Pëlhura e Penelopës, ose kush mashtron kë - Nga Augusto Monterroso
- Published in Andej-Këtej
Para shumë vitesh jetonte në Greqi një burrë me emrin Uliks (i cili, përveçse fort i ditur, ishte dhe shumë mendjemprehtë), i martuar me Penelopën, fort e bukur dhe veçanërisht e talentuar, ceni i vetëm i së cilës qe dashuria e tepruar për endjen, një zakon falë të cilit kalonte e vetme stinë të tëra.
Legjenda thotë që, sa herë Uliksi, me mendjemprehtësinë e vet pikaste se, megjithëse nuk e lejonte, ajo edhe një herë ia fillonte së pari njërës prej pëlhurave të saj të pafundme, ai shihej netëve të përgatiste tinëza çizmet dhe një fllugë të mirë derikur, pa i thënë asgjë, dilte t’i binte botës kryq në kërkim të vetvetes.
Në këtë mënyrë, ajo vazhdonte ta mbante larg ndërkohë që ua luante mëtonjësve të saj, duke i bërë të besojnë se endte ndërkohë që Uliksi udhëtonte dhe jo që Uliksi udhëtonte ndërkohë që ajo endte, siç mundi ta përfytyrojë Homeri që, siç dihet, herëdokur ia fuste gjumit dhe nuk ia kishte idenë asgjëje.
Përktheu nga spanjishtja: Elvana Zaimi



