Andej-Këtej

Vejusha Kenedi

"Xheki ra nga piedestali" - kështu shkruante gazetarja Liz Smith në një nga artikujt e saj botuar në Nju Jork, në 1967. Vejusha Zhaklinë Kenedi, gruaja më e admiruar në botë për atë kohë, katër vjet pas vrasjes së të shoqit Xhon Kenedit së fundi kishte vendosur të bënte "jetën e saj". Arsyeja ishte Aristotel Onassis. Pasanikut grek i kishte mbetur në mendje Zhaklina që në tetor 1963. Pas vrasjes së të shoqit, presidentit Kenedi, ai kishte fluturuar në SHBA për t'i shprehur asaj ngushellimet e tij dhe që atëhere i kishte mbajtur lidhjet telefonike me të. Onasis i pëlqente të mbante kontakte me gra të bukura e të famshme. Pas shkurorëzimit me gruan e tij të parë, Tinën, në 1959, njihej botërisht lidhja e tij dashurore me Maria Kallas. "Tim vëllai i pëlqen të bëjë dashuri me gra të bukura e të famshme "- shkruante motra e tij Artemisi, -sa më e njohur dhe sa më e famshme aq më shumë e dashuruar prej tij".

Maria Kallas ishte gruaja më e famshme në vendin e saj, por zbehej para figurës se Zhaklinë Kenedit, Xhekit, që në atë kohë  ishte gruaja më e admiruar në botë, dhe Aristotel Onassis ishte përgatitur për ta sakrifikuar Maria Kallasin për Zhaklinën...Ai kishte qenë me  Marian për 8 vjet  rrjesht , por jo  gjithnjë i kishte qëndruar besnik asaj, madje njëherë  i qe dashur t'i blente një varëse prej 1 milion  dollarësh për ta kthyer nga Parisi në Greqi. Në pranverën e vitit 1968, Maria Kallas vuri re që Onassis përfundimisht e kishte mendjen tek vejusha e famshme Kenedi.

Onassis gjykonte se koha për t’u lidhur me Zhaklinën ishte pjekur plotësisht. Xheki. Pas vrasjes së kunatit të saj Robert Kenedit, dëshira e Xhekit për t'u larguar nga Amerika qoftë edhe për ca kohë, pasi i kujtonte atentatin ndaj të shoqit, ishte bërë urgjente. Prirja e saj qe kultura greke. Ajo adhuronte Niko Kazanzaqin dhe pasi kishte pare filmin Zorba, kishte thënë:

"Tani e di se ç'dua të bëj!"

Onassis kishte ushqyer fantazinë e saj me Homerin dhe adhurimin e tij për Odisenë. Si kapiten i anijes Kristina, Onassis njëlloj si Odiseu, kishte lundruar detrat e kishte luftuar me shumë armiq, kishte fituar e përsëri ishte kthyer në Greqinë e tij. Xheki kishte filluar ta shihte Onassis si figure romantike, e jo si pirat apo biznesmen të pamëshirshëm. Onassis nuk shihej me simpati nga familja e Kenedit, por politika nuk i hynte në sy fare Onassis. Në prill të vitit 1967, kur demokracia greke qe përmbysur me puç ushtarak, ai hyri në marëveshje me juntën për përfitime biznesi.

Zhaklinës me vrasjen e kunatit të saj, Bob Kenedit, i cili i kishte qëndruar pranë asaj dhe fëmijëve të saj në ditët e dëshpëruara, iu krijua një boshllëk i madh. U duk qartë se ajo nuk mund të përballonte dy tragjedi. Onassis shfrytëzoi momentin për t'i dhënë dorën vejushës së famshme. Pas vdekjes se Bobit ai erdhi në Amerikë për të qëndruar pranë saj. Martesa e Zhaklinë Kenedit me Aristotel Onassis nuk u pëlqye nga shumëkush, madje miqtë u përpoqën ta bindnin Xhekin të mos e bënte atë martesë. Por në kulmin e dëshpërimit pas atentatit të kunatit, Bobit, të cilin ajo e kishte parashikuar, Xheki ndjente nevojën për mbështetje, për mbështetje e ngushëllim shpirtëror më shumë se sa për paratë e Onassis, siç është komentuar nga disa.

Një faktor tjetër ishte dëshira për të qenë e lirë, e lirë si zog për të fluturuar  ku të dëshironte ajo , e për të mos u parë më si vejushë e një heroi, me sjellje të kushtëzuara për t'iu përmbajtur normave që kërkonte ai status.

 E përktheu Albana Lifschin