Andej-Këtej

Orient Express - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

Këtë të diel ishim të ftuar te disa miq që banojnë diku në zemër të Flandrës. Bënte ftohë dhe qielli ishte i ulët, por në këto anë duhet të jesh i kënaqur kur nuk bie shi.

Natyrisht nuk është e diela ime intimisht familjare që dua të rrëfej. Diku mbas dreke, të zotët e shtëpisë na thanë se kafenë do të kthehemi ta pijmë më pas. Se donin të bënim një shëtitje të vogël më parë. Fshat e zanat, thamë, por më erdhi për mbarë, më pëlqen të shëtis mbas buke.

Veçse u habita kur udhëtimi ynë ndaloi jo larg shtepise, para një kryqëzimi (passage à niveau) me hekurudhën që vjen nga Parisi për në Dunkerque e më tej shkon në Londër. 

Shihnin orën, por nuk tregonin asgjë…

Nuk zgjati shumë, kur pamë të vinte një tren i mrekullueshëm.  Si tren ëndrrash, me stemat e tij prej bronzi që shndrinin dhe vagonat e një stili Belle epoque, si të ishte i famshmi Orient Express!

- Ja, Orient Express!  - na thanë miqtë tanë, sa kohë që nuk e kishim marrë veten.

Nuk po kuptoja asgjë. Nga doli ai? A nuk ishte mbyllur epoka e tij që para Luftës së fundit?

Ka kohë që rifilluar përsëri, në shpjeguan. Bën itinerarin Londër-Paris-Venecie.

E shihja i hutuar. Më dukej e pabesueshme që ai jetonte! 

Me t'u kthyer kerkova dhe ashtu ishte: Orient Express ishte gjallë!

Treni mitik që kishte filluar që nga fundi i shekullit 19 për të lidhur Parisin me Stambollin kishte ecur tej mjegullës së kohës e tymit të luftrave për të më dalë aty në mes të Flandrës franceze!

Mbase, po të mos isha hutuar aq shumë, diku në një dritare do të kisha parë edhe një burrë shulak me mustaqet e holla, me profesion dedektiv dhe emrin Hercule Poirot. 

Pse jo, edhe një zonjë me kapele të madhe, njëfarë Agatha Christie...

Çfarë mrekullie!

©Dashnor Kokonozi