Motrat nuk u panë kurrë më! - Nga Mehmet Elezi
- Published in Andej-Këtej

Në gusht 1970, pasi morëm leje me shkrim nga dega e punëve të brendshme, një lloj “vize” për zonën kufitare, patëm dalë në bjeshkë, me Nanën. Në Rupa, sa me u çmallë dy-tri ditë. Isha student.
Prej vitesh fshatarët s’kishin gjë të gjallë, gjithçka qe kolektivizuar, nuk dilte kush me verue në stane dhe nuk jepej leje me dalë, përveç barinjve të kooperativës dhe gjeologëve me çadra. Ne kishim një kushëri çoban me delet e kooperativës. Bujtëm tek ai. Ndenjëm deri vonë në oborr të stanit, duke kundruar thepat prej bore të kaltër dhe yjet e mëdhenj si zjarre, që dridheshin, aq afër MOTRAT sa mund t’i mbërrije me dorë. Zhurma e ujvarave qe mekur, qe fundvere. Pishnaja përballë frymonte pa u ndier. Dhentë dihatnin duke u ripërtypur.
Të nesërmen u ulëm pak në Qafë të Gjarpnit, skaj Kungjit të Armëve. Frynte ftohtimë, bari fishkëllonte.
- Qe, atje!, shqiptoi Nana.
Zëri iu pështjellua. Ia ndjeva lëmshin në fyt.
Përkundrejt naltohej një majë, atje qe posta kufitare verore e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Nën të kullotat thuajse të shkreta dhe shpatet me boronica. Më tej pyll i dendur, i errët, pyll dhe prapë pyll. Ashta madhështore e Trokuzit.
- Ai është tymi i stanit të saj, tha Nana. Eh, Motra ime!
Një fjollë e hollë, e bardhë tymi përbironte prej ndonjë stani, praninë e të cilit diku matanë ahishtës vetëm e parafytyronim. Shpërhapej e tretej në qiell.
Atje ishte Trokuzi i Vuthajve, ku bjeshkonte motra e Nanës me djemtë e vet. Matanë kufirit shqiptaro-shqiptar. Motrat kishin tridhjetë vjet pa u parë. Po të mos ishte kufiri, për ndonja një orë, mund të gjindeshim atje.
U ula e shkrova në një copë letër:
MOTRAT
Nji shami e bardhë tymi mbi ashtë të Trokuzit çohet
Prej votrës së stanit.
Kaq
Të nisi Motra jote.
Vetëm pak kilometra
Prej saj të ndajnë tashti
Aq javë do letra jote te Motra me mbërri.
Aq dhjetëvjeçarë keni pa u pa me sy!
Nga kodra që e shndrit dielli, ku bari asht kositë
Se si vjen zhurma e erës nëpër piramidë!
Në gropat e përroit
Me një shami në fyt
Erën
Dikush po e mbyt!
Këtë përjetim njerëzor pa kurrfarë faji, që më kish rrjedhur gegnisht (me 28 gusht 1970, te Kungji i Armëve, dy mijë e sa metra mbi det), nuk mund ta botoja në asnjë gazetë. As që guxoja me ia kallëzue kujt. Vetëm vonë, pas përmbysjes së komunizmit, në fillim të viteve nëntëdhjetë, e përfshina në njërën prej përmbledhjeve me poezi. Më fort për nostalgji.
Nana dhe e motra s’u panë kurrë më!
© Mehmet Elezi (nga libri “Nuk isha student i dhjetorit”, botim i dytë i plotësuar)