Andej-Këtej

Një zgjidhje shqiptare për Evropën - Nga Thoma Gëllçi

Evropa qenka në hall: nuk i merr dot vendimet aq shpejt sa i merr Kina, Rusia dhe së fundmi edhe SHBA. Vonohet në vendimmarrje. Jo aq sa zviceranët, që çdo ligj e kalojnë me referendum dhe humbasin kohë me zgjedhje çdo të dielë, por gjithsesi duhet më tepër operativitet. Sepse ja, shikoni Zvicrën si është katandisur. Askush në botë nuk e di se kush është kryeministër i Zvicrës dhe askush nuk e di nëse ka president apo jo, dhe punët i shkojnë për mjerim. Ka mbetur në pikë të hallit. Dhe kush është ilaçi? Vendimet më të mira merren nga një njeri i vetëm! Ç’janë këto 27 shtete, 27 qeveri, 27 parlamente? Humbje kohe! Shqiptarët e kanë provuar në histori që vendimet e shpejta dhe pa burokraci funksionojnë më mire - qoftë me Ahmet Zogun, Enverin, Sali Berishën apo Edi Ramën.

Historia e botës flet qartë për këtë. Shikoni romakët: patën Senatin, por pastaj kuptuan që më mirë ishte me Cezarin. Francezët bënë revolucion, hoqën mbretin, dhe pas dhjetë vitesh sollën një tjetër - Napoleonin! Edhe rusët, nga Cari te Stalini, kaluan ca kohë në një të ashtuquajtur demokraci dhe tani prapë te Njëshi. Prapë te Cari Putin. Këta i marrin vendimet në dhjetë minuta.

Por le t'i hedhim një sy më shumë Evropës. Italia e Musolinit ishte një eksperiment i shkëlqyer se si Njëshi mund të bëjë gjithçka, nga trenat që shkojnë në kohë te ligjet që firmosen për një pasdite. Spanja e Frankos e mbajti sistemin pa u lodhur me zgjedhje e debate të kota. Gjermania e Hitlerit tregoi se si mund të eliminoheshin burokracitë e lodhshme nëpër procese që zgjasin me vite.

Edhe Trump, si një Njësh që është, i merr vendimet për pesë minuta. Vetëm me një firmë në një urdhër. Por ende ka shumë rrugë për të bërë sepse po e pengon në punën e vet një copë letër që quhet Kushtetutë. Por edhe këtu kemi se çfarë përvoje t’i japim ne shqiptarët, që Kushtetutën e kemi llastik; e bën Njëshi ynë si të dojë.

Ndërsa për Evropën, zgjidhja është që ajo të integrohet në Shqipëri dhe jo e kundërta. Kështu do ta ketë të gatshëm edhe liderin. Dhe sa më shpejt, aq më mirë.

Sepse ndryshe do përfundojmë si Zvicra!

Thoma Gëllçi - SHBA