Car Ivani i Tmerrshëm dhe Car Putini - Nga Ilir Gjini
- Published in Andej-Këtej

Ilir Gjini - Toronto
Sirenat e alarmit që paralajmëronin shiun e bombave në ditën e tetë të luftës në Kiev, filluan të rrënkojnë me një zë të çjerrë sikur po vajtojnë viktimat e mbrëmjes. Qyteti është i shqyer nga plagët e bombave që kafshojnë supet e tij të brishtë. Rrëke të ngrohta gjaku vazhdojnë të rrjedhin pa pushim. Britmat e të plagosurve dëgjohen deri në Ferr, por nga banorët e tij askush nuk shqetësohet. Djajtë e ekzaltuar nga skenat horror me sy të ngrirë të magjepsur po vështrojnë tragjedinë ukrainiane. Po e shijojnë sikur në “Ëndrrën e një nate vere”. Britmat e ushtarëve në veshët e tyre tingëllojnë si melodi paqeje. Në Kremlin Car Putini po ngre një dolli gjaku. Papritmas një britmë e zbehtë fëmije ia prishi spektaklin. Nga Ferri Car Ivani u hodh përpjetë. Mos lindi sërisht djali im Ivanoviç që e vrava shekuj më parë?

Nga Car Ivani i Tmerrshëm te Car Putini i sotëm
Car Ivani i Rusisë morri nofkën Car Ivani i Tmerrshëm, pasi vrau djalin e tij Tsareviç Ivan pas një grindje me sfond pushtetin. Krimi ndodhi në oborrin e Carit më 1581. Piktori i madh rus Rjepin me gjenialitetin e talentit dhe ngjyrave, e ka përjetësuar këtë skenë makabre në një tablo mahnitëse. Kaq i fortë është përjetimi në këtë tablo, saqë vizitorët në galerinë e arteve Tretiakov të tronditur shkruanin: “gjaku vazhdon të rrjedhë nga plaga e hapur në kokë”. Një përjetim të tillë vizitorët vazhdojnë ta kenë edhe sot.
“Sapo pashë tablonë u zbeha. Gjaku vazhdonte të rridhte në plagë. Nxorra telefonin dhe formova numrin e policisë 103. Jam dëshmimtar në një krim” - rrëfen një nga vizitorët.
Rjepin ka fiksuar sytë e zgurdulluar të Car Ivanit pas krimit, që shprehin llahtar dhe pendesë.
Teksa po shihja këtë tablo sot, mendja më shkoi te Cari i sotëm i Rusisë Putin që është autor i një barbarie të paparë në shekullin e XXI nga raca njerëzore.
Si po e përjeton këtë barbari? A po ndjen një fije pendesë për britmat e pafajshme të fëmijve?

Diplomacia e kurvës plakë
Dikur poeti ynë i madh Fishta shkroi keto vargje apokaliptike:
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Diplomacia europiane sot kërkon me anë të diplomacisë dhe embargos të ndalojë dorën gjakatare të Putinit. Po a mjafton? Diplomatët e Europës nuk u treguan kaq “diplomatë” kur Sadam Hysein sulmoi Kuvajtin. Madje as kur sadisti Millosheviç po shfaroste popullin e Kosovës. Bashkë me diplomacinë dhe embargon, lëshuan edhe bombat duke i çuar këta dy diktatorë, në koshin e plehrave të historisë. Po një gjë e tillë nuk po ndodh me Putinin. Putin ka rubinetat e gazit dhe ç’është më e keqja, armët bërthamore. Këto armë i zotëron edhe Europa dhe USA, po ata ngurojnë të përballen duke u mjaftuar vetëm me embargon.
Në vend të epilogut
Një britmë e zbehtë fëmije që vinte nga rrënojat, u dëgjua më fuqishëm se sirenat e alarmit. Një e qarë foshnje, u dëgjua më fortë se shpërtimi i bombave. Një ëngjëll sapo lindi mes zjarrit të luftës. Putin nuk e kapërdiu dot dollinë e gjakut... Mos është dobiçi im ai që lindi? Car Ivani i Tmerrshëm kërceu përpjetë nga Ferri... Mos lindi biri im që dikur vrava? Është e vërtetë Tsareviç Ivanovi lindi sërish...
©Ilir Gjini



