesh qeni të zontin. Le që beton i gjallë nga do të hedhësh sytë. Shyqyr kemi detin e çmallemi me të.
-Të të bëj një vërejtje të vogël o Myrto, po aman mos të të ngelet qejfi!
-Nga ty? Për kokën tënde o presor, ç’është ai llaf?
-Ajo vjersha shumë e bukur që recitoi nipi nuk është e Naim Frashërit, por e Çajupit. Pastaj djali nuk ka lindur në Shqipëri. Mësoja tët biri atë. Gjej ndonjë vjershë tjetër të shkurtër për gjuhën shqipe, nga Naim Frashëri.
-Më hape punë tani. Do më japësh kohë një javë dhe të shikosh se çfarë kam për t’i mësuar. - Një javë më vonë atje në një cep të Kulaçit (rrethrrotullimit) të Skelës, te kafeneja e zakonshme, Myrtua kishte kohë që më priste. Kishte veshur këmishë me mëngë të shkurtra, me një palmë jeshile në gjoks dhe lule shmëngjyrëshe anash, pantallona ngjyrë tulle gjithë xhepa dhe atletet e kuqe, dhurata nga i biri.
-Po hajde o presor se na thave sytë! Kemi gjithë mëngjesin që presim. Nipi do të të thotë vjershën e Naimit.
-Në dhjetë e gjysmë e lamë! Mos më nxirr bojën para nipit,- ia ktheva po me shaka. Sapo unë u ula nipi me qëndrim gatitu filloi:
Gjuhën e mëmëdheut mëso!
Ajo mund të të ndritonjë.
Edhe të tjera ti këndo!
Po atë ta kesh për zonjë.
Sapo vogëlushi mbaroi vjershën e rroka fort, e putha në faqe, dhe i thashë i përlotur: -Bravo Klevis, të lumtë! Je një shqiptar i vërtetë dhe gjyshi jot është patrioti më i madh në të gjithë Skelën. - Myrtos iu bë qejfi sa nuk thuhet dhe murmuriti i lumtur:
-Po ja o presor përpiqem me aq sa di. Unë nuk kam bërë shkollë të madhe, po Klevisi nuk ka për të shkuar në Angli pa mësuar të flasë shqip. Djalin e kam vënë në be: Nëse nuk flisni vetëm shqip me nipin, mos më shkelni në shtëpi, ti dhe ajo Laleshka jote, që përmirte në majë të gjëmbit kur erdhët në Shqipëri. E pashë me sytë e mi: Kurrizi i dilte në byrektore, atje në Londër. - Ciku gotën e rakisë me timen dhe përfundoi: Hajde se më mirë do bëhet! Po ja do vuajmë edhe ca kohë se me ç’duken bathët…
© Gëzim Zilja



