Qytetet e padukshëm të Kalvinos - Nga Flurans Ilia
- Published in Andej-Këtej
Nga qejfi i leximit shpesh i rikthehem disa librave dhe autorëve të veçantë që i kam fort për zemër. Po rihyja duke u rikthyer këtë herë në portat e Qyteteve të padukshëm të Kalvinos pasi kisha lexuar përpara tij Qyteti i Zotit të Shën Agustinit. Të them të drejtën po reflektoja. Në çfarë drejtimi? Po ja, sikur Kalvino ta kishte parë dhe vizituar Beratin, të gjezdiste rrugicave të Mangalemit, të ulej një copë herë te pragjet dhe të provonte likotë e nikoqireve, nga dritaret poshtë Shën Mëhillit dhe Shpellës së Memecit duke pirë kafenë e mëngjesit të shihte përtej lumit Goricën edhe të nisej e të shkonte drejt saj qoftë me një teleferik në formën e një gondole, qoftë duke ecur mbi urën e vjetër prej nga ku të vinte re papritur urën e re:
“Marko Polo përshkruan një urë, gurë për gurë.
- Po kush është guri themeltar që e mban urën? pyet Kublai Khan.
- Ura nuk mbahet nga ky apo ai gur, përgjigjet Marco, por prej linjave të harkut që formojnë të gjithën.
Kublai Khan qendron i heshtur, ai reflekton. Shton më pas:
- Përse më flet për gurë? Është veç harku që më intereson.
Polo përgjigjet:
- Pa gurë nuk ka hark.”
Të merrte pastaj në këmbë rrugën e Kalasë, siç e kishte marrë edhe u kishte humbur nga sytë organizatorëve dikur Orhan Pamuk, kur kishte vizituar Beratin, dhe prej saj të sodiste atje poshtë qytetin përfshi edhe parkingun e nëndheshëm të automjeteve me ca syze tri dimensionale si ato të marinsave në operacione specialë apo me dylbi detarësh. Do të ishte mahnitur - jam i sigurt për këtë - sepse është një nga temat tërësisht kalviniane të të parit dhe përshkrimit të botës (nuk dua të them specifikisht qytetit, objektit apo njeriut, por po them në mënyrë përgjithësuese: botës) nga lart.
Që Kalvino nuk ka qenë asnjëherë në Berat dihet, mos lajthisim nga mendtë tashti, por që edhe ne kemi të drejtë të jemi pjesë e librit, të hyjmë në të jo vetëm si lexues por edhe si banor i cilitdo qyteti të përshkruar aty, çka vetë autori e ka thënë se është qellimi kryesor i këtij libri, nënkupton lehtësisht përfshirjen e banorit-lexues te qytetet e tij të padukshëm nëpërmjet armës së tij më të fortë si shkrimtar: imagjinaren.
Me të përtejmen pasi ke hyrë në letërsi që është po aq aktuale si realitet aq edhe jetëfjalëgjatësi ndaj kohës që rrjedh në rrënoja të mureve të njëpasnjëshme që qyteti yt ka mbijetuar ndër shekuj.
Te Qytetet dhe vështrimi 3. Kapitulli V, Italo Kalvino flet për një qytet imagjinar të quajtur Baucis. Ja se ç’thotë për të:
“Pasi ke ecur shtatë ditë përmes pyllit, ai që shkon në Baucis nuk ia del mbanë ta shohë, dhe ka mbërritur. Purtekat që ngrihen nga toka me një largësi të madhe nga njëra-tjetra humbasin përsipër reve që mbajnë qytetin. Ngjitemi drejt tij nëpër ca shkallë të vogla. Banorët shfaqen rrallë në të njëjtin kat: kanë tashmë atje lart të gjithë nevojat e domosdoshme dhe përzgjedhin të mos zbresin. Asgjë nga qyteti nuk e prek tokën jashtë këmbëve të gjata prej flamingoje mbi të cilat qyteti mbahet dhe, ditët kur ka diell, një hije dhëmbëza-dhëmbësa, brinja-brinja, vizatohet mbi një gjethe. Bëjmë tre hamendësime mbi banorët e Baucis: që ata e urrejnë Tokën; që e respektojnë gjer në atë pikë sa për të shmangur të gjithë kontaktet me të; që e duan aq sa të jetë përherë përpara tyre, dhe që me ndihmën e tejqyrave dhe teleskopëve drejtuar mu atje poshtë, nuk lodhen duke e shkuar mu në vrimë të gjilpërës, gjethe për gjethe, gurë për gurë, milingonë për milingonë, sodisin të magjepsur mungesën e tyre.”
Është fenomen i njohur marrëdhënia e njeriut të lindur dhe larguar prej qytetit të vet, temë të cilën edhe shkrimtarë të tjerë e kanë trajtuar me shumë kujdes për t’i dhënë ca përgjigje vetes parësisht, jo për të tjerë. Por po të vështrosh me vëmendje, nga një çështje tërësisht personale, tema vjen dhe shpërfaqet në një kuptim më universal nga një kusht i vetëm që quhet qyteti yt i lindjes, vendi ku ke ardhur në këtë botë, pavarësisht qytetit ku ke vendosur të jetosh më tej si rrjedhojë e kushteve të njohur tashmë, apo qytetit ku fati të ka rënë në llotari për t’u groposur.
Përmidis kësaj rruge të gjatë ndërqytetare njeriu mëson mbi kilometrat e përvojave të veta të përshkruajë qytete të tjerë të përgjithësueses botë. Kjo bën pjesë në librin e jetës të çdo individi, veçanërisht rrëfimtarit. Por ama qyteti yt i lindjes ngelet si të thuash fillesa, burimi, gjeneza, ADN-ja e shkrimtarit në rastin konkret.
Qytetet e padukshëm kanë si zë-rrëfimtari Marko Polon dhe bashkëbiseduesin e tij Kublai Khan; diku ndër faqet e librit më tërhoqi vëmendje ky dialog midis tyre:
- “Zotni, tashmë të kam folur për të gjitha qytetet që njoh.
- Ka ngelur veç njëri për të cilin ti nuk flet kurrë.
Marko Polo e uli kokën.
- Vencia, thotë Khani.
Markoja buzëqesh.
- Çdo herë që përshkruaj një qytet, them diçka nga Venecia.
- Kur të pyes mbi qytetet e tjerë, dua të dëgjoj të flasësh për të. Dhe për Venecian kur të të pyes për Venecian.
- Për të veçuar kualitetin e qyteteve të tjerë, duhet të nisem nga një qytet parësor që qëndron përherë i nënkuptuar. Për mua, është Venecia.”
Më vonë, pas rileximit të librit ku kapitulli i Baucis më kishte tërhequr vëmendjen prej kushedi se çfarë arsyeje të panjohur, duke hulumtuar në ca detaje lidhur me ndërtimin e Qyteteve të padukshëm të Italo Kalvinos, papritur zbulova se Baucis ishte qendra simetrike e krejt librit, sipas disa hulumtuesve.
E çuditshme se si përkojnë gjërat, i thashë vetes, por është kryekëput çështje lexuesi. Nga këndvështrimi i banorit aktual të një qyteti, ja tek po e them me zë të lartë se, Qytetet e padukshëm të Italo Kalvinos duhet të jetë patjetër Bibla e çdo kryetari bashkie të cilitdo qyteti të botës.
Montréal, 1 Maj 2022
©Flurans Ilia



