Andej-Këtej

Për dashurinë e një unaze - Nga Artan Gjyzel Hasani

Ajo ishte një unazë me histori. Dërguar sime mëje nga i jati që jetonte në Kairo për të mos e parë kurrë të bijën.

“Është e kushtueshme dhe unike siç je ti bija ime, por nëse do të mbetesh keq, mund ta shesësh dhe të mbijetosh.”, i shkruante ai në letër.

Por unaza mbeti në gishtin e tim eti meqë i rrinte e madhe nënës. Një jetë të tërë aty. Pas vdekjes së tij unaza zuri vend në gishtin tim. Kujtimi i vetëm nga im atë. Kujtimi më i dashur i tij nga ime më. Kujtimi më i çmuar për të nga i jati i saj.

Ime gjyshe ngushëllohej duke e prekur, duke e puthur fshehurazi e duke thënë “E ka prekur edhe dora e tij. Me siguri e ka provuar në gisht të tij para se ta blejë e t’ia dërgojë bijës sonë të vetme”.

Dhe unë nuk e shita atë unazë kur tallazet e jetës më katandisën për bukë të gojës. As që e shkova në mendje. Atëhere e kisha kuptuar që ajo copë floriri me një gur jeshil në mes nuk ishtë më unazë, por njeri. Një njeri gjysëm gjallë gjysëm vdekur për të cilin duhej të kujdesesha e të mos e braktisja kurrë në jetëvdekjen e tij.

Ishte bërë simbol i çdo gjëje të shtrenjtë që kisha pasur e nuk e kisha më.  Pjesë e pandarë e dorës dhe shpirtit tim për një çerek shekulli.

Unaza pati një fund të palavdishëm. Besoj se më ka rënë nga gishti ndërsa po udhëtoja me makinë rrugëve të Ocean City në Deleware. Unazë e lindur në Arabi, e mbijetuar në Ballkan dhe vdekur në Amerikë. E kuptova që e kisha humbur kur një komentuese shkruajti në një selfie që sapo kisha postuar në Facebook: “Sa çudi... unaza nuk qënka në gishtin tend”.

Dhe në epokën fotografike të mediave sociale miqtë dhe adhuruesit mund t’i ngatërrojnë edhe emrin, por jo unazën që mban në dorë një poet.

Unaza e florinjtë gurjeshil nuk ishte më. Kishte vdekur në moshën 70 vjeçare. Si njerëzit. Dhe jeta e saj si e tyre. E trazuar. Edhe vdekja. Nga shkaqe të panjohur. Vallë sa mund të jetë jeta mesatare e një unaze? Nuk ishte një unazë martese, por i kisha qëndruar besnik më shumë se çdo gruaje që kisha njohur në jetë. Nuk e kisha hequr kurrë nga gishti.

Çuditërisht brengosja ime nuk zgjati shumë. Më shumë zgjati heshtja që pasoi. Muaj të tërë. Ndoshta isha bërë imun jo vetëm ndaj fjalëve dhe dhimbjes, por edhe ndaj kujtimeve. Kisha humbur më parë njerëzit më të shtrenjtë dhe maçokun tim.

I kisha mbaruar betejat me shpirtin dhe nuk mund të më vriste më asgjë. Një humbje e dhimbshme më shumë e cila do të fashitej me kalimin e kohës si gjithçka tjetër. Dhe pothuajse kisha filluar ta harroja parakohe, më egoistja e të gjitha harresave…

Kisha filluar të mësohesha me mungesën shpirtërore të unazës, por jo me mungesën fizike të saj. Në gishtin tim akoma ishte gjurma e saj e njohur. Si çikatriksi i një plage të vjetër të cilën duhet ta mbulojmë e të mos duket.

Dhe kështu porosita një unazë të re, të ngjajshme në pamje me të vjetrën. Kisha menduar që të paktën kjo do të ishte disi ngushëlluese dhe mbase do të filloja ta doja unazën e re, e pse jo, ta bëja edhe atë një unazë me histori në dorën që do ta mbante kur unë të mos isha më.

Në çastin kur e vura në gisht të renë sytë dalluan në të unazën e vjetër. Fytyrat e dashura m’u shfaqën si në një kaleidoskop të praruar që fillonte në mendje dhe mbaronte në shpirt. Por kur e preka me dorë ajo u zhduk bashkë me fytyrat e dashura.

Po më mbysin kujtimet dhe historia e të vjetrës. Dashuritë, xhelozitë, tradhëtitë që ia kishin lëkundur ndonjëherë vendbanimin dhe shkëlqimin… Brenga e vjetër qënka e re dhe varri shndërruar në djep.

E përkëdhel unazën e sapoblerë, përpiqem ta dua, por shkëlqimi i floririt të saj është i ftohtë dhe guri jeshil, sado i kushtueshëm, ndihet si gruaja kur fle në shtratin e burrit të një tjetre.

Më kaplon një ndjesi tradhëtie. Një tradhëti e dyfishtë. Ndaj asaj që kam humbur dhe ndaj të resë. Sikur e kam joshur pa i rrëfyer se para saj në atë gisht ka nusëruar një tjetër. Do ta ndjejë vallë që e kam ndjellur duke përfituar nga mosha e saj fare e re? Dhe do të hakmerret kundër meje në mënyrën e saj të artë duke mos më treguar varrin?

Tani që po shkruaj këto rreshta duket sikur po vallëzon bashkë me gishtat mbi tastierë. Vallëzon dhe gëzon sepse është fare e re dhe nuk di të lexojë, por veç të shkruajë…

Mbase do fillojë të më dojë edhe ajo dikur, por nuk e di nëse unë dua të ndodhë vërtet kjo gjë.

Dashtë Zoti të vdes para kësaj unaze të re.

Kam frikë se nuk do të shkruaj asgjë në kujtim të saj.

Mbase veç një “Më fal”.

Nëse do të mundem…

©Artan Gjyzel Hasani