Andej-Këtej

4 minuta në tren për të mësuar një dramë jetësore - Nga Enver Robelli

Enver Robelli, Zvicër

Në peronin e stacionit të trenit një njeri i hajthëm filloi të tregojë për jetën e tij. Tregoi kur ka ardhur nga Kosova, tregoi se prej se i vdiq nana në Kosovë para ca vitesh nuk shkoi më në vendlindje, tregoi për hallet që kishte në punën e deritanishme dhe për shpresat se do të gjente një vend të ri pune.

Në tren zuri vend afër meje. Pas 4 minutave do të zbriste në stacionin tjetër të trenit. 4 minuta burrit të hajthëm i mjaftuan që zemërplasur të më rrëfejë plagën e tij shpirtërore e prindërore. “E kam një djalë të sëmurë...”, tha ai, tregoi disa hollësi, vizitat nëpër mjekë dhe befas sytë iu mbushën me lot. “Ma ka këput shpirtin”, tha ky njeri. Mua më shkoi mendja te disa miq të mi, mjekë të mirë në Zürich, ndoshta ata mund t'a ndihmojnë burrin me lot në sy dhe djalin e tij, sidomos.

- Ma jep numrin e telefonit, i thashë. Burri me lot në sy u shtang. Ma dha telefonin e tij dhe tha: “Shtype ti numrin tënd nga telelefoni im se nuk më kujtohet numri im, s'jam në gjendje ta mbaj në mend”.

Kështu, pazakonshëm, i shkëmbyem numrat. Ndjeva një shtrëngim në gjoks dhe, po, luftova kundër lotëve. 4 minuta mjaftuan për të mësuar për një dramë jetësore. Shpresoj se edhe për këtë njeri të bëhet mirë, e veçanërisht për djalin e tij. Burri me lot në sy doli nga treni fluturimthi, në sytë e tij pashë brengë, dhimbje, shpresë...

©Enver Robelli