Andej-Këtej

Një takim i ngrohtë me Sali Berishën në Tiranë - Nga Jusuf Buxhovi

Me Sali Berishën, ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin e Shqipërisë, na lidhin ngjarjet e fundviteve tetëdhjetë dhe ato të fillimviteve nëntëdhjetë, ngjarje këto që kanë të bëjnë me rrënimin e monizmit si dhe fillimet e pluralizmit politik nëpër të cilat po kalonte shoqëria shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri.

Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë me të cilën u vu në binarët e pakthyeshëm historikë procesi i rrënimit të komunizmit si dhe lëvizja e shtetndërtimit, që  çoi te shteti i pavarur si dhe themelimi i Partisë Demokratike në Tiranë, ndonëse  në të dy anët i përcjellë me vështirësi të shumta, shoqërinë shqiptare e nxorri nga diktatura komuniste dhe  nga pushtimi serb.

Në këtë zhvillim historik, intelektualët e Kosovës dhe të Shqipërisë, kishin një kauzë të përbashkët. Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë dhe Dr. Sali Berisha në Tiranë patën fatin që të jenë në krye të dy partive demokratike shqiptare që morën përgjegjësinë e kësaj kthese historike. Asokohe, te dy liderët shqiptarë udhëhiqeshin nga kauza që shoqërinë shqiptare ta kthente kah Perëndimi me postulatet e saj: lirinë dhe demokracinë...

Në ato rrethana njoha Sali Berishën.  Fillimisht si lider të pluralizmit dhe më vonë si President të Shqipërisë. Që të dy këto njohje ndodhën në Gjermani. E para në Maj të vitit 1991 në Berlin, në mbledhjen e OSBE-së kur Shqipëria u pranua anëtare e saj. Në Berlin, Berisha, si kryetar i Partisë Demokratike, ishte në kuadër të delegacionit të spektrit pluralist shqiptar, me Fatos Nanon dhe tre të tjerë. Dhe herën e dytë, e takova në Bon, në vitin 1996, kur si President i Shqipërisë zyrtarisht vizitoi Gjermaninë.

Si korrespodent i “Rilindjes” i akredituar në Bon, mora pjesë në konferencën e përbashkët të kancelarit Kohl me Berishën,  me ç'rast, në pyetjen time si e shihte zgjidhjen e çështjes së Kosovës kur ajo kishte shpallur pavarësinë ndërkohë që mbahej e pushtuar nga Serbia dhe e kërcënuar për shfarosje, ai theksoi se duhet të respektohet vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi dhe  të përkrahet ndërkombëtarisht, kërkesë kjo që nga ana e Berishës u përserit edhe  në mbrëmje, në pritjen që shtroi kancelari Kohl për nder të tij në Bad Godesberg.

Gjatë takimit në Tiranë, pasi ia dhurova disa nga librat e mi ("Kosova" në anglisht, "Kosova - histori e shkurtër", "Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit", "Dosja B" dhe "Mona”), duke u ndërlidhur edhe me veprat e mia që në mënyrë kritike trajtojnë këtë problematikë dhe rolin e Berishës në të, veçmas raportet me Dr. Ibrahim Rugovën, në këtë proces tejet kompleks dhe të përcjellë edhe me kundërthnënie të pashmangshme që impononin rrethanat, evokuam  kujtimet e “kohës së  madhe” siç e quajti ai dhe, po ashtu, me nostalgji kujtuam miqtë tanë që nuk janë më, të cilët ishin pjesë e atij rrugëtimit madhështor.

Berisha tha se përkundër sfidave me të cilat po përballohet kohëve të fundit, ndjehet i nderuar që ishte pjesë atij “rrugëtimi historik”, që shoqërinë shqiptare, në të dy anët, e liroi nga kthetrat e diktaturës komuniste dhe krijoi mundësitë që ajo tashmë të ecë drejt bashkimit të pandalshëm...

©Jusuf Buxhovi