Andej-Këtej

Katia dhe një bisedë në Toronto mbi komunizmin kubanez - Nga Bamir Bebeziqi

Bamir Bebeziqi - Toronto

Kudo ku vizitoj, kudo ku shkoj, nëpër rrugë, autobuzë, avionë, aeroporte, porte, kam një hobi të çuditshëm. Mundet ndoshta mos ta ketë njeri tjetër. Kam hobi të gjej fyryra e t’i krahasoj me të njohur të mi nëpër vite. Në Kanada ka shume gra që ngjasojnë me nënën time, bile kam gjetur edhe disa që ngjasojnë me tim atë. Dikur, në aeroport të Romës më ngjasoi një grua më Gentën, një kushërirën time e cila jeton në Itali e për pak doja ta ndaloja, që ta takoja. Shpesh më qëllonte, në autobuzin të cilin e merrja çdo mëngjes të ndeshesha me një burrë, i cili ngjasonte çuditërisht me Art Selamin, shokun tim të fëmijërisë. Sa herë ndeshesha me të, seç kisha një dëshirë të brendshme ta përshëndesja, por më pas e frenoja veten.

“Ç’ne! Ç’më duhet me burrin e huaj!” thoja me vete.

Në kompainë ku punoj kam disa, të cilët ngjasojnë me miq të mi ndër vite. Njëra, për shembull, ngjason krejt me Irena Lilën, bile edhe thinjat i kanë njësoj. Ngjashmëri e çuditshme! Gruaja është serbe dhe gjithmonë përshëndetemi thjesht njerëzisht. As i kam hyrë në brendësi, as ajo mua. Secili në pozicionin e vet.

Para disa kohësh filloi punë në kompani një vajzë e re. Qysh në fillim më tërhoqi vëmendjen. Kishte një ngjashmëri të çuditshme me të parën shoqe, me të cilën kam patur një shoqëri të ngushtë, shoqëri që zgjati shumë pak.

Ngaqë jam burrë në moshë dhe jeta më ka mësuar të jem shumë i kujdesshëm me gratë dhe vajzat, vajzën vetëm e ndjeja kur kalonte, pa i hedhur syte fare. Para disa muajsh vajza filloi punë në magazinë e mua më duhet të shkoj shpesh, pasi më nevojiten materiale. I jap porosinë e pas dy tri orësh ajo i vendos materialet mbi banak, gati që t’i marr.

Ka një zakon, që nuk e kanë patur paraardhësit e saj.  Materialet i mbështjell bukur e mbi to ngjit një pusullë ku shkruan me germa kapitale emrin dhe mbiemrin e çdo porositësi materialesh.

Një ditë në mëngjes, i bera një pyetje krejt të veçantë:

“A mundesh të më shkruash emrin dhe mbiemrin pa parë letër-porosinë?”

Ajo më shikoi, u mendua pak, mori një copë letër dhe e shkroi, germë për germë, pa as edhe një gabim.

“Uau! Më habite- i them - në vendin tim ka akoma njerëz që ma shkruajnë mbiemrin gabim, ndërsa ti…”

Vajzën e quajne Katia. Është kubaneze. Ka emigruar në Kanada para 8 vjetësh bashkë me familjen. Një ditë, para se të merrja materialet, i kërkova leje nëse mundesha të pyesja se ç’po ndodhte në vendin e saj, në Kuba.

Vajza më shikoi më vëmendje, sikur donte të zbulonte nëse isha ndonjë provokator e më pas filloi të më tregojë me shumë pasion.

Ishte megjithmend një vajzë rebele, e cila më kujtoi menjëherë shoqen time në atë kohë e cila ishte rebele dhe armike e atij regjimi.

Vajza, filloi të fliste për lëvizjen që kishte përfshirë të gjithë Kubën, në të gjitha provincat e saj. Më foli për vështirësitë që po ndeshej populli i varfër kuban, i goditur shumë rëndë sidomos nga izolimi e pandemia, pasi pandemia kishte goditur pa mëshirë turizmin, prej të cilit ushqeheshin disa milona njerëz në vendin e saj. Më foli për përkrahjen që regjimit komunist në Kubë, i bënte Venezuela e varfër e rrënuar edhe vetë tashmë, ndërsa për rusët e kinezët, nuk kishte ndonjë shpresë për ndihmë. Ndihmën e vetme e priste nga Shtetet e Bashkuara.

Më pas, me besim, pasi shikoi majtas e djathas më tregoi disa video të ardhura prej andej, ku vëreheshin ushtarë e policë që ndesheshin me demonstruesit, si dhe disa demonstrime sudentësh, me pjesëmarrje me shumicë të vajzave të reja, të cilat me flamur kuban protestonin kundër gjendjes së vështirë dhe regjimit komunist në atë vend.

“Sot kanë filluar të thërrasin nën armë çdo të ri 18 vjeç e sipër. I detyrojnë të veshin uniformën e nëse kundërshtojnë i pret vetëm vdekja!” më thotë para tri ditësh.

“Uroj të keni sukses në levizjen tuaj - i them - por mos mendoni se çdo të vijë më pas do të jetë e ndritshme për vendin tuaj. E kam nga përvoja personale. Komunizmi ikën dhe vëndin ia lëshon më pas mafies.”

“Jo... mafia udhëheq vendit tim - më thotë - bizneset, hotelet, të gjitha mafia i komandon.”

“Kam qenë vetë dëshmitar i ndryshimeve në vendin tim para 30 vjetësh dhe e di mirë se çdo të ndodhë më pas - i them - uroj të mos zhgënjeheni. Kam qenë disa herë në Kuba dhe më duket sikur vizitoj vendin tim në të shkuarën. Uroj që t’i ruani plazhet, qetësinë dhe vendet e bukura e mos bini në gabimet tona.”

Nga ajo ditë vajza më shikon me admirim. I dukem nga të paktët që e ndjej dhimbjen për vendin e saj, pasi të tjerët janë shumë indiferentë.

©Bamir Bebeziqi