Takim në Vatikan për abuzimet seksuale
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Arben Kallamata

Sot në Vatikan Papa Francesko çeli takimin e nivelit të lartë të Kishës Katolike për abuzimet seksuale. I propaganduar nga Selia e Shenjtë si forum për t’i mësuar drejtuesit e fesë si të parandalojnë skandalet seksuale, takimi ka ngjallur mosbesim, veçanërisht te mijëra të abuzuarit dhe familjet e tyre që janë të bindur se ai s’është gjë tjetër veçse një spektakël publicistik.
Abuzimet seksuale të priftërinjve katolikë shtrihen gjeografikisht që nga Irlanda në Australi, nga India në SHBA, Meksikë, Argjentinë, Brazil, praktikisht në të gjitha pikat e globit ku ushtrohet ndikimi i katolicizmit. Ata kanë përfshirë priftërinj të thjeshtë, peshkopë dhe kardinalë dhe kanë shkatërruar jetët e mijëra e mijëra njerëzve, djem e vajza të përdhunuara nga priftërinjtë, pa kursyer murgeshat e keqtrajtuara sistematikisht si skllave seksi.
Këto tridhjetë vjetët e fundit, kisha ka vazhduar të njëjtën praktikë të ndjekur që nga krijimi i saj, pra mbulimin e skandaleve, duke iu mbyllur gojën ankuesve dhe shmangur dënimet për priftërinjtë abuzues. Abuzuesit seksualë të cilëve iu plaste skandali transferoheshin në vende të tjera pa iu hyrë gjemb në këmbë - duke iu krijuar mundësi t’i vazhdonin perversitetet e tyre në mjedise të reja, por pa prekur namin e kishës. Mirëpo këto tridhjetë vjetët e fundit denoncimet kanë qënë aq të guximshme dhe aq të shpeshta, presioni nga publiku i gjerë duke përfshirë edhe besimtarët katolikë ka qënë aq i fortë saqë Vatikanë është detyruar ta pranojë publikisht krizën.
Sot, në ditën e parë të takimit krerët e kishës dëgjuan pesë dëshmi të regjistruara nga viktimat që flisnin për traumën e pësuar nga abuzimi dhe për vuajtjet e shkaktuara nga indiferenca e hierarkisë së kishës. Një grua nga Afrika tregoi se si një prift kishte filluar ta përdhunonte që në moshën 15 vjeç dhe se si më vonë, gjatë 13 vjetëve e kishte detyruar tre herë të abortonte. Ndërsa një dëshmitar nga Kili dëshmoi se Kisha i kishte shkaktuar më shumë dhimbje me përpjekjet për t’i mbyllur gojën dhe me mbrojtjen që i bënte priftërinjve të akuzuar, se sa me vetë përdhunimet.
A do sjellë ndonjë ndryshim takimi i Vatikanit? As vetë krerët e Kishës nuk guxojnë të thonë po. Aq më tepër që qysh sot Papa Francesko i quajti ata që akuzojnë vazhdimisht Kishën “shokë, kushërinj dhe të afërm të Djallit”. Me një fjalë, nëqoftëse do të jesh shok, kushëri dhe i afërm i Zotit duhet ta mbash gojën mbyllur dhe t’i lësh priftërinjtë katolikë të bëjnë ç’të duan.

Në foto është ish-Kardinali Theodore Edgar McCarrick, ish-Kryepeshkop i Uashington, D.C., ish-Kryepeshkop i Newarkut, i cili u zhvesh nga roba e priftit javën e shkuar për shkak të abuzimeve seksuale me fëmijët. Kardinali është 88 vjeç, ka dale në pension që në 2006 dhe heqja e rrobës nuk do t’i shkaktojë asnjë ndryshim në jetë. Pavarësisht masës “ndëshkimore”, ai mbetet përjetë prift i Kishës Katolike.



