Andej-Këtej

Qeveria ime - Nga Edison Ypi

Qeveria ime do ketë prioritet numër një largimin e budallenjve nga jeta publike. Arritjen e këtij objektivi madhor me rëndësi historike kombëtare, qeveria ime do ta bëjë si budallenjtë e meritojnë. Me krematoriume hitleriane, furra gëlqereje, turra drush, helmime, heje nga pas, mbytje.

Hajdutllëkun qeveria ime do ta zhdukë duke i shkulur hajdutëve duart, këmbët, kokën, pa harruar bibilushin.

Qetësinë publike qeveria ime do ta vendosë duke pasur parasysh se autorët e krimeve nuk janë shkak, por janë pasojë. Shkakut të krimeve, llapaqenëve të kazanit, qeveria ime do u caktojë një fond të rrinë në shtëpi dhe jo ti shurdhojnë bythën miletit.

Qeveria ime do ushtrojë dhunë. S`ka qeveri pa dhunë.

Dhuna e qeverisë time do ushtrohet mbi ata që brenda një viti nuk lexojnë të paktën pesë romane, nuk mësojnë përmendësh dhjetë poezi, nuk shkruajnë njëzet letra me zarf. Bastardët që nuk do plotësojnë këto kushte kaq të thjeshta, qeveria ime do t`i kapë për leckash e do ti hedhë në Sazan pa ia bërë syri tërr. Po hodhën vickla, do ti hedhë në det ose mes gjarpërinjve të helmatisur që në Sazan janë me mijëra.

Turizmi i qeverisë time do jetë ai i udhëtimit të detyrueshëm njëmijë kilometra në vit për çdo shqiptar. Sedentarët e pakurueshëm, ata që këtij detyrimi do ti bishtnojnë, do dërgohen të punojnë me kazëm e lopatë në veprat infrastrukturore të qeverisë time derisa  t`i marrë malli për ndonjë udhëtim.

Një ministri e posaçme e qeverisë time, ajo që do quhet "Ministria e faqes së zezë" do mbajë në thep-shqekëz gomerët të cilëve u duket sikur kanë shpikur rrotën duke sharë ambasadorët. Për t’ia arritur këtij qëllimi, ajo ministri, ata gomerë, do ti mbledhë si mbledh Bashkia hajvanët braktisur anës rrugës për ti bërë vaj makinash duke i djegur.

Rrugët që do ndërtojë qeveria ime do jenë modeste. Nuk do jenë autostrada, nuk do kenë tunele gjigande, ura madhështore. Rrugët e qeverisë time, do jenë kryesisht rrugë rurale, tregëtare, turistike, të asfaltuara. Ato rrugë nuk do jenë fort të gjëra. Për të evituar gërmimet masive si dhe për të mos u bërë të mërzitshme gjatë vozitjes, rrugët në fjalë do ndjekin relievin, pra do kenë shumë kthesa. Rrugët e tilla që do ndërtojë qeveria ime, disa prej të cilave do ndjekin shtigjet e vjetra, do jenë:

Labinot-Shëngjergj, Velçan-Kodovjat, Lenie-Qaf Plloçë, Qukës-Zavalinë, Vithkuq-Mulliri i Hambullës, Frashër-Ersekë, Çesma me Ballkon-Qafa e Kiçokut, Gramsh-Lapardha, Vrap-Peqin, Pezë-Rrogozhinë, Shpirag-Ballsh, Kroi i Kuq-Fush Studë, Vermosh-Theth, Kalaja e Dodës-Lurë.

Brenda përkujdesjes që qeveria ime do zbatojë për ruajtjen e pastërtisë së Gjuhës do ndalohet me Ligj përdorimi i fjalës ofenduese "Populli" që duket si top me mut, për ta zëvendësuar me fjalën elegante "Shqiptarët".

Qeveria ime do kujdeset për vdekjet, funeralet, varrosjet. Tani që precedenti nuk mungon, tani që përvojë pra ka, qeveria ime, jo vetëm do ndihmojë gjithkend që dëshiron të hidhet matanë, por do ti mundësojë cilitdo shqiptar ta vendosë vetë fatin e pasvdekjes. Duke nisur me llojin dhe vendin e funeralit ku t`ia dojë kokrra e qefit vdekëtarit. Në kazanin e plehrave nëse i vdekuri është mendjemadh. Në mes të zjarrit nëse është poet. Në mes të turmës nëse është shkrimtar. Brenda pusit nëse është historian. Në fund të detit po qe arkeolog.

Qeveria ime do përkujdeset për festat. 11 Pridhi do shpallet "Dita e Kurvit". Gjatë ditës së kurvit shqiptarët do jetojnë si në kohën e dashnores së Dem Xhepës. Do vishen me lecka. Do mbathen me shapka. Do përdorin brekë të grisura. Do hanë bukë të zezë me spango dhe insekte brenda. Për mëngjez do pijnë një gotë çaj. Për drekë, fasule. Për darkë, përshesh me kos. Dieta spartane e një dite në vit nuk përbën rrezik se do tu bëhen gratë kurva. Po edhe po u bënë s’ka problem. Kemi dashnoret që mezi presin. Gruaja ime dashnorja jote. Gruaja jote dashnorja ime.

Tjetër festë që do caktojë Qeveria ime do jetë "Dita e Spiunit". Gjatë Ditës së Spiunit, shqiptarët e etur për spiunim do kenë rastin dhe fatin ta spiunojnë njëri-tjetrin hapur, për qef, për sport, për shfryrjen e instinkteve shtazarake shqiptareske, pa pasur nevojë të hyjnë duke u dridhur në ndonjë zyrë, e as të përkulen si pikëpyetje para ndonjë sporteli, si dhe pa asnjë pseudonim, apo frikë se pseudonimin mund t’ua shpikin ata që hapjen e dosjeve e kanë bërë biznes.

Ditë feste do jetë gjithashtu dhe "Dita e Qenit", pra dita që qeveria ime do ia blatojë asaj që ndër shqiptarë nuk vdes kurrë: besnikërisë qenërore proverbiale me Mik, Besë, vrasje në mesnatë me hekur prapa kokës, gjak, gjakmarrje, ngujim, etj.

Përdoruesve të shprehjeve "Unë si artist, "Unë si intelektual", "Për mendimin tim", "Personalisht mendoj se", "Jam i mendimit që", Unë këtu e atje, unë kështu e unë ashtu, pra brroçkullarëve autoreferencialë, duke ua shqyer gojën deri te veshët si bënin kompraçikosët, qeveria ime ata mutër do i bëjë të gjithë Guimplenë.

Rrena e qeverisë time, se qeveri pa rrena s'ka, do të jetë se për zhdukjen nga faqja e dheut të patriotizmit folklorik shqiptaresk me shkaba, çifteli, lahuta, rapsodë të verbër me qen pranë, buçe rrugësh, mace kazanësh, do jetë 10 herë më e pamëshirshme se do ta shpalli.

Përralla e qeverisë time, se populli i ka qef përrallat, do jetë një përrallë e pafundme me shumë përralla brenda, çdo mbrëmje nga një, në përputhje me humoret e majmunëve që ende shohin televizorin.

Ëndërra e qeverisë time do jetë Shqipëria ime me sa më tepër shqiptarë që lexojnë libra seriozë, hanë trahana Lunxhërie, pijnë dhallë, mësojnë vargje përmendësh, udhëtojnë nëpër katunde, i mahnit jodi i detit, i rrënqeth suferina e malit, i deh aroma e Blirit.

©Edison Ypi