Andej-Këtej

Letër Nuzit, një mikut tim - Nga Bamir Bebeziqi

Bamir Bebeziqi

“I dashur Nuzi, dje shpenzova disa orë në një nga dyqanet e qytetit tim, për të blerë ndonjë dhuratë për mbesën tënde, e cila sapo ka lindur. Doja të blija ndonjë kukull Barbie siç e quajnë dhe vajzat e duan shumë, por nuk po gjeja ndonjë me çmim të arësyeshëm, pasi çmimet ishin megjithmend të kripura.

Duke ecur në dyqan e duke shikuar raftet një nga një, mu kujtua vajza ime kur ishte e vogël e sa herë e fusja në ndonjë dyqan lodrash, sytë i shkonin menjëherë tek Barbie-t. Kur e pyesja se cilën dëshironte, ajo më tregonte me gisht, atë më të shtrenjtën, 60, 70 a me shumë dollarë, por xhepi im ishte shumë i vogël e nuk mund ta blinte aq të shtrenjtë. Unë i thoja: “Kjo kukulla këtu është më e bukura” e vajza nuk thoshte gjë e unë e blija. Ishin kukulla, që kushtonin vetëm 7, 8 dollarë. E kështu u rrit vajza, me asisoj kukullash, deri sa erdhi dita, që kukullat ti përkisnin, vetëm të shkuarës.

I dashur Nuzi, unë megjithmend jam emigrant e kam një punë të mirë, por se si më erdhi të harxhoj shume para për një kukull, tek e fundit vajza nuk do të luajë me të më shumë se një muaj, prandaj e bleva një të lirë, vetëm 10 dollarë e bashkë me pakon, kartolinën e postën u bënë afërsisht 30. Sot në mëngjes, duke lexuar lajmet e gazetave shqiptare, lexova diçka që më mërziti e prandaj po të nis këtë letër.

Lexova se djali yt Besi, i cili sot është bërë figurë e njohur, prej gëzimit që ishte bërë me vajzë, kishte blerë për të një karrocë bebesh plot 400 dollarë e mua më vjen shumë turp, qe mbesa jote, në atë karrocë aq të shtrenjtë, të ketë në jastek Barbie-n 10 dollarëshe që unë bleva, prandaj të lutem, kur të vije pakoja ime ne postë, mos ia trego Besit, pasi mund të ofendohet. Ti e di si është rinia e sotshme. Ata nuk janë si ne, që gëzoheshim me gjëra të vogla.

…Nuzi, a te kujtohet kur u njohëm bashkë? Ti e di që unë kam kujtesë të fortë. U njohëm në kampin e pionierëve në Pogradec, në vitin 1970. Unë vija nga Durrësi e ti nga një fshat pranë Sukthit. Aty u bëmë shokë të ngushtë e shoqërinë e vazhduam edhe më pas. Të kujtohet kur ti vije në Durrës, ne apartamentin tim të vogël e luaje me lodrat e mija? Po unë kur vija në fshatin tënd në verë e merrnim bahçen tënde nga cepi në cep duke mos lënë pemë pa u ngjitur?

Unë isha djalë qyteti e ti djalë fshati e kishim ç’ti tregonim njeri tjetrit. Kur u rritëm e unë shkoja në gjimnaz, ti nuk vazhdove më shkollë, por fillove të punoje në kooperativë. Unë gëzoja me shokë e shoqe e shpesh të shikoja tek dyqani i bukës, ku prisje të blije bukë gruri, pasi juve, megjithëse e prodhonit vetë grurin, në fshat iu shisnin vetëm bukë misri e shpesh të blija bukën e kështu vazhdoi për disa vite.

Kur shkova në universitet, ti shkove ushtar e kur përfundova universitetin e u bëra inxhinier, ti u bëre kapter e të caktuan komandant toge në Radiostacion, në të njejtin vend me mua e aty u takuam përsëri. E vazhduam shoqërine edhe në Radiostacion e kur erdhi demokracia, krejt papritur, ti fillove punë tek patentat e makinave e mua m’u desh një herë një patentë e ti më ndihmove, por ti nuk ishe më Nuzi i mëparshëm e i turpshëm. Ti ishe bërë njeri i rëndësishëm e më pas, ti zaptove edhe një copë tokë në Durrës e ngrite një goxha vilë e unë vazhdoja të jetoja, në të njejtin apartament të vogël, bashkë me prindërit.

Të kujtohet kur më erdhe një herë të më pyesje, pasi po bëje instalimet elektrike e doje të lidhje linjën tek shtylla e lagjes? Unë nuk të ndihmova, pasi shtylla ishte pronë e përbashkët, por ti nuk pyete dhe hodhe telat e i lidhe drejtpërsëdrejti në shtyllë. Të kujtohet kur vije tek bashkia e kërkoje, që tek vila jote të ndërtonin rrugë për makina e të bënin kanalizime, pasi ju permbyteshit nga çdo shi që binte? Kerkoje edhe të mos ndërpritej energjia, megjithese nuk paguaje asnje lek për të. Kërkoje dhe ujë e kur nuk ta sollën, ti i re për shkurt. I bëre vrimë tubit të ujit që furnizonte Durrësin, lidhe një tub në të dhe mburreshe se kishe ujë gjithë ditën, bile edhe për të vaditur domatet, që mbillje në bahçe.

Të kujtoj Nuzi edhe kur bleve makine Benz e shëtisje Besin e vogël, e shpesh më përshëndesje, kur unë me biçiklete çoja vajzën në plazh, bile një ditë më more edhe në makinën tënde, pasi mua më ishte shpuar goma e biçikletës e po kthehesha në këmbë nga plazhi.

I dashur Nuzi, kaq kujtoj, pasi unë u largova nga Shqipëria si emigrant, por dua të falenderoj shumë që më ftove tek dasma e Besit. Ti bëre shumë mirë që më ftove, por unë e kisha të pamundur të vija, pasi ti kishe vendosur disa kushte në ftesë, ku shkruaje, që në dasmën e Besit, të gjithë burrat duhet të visheshin me frak te zi e papijon e gratë, të kishin të paktën dy fustane të reja per t’u ndërruar.  

Të vish nga Kanadaja e largët, të harxhosh para për biletë, për frak e për fustane, pa llogaritur peshqeshin qe e pamundur për mua, por ty nuk besoj që të mbeti hatri miku im, Sinqerisht, më vjen shumë mirë që ti je bërë njeri i suksesit, bile kam marrë vesh se ke edhe një televizion privat, ke ndërtuar disa pallate në Durrës bile edhe një hotel në bregdet, ndërsa unë i dashur Nuzi, vazhdoj siç kam qenë, me këmbë në tokë. Jetoj thjeshtësisht e përpiqem të gëzoj me mundësitë mija.

Së fundi, i dashur Nuzi, atë pakon time kur të vijë, të lutem çoje në ndonjë strehë vorfnore, tek ndonjë femijë jetim, se ndoshta mund ta pelqejë ndonjë vajzë e vogël. Kaq kisha e të uroj veç gezime, jetë te gjatë mbesës dhe pasurinë ta rrisësh sa më shumë, për të mirën e familjes tënde.”

©Bamir Bebeziqi