Andej-Këtej

Karrigia më takon mua - Nga Arben Kallamata

Arben Kallamata - Mississauga, Ontario

Dy rryma të fuqishme të mendimit shkencor politiko-ekonomiko-shoqëror po përplasen në një ndeshje titanike që do të përcaktojë të ardhmen e zhvillimit të kombit. Dy platforma sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme që parashikojnë në detaje rrugën drejt prosperitetit. Dy filozofi njerëzore të shprehura në dy programe të detajuara politike. Programi i parë i përmbledhur në titullin gjithëpërfshirës “Karrigia më takon mua.” Dhe Programi i dytë, i përmbledhur në titullin po aq gjithëpërfshirës “Karrigia më takon mua.”

Populli është pataksur dhe s’di ç’të bëjë. Leximi i programeve të bazuara në të dhëna statistikore dhe të shkruara me një gjuhë shkencore duke u bazuar në algoritme të ndërlikuar paraqet një sfidë intelektuale thuajse të pakapërcyeshme. Krahasimi i tyre është edhe më i vështirë. Megjithatë, shumica e kanë ndarë mendjen. Disa përkrahin me afsh programin e parë, “Karrigia më takon mua”, ndërsa pjesa tjetër janë kthyer në partizanë të flaktë të programit të dytë, “Karrigia më takon mua.” Midis përkrahësve ka edhe nga ata që janë gati të japin jetën për idealin e programit përkatës.

Çuditërisht edhe përfaqësuesit e huaj janë ndarë në kampe të ndryshme. Disa mendojnë se për vendin do të ishte më mirë të fitonte programi “Karrigia më takon mua”, se sa programi “Karrigia më takon mua.”

Vendi po shkon drejt luftës civile, drejt revolucionit. Le të shkojë. Idetë e mëdha gjithmonë çojnë në revolucione, përmbysje të mëdha.

Në foto: Propozim për një zgjidhje që shmang dhunën.

©Arben Kallamata