E di çfarë ndodh pasi heq maskën? - Nga Nino Chakvetadze
- Published in Andej-Këtej

Shqipëroi: Eda Merepeza
U rritëm duke na thënë se askush nuk duhet të dijë se çfarë kemi brenda në shpirt. Se rrobat e palara lahen në shtëpi! Na thanë se po e morën vesh të tjerët se nuk je e zonja në jetë, do të bëhesh për turp...
Dhë kështu u mësuam të shtiremi, që fëmijë.
Mos qaj, se shëmtohesh! Uaaa t'u këput shpirti tyyyy!
Qesh, që të plasin të tjerët! Ta marrin vesh që jemi për bukuri, që jetojmë të lumtur. Anipse nuk pushon sherri e shamata në shtëpinë tonë. Ti qesh! Nga inati, qesh!
U mësuam që fëmijë, të shfaqemi sikur jemi mirë. Se bota kështu na do. Ajo bota që nuk e kupton fare se po shtiremi, se edhe ajo vetë po shtiret, që ne të mendojmë se e ka në terezi.
Mbajmë secili maskën tonë prej njerëzish perfektë dhe buzëqeshim.
-Si je?
-Mirë, ti?
-Mirë dhe unë.
-Bukuri! Koha e mirë! Çfarë fati!
-Pooo
Jemi një botë të lumturish, njerëz që ia dalin mbanë. Kur je perfekt, nuk ke pse të kërkosh ndihmë, se nuk ke arsye.
Por mund të ndihmosh ata të tjerët, ata të shkretët që nuk janë perfekt si ti dhe guxojnë të kërkojnë ndihmë. Ofrohesh t'i ndihmosh dhe të bie një barrë e rëndë mbi vete. Maska të rrëshket nga fytyra.
E di se çfarë ndodh kur takohen dy maska perfekte?
Nuk ndodh asgjë.
E shumta dëgjohet një zhurmë plastike që përplaset me një plastikë tjetër, si kur trokiten dy gota njëpërdorimshe.
Nuk kanë asnjë lidhje, asnjë shkëmbim. Asgjë!!
Sepse gëzimi i vërtetë ndodh kur ka marrëdhënie. Ato lindin kur njerëzit njihen mes tyre dhe kur ata shohin se kush janë.
A mund të ketë miqësi mes maskash? Nëse do të gjallojë jeta, hiqe maskën! Të paktën me disa. Të të shohin. Ashtu siç je. I papërsosur. Që ke nevojë për ndihmë. Kur dikush të vjen në ndihmë dhe ti e lejon ta bëjë këtë, ju jeni në një lidhje. Ndihma na lidh me njerëzit. Duart të lidhura mbi hallet krijojnë atë magji që na bën të ndjehemi gjallë.
-Si je?
-Jo mirë.
-Oh, pse?
-Ndjehem vetëm. Kam frikë…
-Mund të të përqafoj?
Është normale të kesh frikë. Na ndodh të gjithëve.
Nga këtu vjen fuqia e njeriut për të bërë mirë. Buron nga guximi për të marrë mbi vete pak nga frika e tjetrit. Nga frika e të gjykuarit. Nga frika e turpit. Nuk ka gjë. I ndjen të gjitha dhe ecën përpara, pa maskë në fytyrë dhe i kapur për dore me një mik.
E di çfarë ndodh pasi heq maskën?
Nisin ta heqin dhe të tjerët me radhë.

*Nino Chakvetadze, autore e tekstit dhe pikturës. U lind në vitin 1971 në Tbilisi të Gjeorgjisë. Ilustruese librash për fëmijë.
©Teksi në shqip/EdaMerepeza



