Piktori që pikturoi Çurçillin - Nga Vangjush Ziko
- Published in Andej-Këtej
Kujtimit të piktorit Dhimitri Llazar Ziko, diplomuar në Akademinë e Arteve të Athinës në vitet dyzet të shekullit të kaluar, emigruar në Francë.
Piktori, një burrë i pashëm dhe i qeshur, në moshën dyzetvjeçare, hyri në studion e tij, në atelienë plot dritë, hoqi beretën, veshi rrobën e punës, ku kishin mbetur njollat e ndryshme të paletës, që formonin ngjyrat e ylberit. Ai mori penelin dhe palitrën, qëndroi përpara pëlhurës së tendosur në kavalet, e vështroi me kujdes portretin që kishte skicuar lehtë.
-Fillojmë seancën e re, sër Winston Çurçill! Sot kemi punë me tiparet e fytyrës.
Vështrimi i Çurçillit ishte i përqëndruar dhe zhbirues. Ai shprehte kërshërinë dhe mençurinë karakteristike angleze, Në atë vështrim ndihej krenaria karakteristike e një zotërie anglez dhe një farë mospërfillje.
Dhimitri bëri sikur nuk e vinte re.
Ngjeu penelin në palitër dhe filloi ta retushojë duke zgjedhur ngjyrat dhe tonet, që i dukeshin më të përshtatshme. E bëri më të dukshme rrudhën vertikale në mes të ballit të tij të gjerë midis vetullave, duke theksuar karakterin e fortë dhe të palëkundur të personazhit. Më shumë e munduan rudhat anës buzëve. Buzët e puthitura fort, shprehnin natyrën e tij të vështirë dhe enigmatike. Në to shprehej krenaria, vendosmëria, pse jo edhe hija e një buzëqeshjeje provokuese, që mund të pasohej me një sentencë të mençur apo me ndonjë batutë ironike.
Piktori u detyrua diçka ta fshijë dhe ta pikturojë përsëri gjersa, më në fund, pas disa seancash vendosi penelin e fundit, la ngjyrat më një anë dhe ndezi puron e trashë havajane.
Dhimitri zakonisht, përdorte llullë. Që kur filloi të pikturonte portretin e politikanit anglez e gjersa e mbaroi, ai tymosi vetëm puro të markës që pinte Çurçilli.
E thëthiu me kënaqësi puron dhe shfryu nga goja një shtëllungë tymi të kaltër.
Iu duk sikur i foli portreti:
-Kujdes, piktor, se më tymose zhaqetën!
-Hë! Më fole më në fund, sër! - iu përgjigj piktori.
-Unë do të flas vetëm kur të më shpiesh në ekspozitë. Kur të flasin të tjerët për ty.
-Sër Çurçill, le që më lodhe, por po më bën edhe të flas me vete! - psherëtiu piktori.
Kjo pikturë e kishte lodhur, por edhe e kishte kënaqur.
Dita e ekspozitës erdhi. Ajo u hap në një nga pinakotekat e Parisit. Vizitorët qëndronin gjatë dhe kundronin portretin me ngjyra vaji të Winston Çurçillit. Dukej qartë që piktura i kënaqte me ngjashmërinë dhe me artin e saj. Komisioni vlerësues i ekspozitës, midis veprave të ekspozuara, vlerësoi edhe pikturën e Dhimitrit.
Dhimitri i lumturuar i foli portretit:
-E, sër! Më ke premtuar që do të më flasësh pas ekspozitës.
Ironia dhe qesëndia e vështrimit të portretit kishte kaluar tashi në fytyrën e piktorit. Dhimitri heshtte dhe priste, duke e sfiduar me vështrimin e tij provokues politikanin anglez.
-Prej nga jini,sër? - e pyeti portreti.
-Nga Bezhani!
-Ç’është ky Bezhan?! S'e kam dëgjuar!
-Një fshat shqiptar rrëzë Gramozit.
-Gramozin e kam dëgjuar. Vargmal në Ballkan. Paska njerëz të talentuar.



