Papa "i periferive" iku në amshim - Nga Frano Kulli
- Published in Andej-Këtej

- Nga: Frano Kulli
Pa u ulur ende në sedien papale, por, mbasi në konklavën e radhës kishte dalë tymi i bardhë, që jepte lajmin e shugurimit të tij, udhëtimin e parë prej aty Papa Françesku e pati bërë me atë makinën modeste, që përdorte më përpara kur ishte kardinal. Kjo pati sjellë disi habi e pak zhurmë gjithashtu, por edhe një ndalesë në vëmendjen e opinionit botëror. Si diçka e pazakontë, që nuk kishte ngjarë tjetër herë më parë. Por që gjithashtu qe edhe shenja e parë për t'u vënë re se këtu e këndej do të kishim një Papë më liberator, një Papë më pranë thjeshtësisë e më pranë të të thjeshtëve. Një Papë...edhe "të periferive". Sepse vetë Krishtërimi, në gjenezën e vet nuk është i elitave.
Më pas, në kornizën kohore të një viti ai dha kumtin e një vizite; të së parës vizitë në Europë, krejtësisht në periferi të saj. Në periferi jo për nga pozita gjeografike por për tjetër pozitë e përbërës të tjerë... “Dua t’ju kumtoj - do të përmblidhej kumti i tij aso here - që, duke pranuar ftesën e ipeshkvijve dhe autoriteteve civile shqiptare, dëshiroj të shkoj në Tiranë më datë 21 shtator 2014. Me këtë udhëtim të shkurtër dëshiroj të përforcoj në besim Kishën në Shqipëri e të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës”, pati deklaruar deklaruar Papa.
Si e tillë, kjo nuk kishte për të qenë vetëm një vizitë pastorale (baritore), ndër katolikët e në kishën shqiptare. Pa mëdyshje ishte më e rëndësishmja vizitë e bërë në këtë vend nga ndonjë personalitet tjetër botëror në harkun kohor të 21 vjetëve, pas vizitës së Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993. Po ne, të familjarizuar edhe me këtë mishmash allashqiptar, ku hierarkia e vlerave dhe e gjërave dhe, për rrjedhojë, edhe dukja, shpërfaqja e tyre është përgjithësisht e rrëmujshme, e patëm përcjellë si gati të zakonëshme ngjarjen kulmore.
Veçanërisht establishmenti politik e publik i këtij vendi. Kurse ipeshkvijtë dhe autoritetet kishtare, sigurisht ishin duke bërë detyrat e veta, ata më së shumti komunikonin me grigjën e besimtarëve katolikë ashtu siç ua do rendi më strikt i misionit të tyre, në rastin e një udhëtimi apostolik që Ati i Shenjtë do të bënte në Kishën tonë dhe më pak po komunikonin me publikun përtej kësaj grigje. Kurse Mesazhi i Papa Françeskut ishte fare i zgaqur dhe nuk linte aspak vend për të bërë diçka të tillë.
Ai po vinte në Shqipëri për “të përforcuar në besim Kishën në Shqipëri…” por edhe për të “dëshmuar inkurajimin dhe dashurinë e tij ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë…”. Ja cilat janë dy motivet kryesore pse Ai vinte në Shqipëri. Në Shqipërinë së cilës pa dyshim edhe Ati i Shenjtë i njihte dhe ia çmonte shumë, si një vlerë të spikatur qytetërimi, bashkëjetesën ndërmjet tri besimeve që mbajnë shqiptarët... Krenaria dhe mburrja jonë, ndër të mburrjet e pakta të arsyeshme.
Ai do të vinte për shqiptarët, besimi i të cilëve kishte nevojë ende për ripërtëritje, të cilët janë të zhgënjyer me ritmet e ecjes dhe në nevojë për të ringjallur shpresën, të dëmtuar edhe prej pasojave të ideologjisë së shkuar komuniste, po edhe prej reminishencave të saj po e po. Prej Tij, pastaj ne shqiptarët kemi Të Lumë 40 Martirët tanë, në tempullin e përbotshëm të Kishës. Shumica prelatë të kishës, por edhe laikë e besimtarë të feve të tjera. Një dhuratë plot hire për ne.
2.
Më pas, i gjithë pontifikati i tij, e gjithë koha e veprimi i tij Papal, do të ndiqte trajektoren drejt thelbit të rëndesave botërore, në gjetjen e kauzave që e zbusin egërsinë e jetës së njerëzisë e të popujve. Ishte i pari Papë që vinte nga urdhëri jezuit dhe mori emrin Françesku, pa numër rendor, emrin e Shenjtit simbol të të varfërve e të pamundurve, i pari Papë që vendosi të mos jetojë në pallatin apostolik; theu shpesh rregullin po kurrë shpirtin dhe përballoi për këtë, me urti e dinjitetin e Shenjtërisë së Tij edhe kundërshti të shumëandejshme . Ishte i pari Papë që vizitoi vende, në të cilat kurrë nuk kishte shkelur një Papë, nga Iraku në Korsika; qe i pari Papë, që vendosi një deklaratë vëllazërie me një nga autoritetet më të mëdha islame, e fshiu dënimin me vdekje nga Katekizmi.
E jetoi kohën e Shenjtërisë së vet në një botë të trazuar, me luftra të mëdha e të vogla nga cepi në cep të botës dhe numërohen mbi 300 apele kundër luftës e po kaq thirrje të zëshme për paqen, gjithashtu. U gjënd pranë emigrantëve e mbrojtjes së kauzave të tyre, më përshpirtërinë e vet të dallueshme; proverbiale do të mbetet sentenca e përsëritur e Tij: siamo i figli di emigranti. Gjithnjë e pa u ndalë për asnjë çast udhëhoqi shëmbëlltyrën e një kishe të hapur, një kishe nënë të besimtarëve, përtej një kishe "të lodhur në Europën e Amerikën e mirëqenies".
Dhe, mbasi ai u nis e shkoi në Shtëpinë e Atit Qiellor, gjejmë testamentin e tij. Edhe këtu, i rrallë e i dallueshëm në kauzën e vet të të thjeshtësisë apostolike... Ka porositur që trupi të vendoset në një arkivol të thjeshtë. Ka porositur, gjithashtu që të mos varroset në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në bazilikën e Santa Maria Maggiore. Gjë që nuk ka ndodhur prej më se një shekulli. Dhe... mbi varrin e tij duhet të shkruhet vetëm emri: Franciscus.
© Frano Kulli
Foto: Keystone