Andej-Këtej

Pse Bota përfiton prej “Pax Americana”? - Nga Burim Bardhari 

Pse Bota përfiton nga Paqja amerikano-centrike, jo nga Rusia e Kina dhe as Meslindja? Ngase Amerika nuk pushton kur mposht por miqëson dhe mundëson bashkëpunimin.

Rusia ishtë mësuar me Turqinë të cilën e mundte pothuajse vazhdimisht për katër shekuj që nga viti 1600, mirëpo i hasi sharra në gozhdë me Ukrainën, edhe më keq se me Afganistanin, si lufta e paleverdisshme e Amerikës me Vietnamin, të cilën flakë e ndezi fuksa frënge dhe u tërhoq vetëtimthi. Mirëpo amerikanët dërmuesisht e dënuan luftën me Vietnamin dhe nuk iu hiqet njolla, ndërsa përkrahësit rusofilë dinë vetëm të shfajësojnë dështimet e tyre duke urryer Amerikën, sepse ia kanë zilinë. Si edhe kundërshtarët e tjerë, të cilët duan vetëm ta mjelin e shfrytëzojnë, jo edhe ta ndihmojnë duke bashkëpunuar brenda mundësive për shembjen e diktaturave.

Me të njëjtën dinakëri edhe Serbia skile, mjerisht mike e shqiptarëve me mendësinë e lugetërve të “vëllazërimizmit” ideologjik komunist, nxiti LB1 për Rusinë dhe aleatët e saj perëndimorë e cila pasoi natyrshëm me LB2 mirëpo edhe LB3 mund të shpërthejë prapë papandehur nga Rusia. Por kësaj radhe drejtpërdrejt, sepse vetëm Rusia deri sot nuk i nënshtrohet bashkëpunimit me Paqen Amerikane (“Pax Americana”) si rend i ri botëror republikan, pa perandori dhe pa pushtime shtetesh vegjëlitarë me imperializmin e fuqimadhit (rusisht “silovik-i”) të papërgjegjshëm. Ngase bashkarisht mposhtën përbindshin e çmendur gjerman Hitlerin i cili synoi shpartallimin e dytë të Rusisë, siç e shpartalluan gjermanët herën e parë Rusinë cariste gjatë LB1 në vitin 1917 dhe si rrjedhojë u shfronësua car Nikolla. Por kjo humbje pahiri solli sundimin më të egër të radhës, komunizmin ateist me “recetën pa kombe” e “pa Zot” (për ta asgjësuar tërthoras me të njëjtin gur edhe ndikimin fetar) që të përfitonte vetëm vëllai vigan rus mbi vëllezërit e vegjël urdhëratës, duke i shkrirë e shpronësuar vegjëlitë me ideologjinë barazitare të përrallëzuar. Sepse të gjthë komunistët vetëm u varfëruan barazisht, siç bënin përpara tyre fetaristët nën ndikimin e dogmave meslindore dhe fqinjore, duke fshehur nacionalizmin brenda fesë, me përrallëzime të tjerë të premtimit parajsor, sillen kinse ata janë pronarët e kopshtit të këndshmërisë.

Pas Luftës së Parë Botërore perënduan palojafjalthi katër perandori; Rusia Cariste në lindje, Turqia Osmane ballkanike dhe meslindore, Austro-Hungaria kontinentale evropjane dhe Britania (Anglia) si tallazokraci ishullore ose valësundimtare. Mirëpo prej rënies tyre u ngrit sërish shqiponja e lashtësisë Egjiptiane si Feniksi dhe lindi ylli i ri në nënqiellin politik, Amerika matanë oqeanit, si superfuqi ushtarake por edhe ekonomike.

Pa dyshim se edhe Amerika përbaltet periudhtas nga udhëheqësit e paaftë ose nga pangopësia dhe përfitimi i tyre i përkohshëm, mirëpo përderisa i pranon gabimet dhe nuk i përsërit pareshtur, atëherë bota frymon e lirë dhe mund të përzgjedhë mes Paqes Demokratike Amerikane dhe Diktaturës ish-komuniste nacionaliste ruse ose kineze, apo fetarizmin meslindor mesjetar. Ngase këto janë nënrrymat e lodrimit politik të Pu(sh)tinit dhe “pushtimtarëve” të tjerë, të cilët pramatarë vishen me gëzofin e çlirimtarëve shpëtimtarë, janë vetëm revizionistë të paaftë dhe mbjellin varësi e skamje.

Gjermanët poashtu nga mendjemadhësia e moçaltë vetë e humbën LB1, mirëpo njëkohësisht shkaktuan shpartallimin e Rusisë cariste, e cila cyti kushëririn e vogël djallucor, Serbinë shpifëse, që ta nxiste luftën me Austro-Hungarinë nga dorasi (anëtar i strofullës nacionaliste serbe “Dora e zezë” ose serbisht “Crna ruka”) duke vrarë dukën Franc Ferdinand, trashëgimtarin e fronit perandorak austriak, që enkas të përfshihej në luftë edhe Gjermania. Ngase ajo fuqizohej epërsisht para fqinjëve tjerë, të cilët e dinin se nuk e mposhtnin veç e veç dhe duhej t’i binin kokës bashkarisht, para se të sendërtohej realiteti i superfuqisë së re Evropjane, që i prin Bashkimit të saj sot. Detyrimisht se kujdeset më parë për mirëqënien vetjake dhe pastaj për tjerët dhe është kundërshtare e lugatit të Rusisë sovjetike imperialiste, ose cariste, ujkut të uritur ujëturbullues.

Mirëpo rrjedhimisht, Amerika bashkë me Rusinë, mposhtën edhe Gjermaninë kryeneçe, ndërsa Amerika ngadhnjeu edhe kundër Japonisë dhe që të dy shtetet humbëse pranuan turpin e fajita të tyre duke iu nënshtruar ftesës së bashkëpunimit Amerikan për një ardhmëri të re. Sepse gabimet përmirësohen nëse pranohen, jo si Rusia e Serbia, që kurrën e kurrës nuk pranojnë asnjë gabim dhe vetëm shtrembërojnë duke barazuar viktimat me fajësinë e tyre si sot, edhe sulmojnë, edhe ankohen.

Pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1952 Amerikës iu bashkangjit edhe Turqia duke u anëtarësuar në NATO, sepse Stalini iu kërcënua që t’i rivendikonte tokat të cilat ai i cilësonte të Gjeorgjisë (vendlindjes tij), siç trillon Putini sot për tokat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës e Moldavisë.

Habit se përfundimisht u hap edhe Kina në vitin 1972 dhe pranoi bashkëpunimin e shkëmbimin ekonomik, pasiqë përfitoi vetë më shumë nga bartja e njohurive Perëndimore dhe Kapitalit se sa Perëndimi, që gaboi me investime të vëllimshëm, aq sa punët amerikane dhe evropiane i bartën atje dhe i lanë shtetasit e tyre pa punë fabrikash duke pandehur se Kinës i duhej kohë ta merrte veten, por ndodhi më shpejt seç parashikuan kapitalistët e pangopur.

Deri në vitet 80-të të shekullit XX, këta lojtarë ndërkombëtarë vdisnin nga uria, por u rimëkëmbën nga Kapitali Perëndimor, prandaj duhet ritheksuar për rusofilët periudha e varfërisë së trishtueshme të vendeve qe i takonin bllokut Sovjetik Rus, varfëria e Turqisë gjatë viteve 70-të, ose Kina e kuqe, siç vuan Korea Veriore sot. Pavarësisht se sot Kina ka “mana” (money) dhe Rusia ka energji, ato ende nuk janë në gjendje ta përdredhin dorën e Perëndimit dhe ndoshta tentuan, se këtë zbulon kjo luftë aventureske e Pu(sh)tinit duke synuar edhe përfshirjen e Taipit në bllokun aziatik.

Megjithatë, Gjermania dhe shtetet aziatikë, raca e verdhë, dëshmuan mençurinë e vërtetë, ngase investuan Kapitalin Perëndimor për zhvillimin e vendit, si Japonia dhe Kina e Korea Jugore dhe pjesërisht Turqia me reformat e Ozal-it. Nuk i shpërndanë pasuritë e popullit mes oligarkëve fuqimëdhenj (silovik-i) si Pu(sh)tini, oligarkë të cilët i përdor si mushka për bartjen e pasurisë së tij disamiliardeëshe, që nuk vilet me rrogën e kryetarit ose kryeministrit por duke shpërndarë pasurinë dhe tenderat me partinë e tij dhe njëkohësisht duke i dhuruar thërrimet popullit rus që zakonisht vuan nga prijësit e llojit Stalina e Lenina, edhe pse prodhon gjenitë si Dostojevski. Rusët e rëndomtë durojnë çdo gjë nga druja, përderisa nuk ka luftë dhe nuk mungojnë ushqimet, por lufta kundër Ukrainës dalëngadalë i zbraz raftet e tregtizave si në përiudhën skamnore të komunizmit.

Rusia duhej të futej në gardhin evropian dhe jo t’i vrasë vëllezërit e gjakut shtazërisht si Serbia matanë, vëllezërit e së cilës ose fqinjët, nuk kanë faj, se nuk duan ta përjetojnë varfërinë e druajtur të ish-Bashkimit Sovjetik në ribotim, sepse Rusia nuk çlirohet nga mendjemadhësia e mykur që të bëhet superfuqi ekonomike ngase ka pasuri mbi 75 triljonë dollar. Por pandeh se me gurin e fuqisë ushtarake ruan kufijtë e hallakatur dhe nxjerr shpërblime e pagesa të dhunshme nga vegjëlitë si Siria e Kazakistani ose Turqia dhe periudhtas nga Perëndimi, në vend që të lulëzojë ekonomia dhe t’i bashkojë fiset sllavë për jetë të denjë si shtetet nordikë skandinavezë.

Vuajnë rusët, por vuan edhe Evropa e bota nga marrëzia e një diktatori. Rusia, nga paaftësia për zhvillim ekonomik, sepse vetëm shet lëndën e parë dhe pandeh ta fusë në valle Kuçedrën e kuqe që këndell krahët duke trimëruar anësh teatrin tragjikomik ku vriten evropianët, sepse Kina është dhjetë herë më e fuqishme ekonomikisht se Rusia dhe më dinake. Putini dhe Rusia, të cilëve nuk u ndezi as tentimi i pahetuar për ta përçarë Amerikën dhe NATO-n, nga djallëzia e tillë ranë vetë në kurthin e kurdisur për tjerët, sepse sot i shfrytëzon Kina në eksperimentim, a ndoshta edhe Turqia oportuniste që herë hiqet mike e tyre dhe herë kundër tyre.

Nga kjo djallëzi Rusia synoi edhe “de-dollarizimin” Amerikan të tregtisë botërore bashkë me Kinën, ndoshta edhe miratimin e heshtur të Turqisë, por vetë është duke humbur pasurinë nga shterja e tregtisë, poashtu e humbi Ukrainën si Millosheviçi Jugosllavinë. Ngasë ata duan hegjemoninë pa punë dhe në kurriz të të tjerëve. As që mund të krahasohet etika e punës së rusëve “vodkarë” dhe serbëve “shlivovarë” me etikën e punës gjermane, nordike, japoneze ose kineze.

Ndoshta nga ky këndvështrim shpresimisht pushon edhe lufta e paleverdisshme, sepse ka vetëm humbje për të gjithë edhe për fituesit. Pjesërisht plagos ekonomikisht edhe Evropën e Amerikën, mirëpo edhe pse Ukraina u rrafshua dhe mjerisht u vranë viktima të pafajshme, por edhe rreth 30 mijë ushtarë rusë, ajo do të rindërtohet mbi kujtimin e dëshmorëve. Dalëngadalë, ngase u çlirua njëherë e përgjithmonë nga arusha e tërbuar, si Kosova e Kroacia nga Serbia.