Andej-Këtej

Në 730-vjetorin e themelimit të Zvicrës - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Në fotografitë e vjetra, të shkrepura në vitet 1960-të, burrat e hajthëm shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës mbajnë në duar valixhe ose thënë më mirë arkëza prej druri. Aty kanë ca rroba e gjësende të nevojshme. Ata vinin për të punuar 9 muaj në Zvicër. Si punëtorë sezonalë. Pastaj shpresonin se vitin tjetër do të vinin prapë 9 muaj. Shumica erdhën për të fituar pak para dhe për t’u kthyer në vendlindje pas dy-tri vitesh. Njëri dëshironte të kursente para për të ndërtuar një shtëpi, tjetri me paratë e Zvicrës mendonte të blinte një kalë, një tjetër iku nga represioni serb dhe që në vitet 80-të ishte aq sypatrembur, saqë nisi të sjellë armë në Kosovë.

Sot, në 730-vjetorin e themelimit të Zvicrës, edhe rrëfimet për shqiptarët e parë të ardhur në Zvicër duken pothuaj mesjetare. Sepse çdo gjë ka ndryshuar. Nga St. Margrethen në Zvicrën Lindore deri në Gjenevë në Perëndim të vendit, nga Baseli në Veri deri në Chiasso në Jug - mbi 250 mijë shqiptarë, afërsisht gjysma me shtetësi zvicerane, janë një komunitet dinamik, disa drejtojnë restorante, të tjerët fabrika, ndonjëri menaxhon deri në 60 milionë franga për kompani zvicerane, gjithnjë e më shumë angazhohen në jetën publike, në politikë etj.

Jo të gjithë shqiptarët janë të integruar mirë në Zvicër, por krahasuar me 60 vjet më parë, kur punëtori shqiptar (apo italian) trajtohej si shërbëtor, gjërat kanë ecur për së mbari. Shqiptarët me rrogat më të larta jetojnë në Zvicër. Rrjedhimisht, edhe mundësitë për të harxhuar para i kanë më të mëdha. Këta njerëz jo vetëm dërgojnë para në vendlindje. Dhjetëra firma të drejtuara nga shqiptarët në Zvicër porosisin çdo vit tonelata me material në Kosovë (mobilje, kuzhina etj.).

Sot, në festën kombëtare të Zvicrës, të gjithë shqiptarët e Zvicrës mund të jenë krenarë me arritjet e tyre dhe me shtetin zviceran, që shumë ëndrra i bëri realitet. Bashkë me këtë tekst një fotografi e 9 majit 1964, ku shihen punëtorë "nga Jugosllavia" në stacionin e trenit në Buchs në Zvicrën Lindore.

©Enver Robelli