Andej-Këtej

Shoqes sime - Nga Bamir Bebeziqi

Të kam adhuruar shumë. Vite më parë, kam patur dëshire të ndjek rrugën tënde, suksesin tënd, por e kisha të pamundur. Nuk kuptoja përsenë e më vinte rëndë me veten time, që nuk mundja.

Të kam ndjekur më pas, kur u bëre pedagoge universiteti e unë mbeta në vend.

Vitet kaluan, sistemet ndryshuan, unë mora pjesë aktive në ndryshimin e sistemit, ndërsa ti në atë kohë, more bursë studimi për në Francë, në një nga universitetet më të mira në botë, u bëre edhe doktore e shkencave e më pas profesore.

Ti erdhe prej Francës e vazhdove karrierën tënde si profesore në Universitet, duke i dhënë studentëve, shpirtin tënd, dijet e tua e të gjithë të donin e të respektonin.

Unë nuk pata fatin të shkoja për studime pasuniversitare, pasi të drejtat e studimit i ndante ministria e Kulturës, në qeverinë demokratike e nuk i plotësoja kriteret. Nuk qesh i afërt me qeverinë, për të cilën kisha luftuar që të vinte në fuqi.

Ti vazhdove e unë mora rrugën e vështirë të emigracionit. Atë bursën që nuk ma dha qeveria ime, ma dha qeveria kanadeze, e cila pagoi shkollimin tim, shkollim që bëri që edhe unë të ngjisja shkallët e karrierës, shkallë që ngjiten me vështirësi, me djersë, me gjak.

Ti ndërkohe u fute në politikë, ndonëse vonë, e mua më lindi pyetja:

“Përse le profesionin tënd si akademike per t'u marrë me politikë?”

Nuk mundja t’i jepja shpjegim... Ndoshta politikës i bëje nder me figurën tënde, ndoshta me dijet e kulturën tënde e ndryshoje pak, për ta bërë më cilësore.

Me këtë mendje kam qenë, pasi në përfytyrimin tim, ishe ajo studentja e shkëlqyer e kohës sime.

Para disa kohësh, kur pashë disa deklarime të pasurive të politikanëve, midis tyre pashë edhe emrin tënd.

U habita, u revoltova, u zhgënjeva. Nën emrin tënd ishin me dhjetra prona, toka, pasuri, para. Si ishte e mundur, që në një vend të varfër si Shqipëria, të zotëroje kaq shume pasuri?

E unë që punoj, prej më shumë se njëzet vjetësh në emigracion, kam të drejtë të revoltohem.

Shoqja ime, jam rropatur në këtë vend ku pranova të jetoj. Jam çuar në pesë të mëngjesit për të marrë autobusat, në temperaturat e ulta të dimrit kanadez, për të shkuar në punë me duart në vaj e graso, pasi fëmijtë duhej të ushqeheshin.

Kam shkuar në shkollë, me shkëputje e pa shkëputje nga puna, për të plotësuar studimet e dijet e mija, e t’i beja konkuruese në tregun kanadez.

Kam punuar në profesion, e kam shume vite që punoj në nivelin më të lartë të teknologjisë në botë. Kam edhe pagë të mirë, më të mirë se kryeministri yt, kryebankieri yt, kryeprokurori yt, por nuk kam pasurinë që deklaron ti.

Shoqja ime, unë paguaj minimumi 40 mijë dollare në vit vetëm taksa e kam një shtëpi me kredi, që më duhen vite për ta paguar e nje apartament te vogël në Shqipëri, që po i bie suvaja çdo ditë, nga puna pa cilësi e ndërtimit.

Çfarë rroge ke ti shoqja ime? Me çfarë i ke bërë ato dhjetëra pasuri?

Me siguri do më përgjigjesh: “M’i ka bërë burri biznesmen apo kam trashëguar prona.”

Po të ishe në Kanada shoqja ime, duhet të paguaje mijëra dollarë, vetëm taksë pasurie.

Më vjen keq, por nga dita që pashë pasurinë tënde, nuk je me ajo që kam njohur dhe e kam të vështirë të pranoj për shoqe.

©Bamir Bebeziqi