Andej-Këtej

Leximi, “arti” i iluminimit të njeriut - Nga Ndue Dedaj

Nga: Ndue Dedaj

Edhe pse hyj ndër predikuesit e leximit, thellë vetes kisha filluar të dyshoja se libri njëherë mirë po ndahej nga lexuesi, në mënyrë të veçantë libri i shkruar. Një ndjesi kjo, besoj e shumëkujt, veçmas e krijuesve. Shkrimtari Rudolf Marku, para do kohësh, në një intervistë për “ExLibris”, thoshte se të shkruash pa pasur lexues është si të vallëzosh në errësirë.

Doemos që nuk do të dëshironim që leximi të rikthehej masivisht (aq sa mund të thuhet kjo fjalë për të lexuarit) për shkak të një agresori që po kërcënon njerëzimin në ekzistencën e vet, siç është Covid-19, por gjithsesi u shkundën raftet e librave nëpër shtëpitë shqiptare dhe jo vetëm. Nuk po mjaftonte televizioni, rrjetet sociale, telefoni, Facebook-u, Instagrami, Skype, për ta rrokur botën së thelli e së largëti, për të ikur e ardhur prej saj, por lypej dhe ai, i hershmi, i pandërruari, i përjetshmi - libri.

Koha kishte treguar se vetëm ai nuk kishte marrë dot “virus” në qindra e mijëra vjet të ekzistencës së tij. Njerëzit më pranë librit, shkrimtarë, botues, mësues letërsie, punonjës bibliotekash etj. filluan të kishin telefonata të shpeshta, se cilët libra mund të lexonin dhe se ku mund t’i blinin. Nuk ishte e rastit, që në masat e para lehtësuese, ishte dhe hapja e librarive, që shpresojmë në të ardhmën të shoqërohet jo si deri tash me gjeste të vogla libërdashje, por me politika qeveritare favorizuese ndaj librit, për të cilat gjithnjë është folur e asnjëherë nuk janë ndërmarrë.

M’u kujtua këto ditë një nga shakatë më absurde që kam dëgjuar qysh herët: “lexoj për të kaluar kohën”. Ky nuk ështe fiks lexuesi që do të donim. Ky është njëfarë shakaxhiu i letërsisë. Sepse kështu i bie që libri të jetë një lodër! Po cili qenka ai që shkruaka “lodra”, që të kalosh kohën ti, o njeri? A thua që të kalojnë kohën njerëzit në plazh i shkruan veprat e tyre: Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri, Gëte, Xhojsi, Migjeni, Kadare dhe gjithë të tjerët?

Një lexues që don me kalue kohën përmes leximit kurrë nuk do ta kuptojë testamentin e Hamletit për me qenë njeri i iluminuar, nuk do ta kuptojë që “I huaji” i Kamysë nuk ishte Mersoi, po ftohtësia dhe paragjykimi i njerëzve rreth tij, se “Idioti” i Dostojevskit nuk ishte princi Mishkin, por suita e mediokërve të Peterburgut të shekullit XIX, se “Procesi” i Kafkës nuk ishte një gjyq kundër një nënpunësi të pafajshëm banke, por padrejtësia e ngritur në sisteme ligjore, se “Ura mbi Drin” e Andriçit nuk është thjeshtë ajo ura e gurtë e Sarajevës, por ura tronditëse mbi të cilën shkelën ballkanasit nga mesjeta e deri në shekullin XX, e kështu me radhë.

Ndaj, them se librat janë qenie me shpirt e me mend e nuk janë sende.