Unë, shqiptari - Nga Kastriot Fetahu
- Published in Andej-Këtej

Kastriot Fetahu - Çikago
Pasi mbërrita në Amerikë, më duhej të integrohesha sa më parë për të mos humbur kohë, duke programuar çfarë duhej për këtë qëllim. Midis të tjerave, çmova se gjuha është pikënisja para së gjithash.
U regjistrova në një kolegj për të filluar kursin e Anglishtes dhe prita derisa na njoftuan që fillojmë mësimin në datën 20 në muajin Shkurt. Kolegji ndodhej diku afër qëndrës së qytetit. U paraqitëm familjarisht ditën që shkruhej në njoftimin e tyre dhe hymë në sallën e caktuar për mësim.
Pedagogu ishte një person tipik amerikan i shëndoshë dhe me mirësjellje stereotipe pedante. Ai na ftoi të uleshim në sallën që tregonte seriozitetin e kolegjit. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar që nuk e kisha parë kurrë një ambjent të tillë kaq modern mësimdhënieje në jetën time.
Pasi zumë vëndet nëpër banka, profesori filloi të na pyeste në formë bashkëbisedimi nga cilat vënde vinim për tu njohur me ne studentët. Aty kishte nga Brazili, Venezuela, Peruja, Ekuadori, Japonia, Kina, Jemeni dhe ne, të vetmit europianë nga Shqipëria.
Pasi pyeste ata, dëgjoja që përmëndte kryeqytetin përkatës, se më shumë nuk kuptoja, (për të qënë koherent, gjuha e huaj është e vetmja lëndë, me të cilën asnjëherë nuk kam pasur raporte të mira).
Para nesh ishte rradha e jemenasit për tu pyetur dhe dëgjova që shqiptoi Sana, pra po flisnin për kryeqytetin e Jemenit duke qeshur me njëri-tjetrin në dialogun që ata bënin.
Pasi mbaroi me atë, profesori na u drejtua ne se nga vinim dhe unë iu përgjigja, Albania. Ai ngeli për një çast dhe më pas buzëqeshi duke i dhënë një formë ironike reagimit, pas të cilit vazhdoi dhe foli po me atë lloj mënyre. Pasi mbaroi, e pyeta bashkëshorten çfarë tha. Ajo më shpjegoi që na tha se kam 28 vjet në këtë punë këtu dhe kurrë nuk e kam dëgjuar vëndin tuaj dhe as e njoh.
Fjalë që i shoqëronte me një lloj ironie habitore, që "përkthehej" në, se si ka mundësi, ç'të jetë ky vënd, që unë mos ta njoh, sikur ky të ishte i sapozbuluar për atë dhe ndodhej diku jashtë universit!?
Nuk dua të bëj nacionalistin e kulluar, por realisht më erdhi inat, sepse u ndjeva i fyer edhe për mënyrën sesi e suportoi mosnjohjen e Shqipërisë sime, por më shumë edhe për faktin se u pyetëm pas jemenasit. Dhe të dijë Jemenin e Afrikës dhe mos të dijë Shqipërinë në zemër të Europës, të njihje Sanën dhe jo Tiranën, mu duk shumë e pakuptimtë dhe fyese, pa kaluar në bullizëm, duke ngjallur reaksion të madh mendimi. Vazhdoi pas nesh me japonezen dhe pastaj filloi mësimin, se ajo ishte e fundit që u pyet.
Ndërkohë nuk po më lëshonte ajo ndjesia e reaksionit ndaj ironisë me vëndin tim. e Sipas meje, profesori ishte treguar i padrejtë me mënyrën e përcjelljes së mosnjohjes të Shqipërisë sime, pas u shpreh për Jemenin.
Në fillim, ai na ishte prezantuar se kush dhe nga ishte. Oregoni në brigjet e Paqësorit ishte vëndi i tij. Oregoni ndodhet në veriperëndim të SHBA dhe kufizohet midis të tjerëve, nga shteti i Washingtonit në Veri e Kalifornia në Jug dhe ka një popullsi afërsisht sa Shqipëria dhe kryeqytet Salemin e famshëm të shtrigave.
Unë e njihja atë shtet në mëndjen time pa ardhur në USA. Kisha dy pika lidhjeje me atë, ku njëra ishte një pyetje që më ishte bërë në një konkurs dijesh, Quizplus në Vizion plus dhe që isha përgjigjur saktë, kurse tjetra ishte ajo që i thashë atij profesori, ku me suportin pantomimik, që i bëri vëndit tim, zhvlerësoi padashur edhe bashkatdhetarët e mi në gjithçka me mosnjohjen e tij.
Kjo gjë më kujtoi historinë e bishtit të shqiptarit të Gjergj Fishtës së madh, që kish bërë të përzinte sërbin nga një tubim internacional ku ndodhi ajo ngjarje e që është aq frymëzuese për çdo shqiptar që e do Atdheun e tij.
Dhe për ti thënë atij profesori jokorekt në sjelljen e tij, në optikën time, se vëndi im është dinjitoz dhe ka po një popull dinjitoz, vendosa të shkoj e të komunikoj në pushimin e shkurtër të orës së mësimit.
Kur ai na dha pushimin, afrohem tek katedra, bashkë me bashkëshorten dhe i them se nuk kuptoj anglisht, e në atë çast i dhashë telefonin tim, ku sa i kisha shkruar me translate fjalët si më poshtë.
“Profesor, unë e njoh vëndin tuaj, i cili është shtet brënda shtetit edhe pse vij nga një vënd, që Ju nuk e njihni edhe pse Shqipëria ime është shtet në zemër të Europës. Vëndi juaj është rural, (e kisha theksuar fjalën rural) dhe në filmin “Scent of a Woman”, në fjalimin që mbajti koloneli Frenk, për të mbrojtur studentin Çarls Simms në mbledhjen e përgjithëshme të kolegjit Bird, thotë edhe një shprehje të tillë - Zoti Trask, Ju kërkoni ta thyeni këtë djalosh, zotin Simms, sepse nuk i ka prindërit të rëndësishëm si z. George Willis dhe se vjen nga Oregoni i largët në brigjet e Paqësorit.”
Dhe i shpjegoja më poshtë se filmi është i vitit '92, luajtur nga Al Pacino, në rolin e kolonelit Frenk dhe Chris O'Donnell në rolin e studentit Çarls. Për mua është një film, që më pëlqen aq shumë, pasi ai fjalim i kolonelit, është filozofia e edukimit amerikan.
Informacioni që i dhashë dhe veçanërisht artikulimet, Shqipëria ime në zemër të Europës dhe Oregoni rural dhe i largët, ishin "armët për një lloj hakmarje" nga ana ime, e cila funksionoi mrekullisht. Ai u skuq, gjë që dallohej lehtë në fytyrën e tij të tultë, tundte kokën në shenjë pohimi dhe habije dhe lëvizte në karriken e tij në mënyrë të çrregullt, ngaqë nuk e priste diçka të tillë.
Në fytyrë i mbiu një lloj buzëqeshje e tipit të asaj si në fytyrën e Boris Spaskit, kur u mund në lojën e gjashtë nga Bobi Fisher, buzëqeshje e cila sigloi dorëzimin pa kushte në atë ndeshje spektakolare shahu të duelit të tyre të famshëm. (Sakrifiko ushtarin).
Profesori pranoi padashur dështimin e tij para meje, me reagimin e tij të pavullnetshëm, që ishte një lloj spjegimi me gjuhën e trupit, që donte të thoshte, se ishte ai që kish fajin pse nuk e njihte vëndin tim dhe se vëndi im nuk ishte as i panjohur dhe as i njerëzve të humbur, pasi lexoi çfarë i shkruaja.
Ndaloi pak në "ngrirje të plotë" dhe pas një çasti heshtjeje, foli diçka me solemnitet, gjë për të cilën pyeta bashkëshorten se çfarë artikuloi në atë mënyrë jo të zakontë.
Ajo më bëri me dije, se ai tha: “Nuk kam për ta harruar kurrë Shqipërinë”!
Unë buzëqesha dhe i shkruajta ndërkohë përsëri në telefon: “Pyetini studentët e tjerë, a e njohin vëndin tuaj si unë, ndërkohë që ju i njihnit vëndet e tyre”.
Buzëqeshi miqësisht në shenjë skepticizmi, pasi e lexoi dhe në këtë pikë u ndamë, sepse do fillonte ora e dytë e mësimit. Ai nuk po guxonte akoma të më shihte në sy, derisa mbaroi ora dhe ne dolëm nga salla...
Për profesorin, unë isha njëri prej Jush në atë auditor dhe i sigurtë se edhe Ju do të ishit "Unë", aty në atë salle. Unë, … shqiptari!
©Kastriot Fetahu



