Andej-Këtej

Muri i lotëve - Nga Kastriot Fetahu

 Kastriot Fetahu, Chicago-SHBA

Përplaset historia në Murin e lotëve.

Dhe aq herë, më e gjakosur se më parë kthehet.

E mjekojmë, por...pa shërim.

Ilaçin e vërtetë, nuk duan ta nxjerrin.

Thellësitë e shekujve, "pus" që nuk i duket fundi.

Dhe anamneza e saj ngelet pa zanafillë.

Historia e gjakosur, lëviz përsëri.

E Muri i lotëve, na flet i zemëruar.

Rabinë, priftërinj, hoxhallarë,

Ju mbretër makutë, politikanë shërbëtorë, e baballarë tinzarë kombesh.

Ne lindëm vëllezër, ju na bëtë armiq.

Mjaft na gjakosët!

A nuk ju duket historia, viktima juaj?

Po unë, pse lotoj dhe më keni shënuar me këtë emër?

Pse Jeruzalemi, akoma prodhon helm për popujt?

Nga shekujt piskama ofshamjesh e thirrjesh pa fund vijnë.

Historia është e jona, duket sikur shqiptojnë.

Ne e shkruam, ju e gjakosët.

Ju jeni armiqtë tanë.

Ju me shekujt, jeni armiqsuar.

Mijëvjeçarë mbani peng dhe të burgosur.

Jezusi, Muhameti, Buda,

Janë të gjithë vëllezër dhe Zoti një.

Muri i lotëve, vendi ku ata mblidheshin.

I kam dëgjuar kur qeshnin me të madhe.

Edhe kur historinë e tyre, tregonin.

Ju e gjakosni atë, e vrisni.

Eshtrat ia thyeni asaj.

Protezat tuaja, janë historia që na shisni.

Muri i lotëve është i të gjithëve.

Edhe Bota e paqja. Po!

Mjaft, e vratë historinë.

Mjaft, Murin e lotëve, arsyen tuaj pa arsye, për popuj armiq.

Një ditë, koha do të çlirohet nga ju.

Muri i lotëve dhe historia, do të shërohen.

©Kastriot Fetahu