Vëzhgim mbi operacionet ajrore të NATO-s prej fillimit të luftës në Ukrainë - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej

Dritan Goxhaj
Në datë 7 janar të këtij viti, në takimin onlinë të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i saj ndër të tjera pat deklaruar “Ҫdo agresion i mundshëm ndaj Ukrainës do të ketë pasoja të rënda dhe do të ketë një çmim të rëndë për Rusinë. NATO gjithnjë do të ndërrmarë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur aleatët, përfshirë edhe forcimin e nevojshëm të mbrojtjes kolektive”.
Që pas këtij agresioni në datë 24 Shkurt, le të shohim se si ka reaguar NATO në raport me këtë deklaratë të sajën.
Që të nesërmen e datës 24 Shkurt, NATO ka rritur prezencën e forcave të saj në gjithë pjesën lindore të Evropës që korrespondon me pjesën lindore të aleancës. NATO ka pozicionuar në këtë pjesë forca të saj tokësore, detare dhe ajrore.
Përsa u përket forcave ajrore, avionët ushtarakë të NATO-s kanë rritur jo vetëm prezencën, por edhe operacionet e tyre të fluturimit kryesisht mbi Poloni, Bullgari, Rumani dhe vendet Baltike.
Këto operacione fluturimi janë pjesë e Komponentit Ajror të Forcave të Përbashkëta, të cilat janë pjesë e Komandës Ajrore të Aleancës dhe që gjatë këtij operacioni të policimit ajror të shtuar janë totalisht nën kontrollin e Qendrës së Kombinuar të Operacioneve Ajrore me bazë në një bunker nëntokësor në Uedem të Gjermanisë, e cila mbështetet edhe nga Qendra e Komandës dhe e Kontrollit të Disponueshëm në Pogio Renatico në Itali.
Për të kuptuar më mirë këtë lloj operacioni duhet më parë të sqarojmë se çfarë është policimi ajror.
Sipas NATO-s, “Policim Ajror është një mision i NATO-s në kohë paqeje që përfshin përdorimin e sistemit për kontrollin e hapësirës ajrore dhe manaxhimin e sistemit për komandimin dhe kontrollin e forcave të aviacionit me forcat dhe mjetet e duhura të mbrojtjes kundërajrore, për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s dhe shteteve të saj anëtare”.
Tashmë ky policim ajror është bërë më i shtuar duke rritur konsiderueshëm patrullat ajrore luftarake. Dhe i gjithë ky aktitvitet i zgjeruar i këtij policimi ajror, tashmë njhet nën emrin e koduar “Aktivitete të Vigjilencës së Zgjeruar”. Gjatë këtij operacioni policimi, Komanda Ajrore integron avionët e forcave ajrore aleate, avionët e furnizimit me karburant në ajër, platformat e paralajmërimit dhe kontrollit ajror të aleatëve dhe vetë NATO-s që janë avionët AWACS (avionët radar).
Kjo do të thotë se gjatë gjithë kohës, pra në një periudhë kohore prej 24 orësh, NATO mban në ajër një numër prej 30 avionësh të ndryshëm. Ndërkohë që Rusët mbajnë në ajër në të njëjtën kohë mbi Ukrainë dhe Rusi një numër avionësh të kombinuar prej 50-60 copë.
Aktualisht i gjithë ky operacion ajror i NATO-s është i bazuar në 6 drejtime kryesore.
1. Në Veri ndodhen të stacionuar dy detashmente të policimit ajror të bazuar në bazën ajrore të Amari në Estoni dhe në bazën ajrore Siauliai në Lituani. Avionët e vendosur në këto baza patrullojnë qiejt në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Detin Baltik, me vëmendje të veçantë enklavën Ruse të Kalinigadit.
2. Në Lindje ndodhet i stacionuar një detashment i pozicionuar në dy baza ajrore në Poloni dhe në bazën ajrore të Spangdahlem të Gjermanisë nga ku operojnë avionët F-35 amerikanë.
3. Më në Lindje ndodhet një grup tjetër patrullimi që përbëhet nga avionë çekë dhe hungarezë, të cilët asistohen dhe ndihmohen në këtë patrullim edhe nga avionë amerikanë të tipit F-18 që ngrihen nga një aeroplanbajtëse amerikanë në Adriatik.
4. Një grup tjetër patrullimi është i vendosur në tre baza ajrore të Rumanisë ku janë të përqëndruar edhe avionët britanikë të tipit Typhoons.
5. Grupi i pestë përbëhet nga avionë dhe mbrojtja ajrore e Bullgarisë e cila asistohet nga avionë të tipit F-16 hollandezë të stacionuar në një bazë ajrore bullgare.
6. Ndërsa grupi i gjashtë përbëhet nga avionët mbështetës dhe ata të zbulimit të cilët janë të vendosur në bazën ajrore britanike të Mildenhall, në disa baza ajrore gjermane, si dhe bazat ajrore në Qipro, Kretë dhe Prevezë të Greqisë, Konia të Turqisë dhe në Hollandë.
Përveç policimit ajror, zbulimi është një tjetër aspekt i rëndësishëm i operacioneve të NATO-s. Zbulimi bëhet për të grumbulluar informacione të dobishme mbi operacionet ushtarake ruse në Ukrainë dhe për t’i ofruar palës ukrainase informacione të nevojshëm mbi vendodhjen e forcave ruse.
Për mbledhjen e këtij informacioni në këtë operacion zbulimi, NATO përdor disa avionë të ndryshëm me dhe pa pilot, që kryesisht operojnë nga bazat ajrore të Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Anglisë dhe Turqisë. Këto operacioni zbulimi janë shtrirë kryesisht në tre hapësira:
1. Përgjatë kufijve polakë me Bjellorusinë dhe Ukrainën;
2. Përgjatë kufijve rumunë me Moldavinë dhe Ukrainën;
3. Përgjatë gjithë hapësirës së Detit të Zi në kufi me Ukrainën dhe Rusinë.
Pavarësisht luftës në oborrin e saj, ashtu si e thashë edhe më lart, ky është vetëm një operacion policimi ajror i zgjeruar, dhe policimi ajror kryhet në kohë paqeje. Pra i gjithë ky operacion po kryhet sipas rregullave strikt në kohë paqeje. Që do të thotë se në rast të shkeljes së hapësirës ajrore të aleancës nga ndonjë avion rus, reagimi i aleancës ndaj kësaj shkeljeje do të jetë tepër i vonuar dhe i paefektshëm ndaj shkeljes.
Po pse do jetë kështu? Ҫfarë do të thotë kjo?
Shembulli më i pastër i kësaj, është ai i datës 10 Mars të këtij viti, ku një dron ushtarak i tipit Tu-141, prodhim i vitit 1970 me peshë 6 tonë, i lëshuar nga forcat ajrore ukrainase, doli jashtë kontrollit të tyre dhe hyri në hapësirën ajrore evropiane. D.m.th. në hapësirën ajrore të NATO-s.
Ky dron shkeli në hapësirën ajrore të tre vendeve të NATO-s derisa u rrëzua vetë në Kroaci. Edhe pse droni u interceptua nga Komanda e Ajrore e NATO-s, sërish asnjë nuk mundi ta rrëzojë atë, jo se nuk i kishin kapacitetet ushtarake, por se vendimarrja për rrëzimin e dronit në një kohë paqeje, kalon nëpër një burokraci të vërtetë.
Për të rrëzuar këtë dron vendimi duhet marrë në fillim nga kryeministri i vendit mbi hapësirën ajrore në të cilën ndodhet mjeti ajror, por ky kryeministër nuk ka autoritet ushtarak mbi pilotët e avionëve që patrullojnë qiejt e tij, kur këta avionë i përkasin një shteti tjetër të aleancës.
Në këtë rast Shefi i Shtabit të vendit mbi të cilin ndodhet avioni duhet t’i kërkojë shefit të shtabit të vendit që posedon avionin që po patrullon në atë moment në ajër, i cili nga ana e tij t’i kërkojë kyeministrit të tij që të autorizojë pilotin të godasë mjetin ajror shkelës.
Siç edhe shihet, vetem duke e sqaruar dhe ngatërrohesh, imagjinoni tashti gjithë këtë proçes sa kohë mund të marrë. Kjo, ndodhi edhe natën që ky dron hyri në hapësirën ajrore të NATO-s, sapo arrihej që të sqarohej kryeministri i vendit mbi të cilin ndodhej droni në atë moment, ai kish kaluar në hapësirën ajrore të shtetit tjetër, e kështu me radhë.
Pra edhe pse qartësisht NATO i ka përcaktuar si një rrezik operacionet ruse dhe vetë Rusinë, sërish ajo nuk ka qënë në gjëndje që të ndryshojë të paktën këtë rregull të angazhimit në luftim në rast të një shkelje ajrore që do të përbënte rrezik. Pra derisa të merret vendimi për të rrëzuar ndonjë dron rus, ai ka hyrë, ka mbaruar punë dhe ka rihyrë sërish në hapësirën ajrore ruse, pa mundur t’i bëhet asnjë gjë.
©Dritan Goxhaj



