Andej-Këtej

Dy dromca - Nga Bamir Bebeziqi

Një ditë shikoj tim atë që po shkonte më këmbë për në plazh. Në kokë mbante një kapele bejsbolli, e cila më kot përpiqej të mbulonte flokët e dendura të tij, që sikur i harboheshin jashtë. Kishte veshur edhe një palë këpucë atletike të Nish Gomës.

Në dorë si zakonisht po mbante një libër e një çadër të çuditshme. Ishte një çadër shiu, të cilës i kishte hequr rrobën e zezë dhe e kishte zëvendësuar me një copë portokalli e me atë çadër të vogël mbronte kokën, kur shtrihej në rërën e plazhit te Agipi.

Pamja e tij, në atë kohë në të vërtetë nuk më pëlqente. Ishin fundvitet ’80 e unë në atë kohë përpiqesha t’i kushtoja rëndësi pamjes së jashtme, si shumë moshatarë të mi të asaj kohe, me ato pak gjëra që kishim.

Një ditë i them tim eti në shtëpi se nuk më pëlqen fare pamja jote kur shkon në plazh.

Ai më dëgjoi, ndenji pak në heshtje e më atë të folurën e tij karakteristike m’u përgjigj:

“Ej çun po të them diçka nga pervoja ime e gjatë. U bëra njeri i lirë, atëhere kur e kuptova se askush nuk e vriste mendjen për mua!”

E kam të fiksuar në mendje akoma këtë postulat e sot që jam në moshën e tij në atë kohë, shpesh me kujtohet e në biseda në kompani, bej shaka me koleget, të cilët përpiqen shumë me rroba të shtrenjta e me shpenzime berberësh, xhelërash e parfumesh pafund.

***

Në bisedat e mia telefonike me tim atë në ato vitet e para të emigrimit, më thoshte shpesh se e kishtë kufizuar të dalurën, ose kur dilte, pëlqente të shëtiturën më shumë me veten e tij.

- Me kë dole sot? - e pyesja

- Me një shok shumë të mirë, - më përgjigjej, - me Danishin.

- Përse nuk takon njeri e shkëmben ndonjë llaf? - e pyesja.

- Kjo botë qenka kaq e madhe për të takuar ata që do dhe aq e vogël për ata që nuk do! E kam të vështirë, kur më ngjitet ndonjëri e përpiqet të më ndryshojë mendim për gjërat dhe ndodhitë, e sidomos kur përpiqet të më mësojë mua historinë!

Kjo ishte përgjigja e tij si postulat e sot më vjen ndërmend. Vika një moshë, kur njeriu përpiqet të gjejë tek shoku apo miku, atë që do, e nëse nuk e gjen, paska edhe një zgjidhje. Njeriu gjeka shokun tek vetvetja.

©Bamir Bebeziqi