Andej-Këtej

Mafiopolitika e pasluftës dhe abuzimi me vlerat kombëtare

Nga: Fatos Aliu

Ashtu siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës vlerë madhore e kombit tonë, edhe luftëtarët e lirisë ishin vlera kombëtare, dhe natyrisht, ashtu kuptoheshin e trajtoheshin nga populli, që në fillet e shfaqjes së kësaj shprese për lirinë e të cilit dhe të atdheut u bënë shumë sakrifica brez pas brezi dhe që më në fund, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, po jepnin fryte konkrete për lirinë e Kosovës, të kombit shqiptar dhe trojeve të tij në përgjithësi.

Fatkeqësisht, shpejt dhe menjëherë pas përfundimit tê luftës dhe çarmatosjes absurde të UÇK, ndodhën shumë veprime zhgënjyese, të papritura, pikërisht nga radhët e drejtuesve të saj politikë e ushtarakë, nga të cilët pritej që tani, në paqe, të jenë mbrojtësit kryesorë të popullit, të vlerave e pasurive kombëtare, e jo në të kundërtën, tjetërsues, uzurpues e zhvatës të tyre, dhe atë në bashkëveprim me dorëzgjaturit ish bashkëpunëtorë të regjimeve të kaluara!  

Personalisht, flas edhe nga përvoja ime zhgënjyese e pasluftës - pa hyrë këtu në angazhimet e sakrificat personale e familjare brez pas brezi, pa asnjë interes e përfitim, por me moton e dëshmuar: jap gjithë çka mundem e jo të marr edhe kur mundem - duke qenë në krye të KEK-ut, si themelues kryesor i kësaj korporate - me angazhime jo vetëm profesionale, por kombëtare, në mbrojtje të pavarësisë sonë nga politikat dhe synimet millosheviqiane të kohës - që për një dekadë ishte nën kontrollin ekskluziv e abuzues serb, pa punëtorë shqiptarë - dhe që, pas luftës 1999 kishte mundësi e gjasa të mëdha të ndahej me palēn serbe, si ka ndodhë gjithandej me krijimin e enklavave serbe, po të lejoheshin këto synime e tendenca edhe në KEK, po që ky synim nuk u kaloi, sepse përballë e në ballë nuk kishin as harambashë grabitqarë, as bashkëpunëtorë lakmitarë të shitshēm, po vendosmērinë e përgjegjësinë tradicionale kombëtare për të mos lejuar copëtimin e pasurisë kombëtare nga okupatori fashist - Serbia.

Por ja që fatkeqësisht, kur pritej ta kemi mbështetje krahun mbrojtës nga drejtues, tani të ish - UÇK- së, jo vetëm që mungoi, por, dashje pa dashje u bë krah i misionit të UNMIK-ut, me pretendime banale primitive e absurde individësh harambashë, për kontroll me forma tragjikomike të ndërhyrjeve e pretendimeve banale për interesa klanesh, pasiqë tashmë ishte pranuar, jo vetëm shpërbërja e jo ngritja e ushtrisë mbrojtëse të Kosovës, por as nuk ishte mundësuar krijimi i organeve vendore të sigurisë së pronës publike, kështuqë vendi mbeti në mëshirën shumëkombëshe me shumë interesa, gjë që i konvenoi me të madhe qarqeve pro serbe e atyre përfituese të UNMIK-ut, mision përplot injorantësh, i cili synonte kontrollin me të gjitha format e metodat despotike në emër gjoja të drejtës nga Rezoluta 1244, duke i përvetësuar mjaft kuadro menaxherësh mjeranë të pa identitet e peshë kombëtare, po me ambicie të shfrenuar, servilë e karrieristë mercenarësh - grabitqarë brenda e jashtë kësaj ndërmarrje, duke krijuar kështu rrethana për subordinimin e këtij sektori jetik për Kosovën atij të Serbisë, i cili vazhdon të vuajë sot e kësaj dite, koston e të cilit e paguan popullata 95% shqiptare e Kosovës, si përmes çmimit të tregut, edhe për faturat e veriut të ndarë, të enklavizuar e të serbizuar sipas skenarit të pasluftës!

Çfarë mbetet të thuhet tjetër për këto sjellje, pasojat e të cilave po i vuajmë kolektivisht si shoqëri e komb: ishin më shumë ca harambashë të pagdhendur që i solli anarkia dhe mjerimi, qoftë nga mungesa e organizimit dhe elitës intelektuale kombëtare në ballë të lëvizjeve tona çlirimtare, apo e infiltrimit të mercenarëve shqipfolës në këto lëvizje nga agjenturat e huaja, ato pansllaviste të Serbisë e djallit të mallkuar!?

Pra, mjerimi dhe idiotizmi s’ka kufi, si edhe prepotenca e fodullëku primitiv, kur merret si trimëri, ndërsa respekti dhe mirënjohja për kontributet e vlerat patriotike nga populli i shkelur merret si dobësi, mundësi e synim për abuzim, mënyra më tragjike dhe poshtëtuese e riciklimit të së keqes, e kthimit në të kaluarën e robërisë, esencialisht të njejtë, dalluese vetëm në formë e metoda!

Tagged under Fatos Aliu