Andej-Këtej

Faik Konica: Gjykimin e popullit s’munt t'a ndalojë klika!

Për të ndritur Popullin dhe për të stërvitur gjykimin e tij në shesh të politikës, kam folur për aktorët e lodrës shqipëtare me liri dhe me paanësi, ashtu siç më ka prerë mëndja dhe siç më ka thënë ndërgjegjja. Një mij’ zëre në Shqipëri m’u-përgjigjnë që kam të drejtë dhe që punët janë edhe më keq se sa i kam përshkruar, njerëzit edhe më të fëlliqur se sa më janë dukur. Po fajtorëve pënda ime nuk u pëlqen shumë. A është për të çuditur? Cilit kusar i pëlqen t’i mbajnë dorën kur përpiqet të çpojë një arkë? Cilit leproz i k’ënda t’i heqësh maskën e hieshme që i mbulon faqet dhe të nxjersh në shesh turit’ e tij të çara me plagë dhe të lyera me qelb?

Fajtorët, me shpresë që të pakësojnë rëndësin’ e krimeve që bëjnë, kanë lëshuar zagarët e tyre pas kurrizit t’im: kemi patur rastin të qeshim me lehjet dhe jargët e këtyre kafshëve. Ç’duan të provojnë sodomitët dhe hajdutët e Tiranës? që jam njeri i keq? Po s’do fjalë që në sy të tyre jam njeriu më i keq i botës. Fjala është: në sy të Perëndisë dhe të ndërgjegjjes s’ime vallë si jam? Kush munt t’i thellojë ato mistere? Ndërgjegjja munt të më thotë që jam një farë shënjti: se jam munduar kurdoherë të bëj të mirën; se i kam shërbyer Popullit me sa kam mundur; se s’kam hezituar kurrë në mes të detyrës e t’ interesës; dhe në kam bërë lajthime, nuk i kam bërë kurrë me të dashur po jam gënjyer nga rasti. Në sy të Perëndisë, munt të mos jem as ëngjëll as djall, po një njeri me vullnet të mirë. Sa Shqipëtarë vallë hyjnë në këtë kategori?

Po dua t’i mpraps të gjitha këto si fantasira të një njeriu që i pëlqen vetia dhe mburet më kot. Ejani pra të thomi se gjithë çpifjet e desinteresuara t’armiqve të Popullit janë të drejta; le të thomi, për hirën e argumentit, që jam edhe më tepër i keq se sa më pikturojnë ata njerës: Si munt ligësia ime të pakësojë, qoftë një drehem, rëndësin’ e fakteve që peshojnë kundrë kriminalëve të Sodomës së Re?

Faktet janë fakte. Çfry, ulëri, hith këlbaza, qesh, qaj, përkëdhel, gris, vrit botën, vrit veten, - faktet, të thata dhe të ftohta, s’luajnë nga vëndi dhe mbeten FAKTE.

A është fakt, po apo jo, që shumica e njerësve që kanë sot punët e Shqipërisë në dorë, kanë vrarë, kanë grabitur dhe kanë tradhëtuar?

A është fakt, po apo jo, që zanatin e tyre si vrasës, hajdutë, dhe spiunë, e vazhdojnë me forcë të re që kur rrëmbyen Guvernën?

A është fakt, po apo jo, që çdo ministër ka lidhje të fshehtë dhe kriminale me një mbretëri fqinje?

A është fakt, po apo jo, që sëmundja e fëlliqur e Sodomisë u-përhap dhe dolli sheshit nënë “guvernën” e tanishme, që praktikohet nënë hie të “guvernës”, dhe që të huajve kjo gjëndje u-bën përshtypjen më të tmeruar?

A është fakt, po apo jo, që “guverna” e sotme është e themeluar mi sistemin e iftirahut, të spiunllëkut, të rushfetit dhe të pusisë?

A është fakt, po apo jo, që shumica e proprietarëve të dheut në Shqipëri i kanë grabitur dherat që kanë ose nga fshatarët ose nga Shteti, dhe që bujqët përdoren si bagëti e janë bërë gjysmë-njerës të verdhë e të shtrëmbër nga rojtja e keqe?

A është fakt, po apo jo, që ky sistem skllavërie jo vetëm mprohet nga “guverna”, po njerëzit dhe miqt’ e “guvernës” e zgjerojnë për ditë duke kallur nënë zgjedhë edhe fshatëra që gjer më sot nuk ishin çiflik?

A është fakt, po apo jo, që Populli s’ka as bukë as punë, dhe që “guverna” jo vetëm nuk i përkrah fshatarët po u thëthin gjakun me hua me zor, me takse dhe me grabitje?

Në qoftë se këto janë ose s’janë fakte, Populli i Shqipërisë e di shumë mirë. Dhe gjykimin e tij s’munt t’a ndalojnë as klika e Sodomës së Re, as nonjë fuqi në botë.

“Dielli”, 8 nëntor 1922

Tagged under Faik Konica