Andej-Këtej

Kur shtynim karrocën me libra për Bibliotekën Kombëtare në qendër të Parisit - Nga Ethem Ruka

Ethem Ruka

Komshiu më i afërt me dhomë time në Kolegjit holandez (Collège néerlandais) të Qytetit Ndërkombëtar Universitar të Parisit ishte një djalë holandez që quhej Piter. Ishte student në Shkenca Politike. Përshëndeteshim vazhdimisht me mirësjellje, por pa patur ndonjë miqësi shumë të madhe.

Një ditë, Piteri trokiti në derën time dhe më përshëndeti. Më tha se do të largohej. Kishte shumë libra me vlerë në fushën që kish studiuar dhe më tha se nëse dëshiroja mund të m’i dhuronte. E falënderova shumë dhe i thashë do t’u hedh një sy, megjithëse nuk isha i fushës. Ai i kishte paketuar librat në dy arka dhe m’i solli te dera e dhomës. E falënderova shumë dhe i urova vazhdimësi të mbarë në profesionin e vet.

U bëra kurioz dhe i hapa librat. Të gjithë ishin në anglisht dhe mesa duket ishin libra të shtrenjtë. Çfarë të bëja me to? T’i hidhja më erdhi keq. Mendova t’i sillja në Tiranë, por e dija që do të kosideroheshin libra të ndaluar.

Në ato vite Shqipëria ishte e varfër dhe nuk kishte mundësi të blinte shumë libra për Bibliotekën Kombëtare. Vendosa t’i dërgoja në Shqipëri me një kamion të “Albtransportit” të atëhershëm që kish sjellë domate në Paris. Fola me kamionistin për t’i transportuar deri në Shqipëri.

Ai hezitoi duke patur frikë se mos në Doganën shqiptare e akuzonin për futje të libarve të ndaluar. I shpjegova se përgjegëjsia ishte e imja dhe këtë do deklaroja në një letër të firmosur që ai du t’ua tregonte autoriteteve doganore. Ai kishte të drejtë, megjithëse as unë nuk isha i sigurt.

Njëherë desh më ndalën në Doganën shqiptare në Rinas “Larousse”, fjalorin enciklopedik francez, të cilin pasi e kontrolluan, panë fotografinë e Hitlerit dhe më thanë se ishte rreptësisht e ndaluar. Iu shpjegova se këtu është edhe fotografia e Enver Hoxhës dhe Stalinit. Kur panë emrat dhe fotot e tyre me shumë hezitim më lanë ta kaloja në doganë.

Më në fund kamionisti, një burrë shumë i mirë me origjinë nga Sukthi, pranoi me kusht që unë t’ia çoja pakot me libra në Quai d’Orsay të lumit Sena, diku afër Kullës Eiffel, ku ai kish parkuar makinën.

Për të lehtësuar peshën e pakove kërkova ndihmën e nje miku tim të mirë, Kiço Vathit, që studionte në Paris për Paleontologji.  Bashkë me Kiçon morëm Metronë në stacionin më të afërt “Denfert Rochereau”. Kur lamë Metronë në stacionin “Champ de Mars” do t’na duhej të bënim edhe rreth një kilometër në këmbë. Për të mbrritur deri te vendi ku ish parkuar kamioni duhet të merrnim bulevardin që kalonte para kullës së famshme Eiffel.  Ishim në zemër të Parisit.

U nisëm me arkat në krahë, por ishin mjaftë të rënda. Për fatin tonë të madh vumë re një karrocë dore në një nga lulishtet buzë rrugës. Pamë menjëherë rreth e rrotull, morëm karrocën dhe vendosëm pakot në të. Filluam herë njëri e herë tjetri të shtynim karrocën në trotuar. Nxituam që të tërhiqnim sa më pak vëmendjen e kalimtarëve, por fati nuk na ndihmoi.

Për fatin tonë të keq, pikërisht aty, kaloi një makinë e Ambasadës sonë në Paris. Mesa duket shoferi kish nxjerrë për shetitje një mjek, që ishte dhëndëri i një njeriu shumë të pushtetshëm në atë kohë. Na panë, ndaluan dhe u habitën që po shtynim karrocën në mes të Parisit. Na pyetën me të qeshur se çfarë po bënim. U thamë me shaka se kishim filluar punën në Shërbimin komunal të Parisit. Pastaj u shpjeguam se çfarë ishim duke bërë.

Me siguri na morën për budallenj dhe vazhduan rrugën pa na dhënë ndihmë, ndërsa ne vazhduam të shtynim karrocën me libra. Kështu është ndarë kjo botë thamë, por nuk u pezmatuam. Arritëm në vendin e duhur dhe i ngarkuam librat në makinë. Pasi falënderuam kamionistin, i dhashë një zarf në të cilin deklaroja kush isha dhe se këto libra ishin për Bibliotekën Kombëtare.

U kthyem sërish duke shtyrë karrocën të cilën e lamë në vendin ku e morëm. U ndjemë të lehtësuar, mgjithëse unë isha i merakosur se çfarë mund të mendonin doganierët dhe autoritetet në Tiranë për këto libra që mund të konsideroheshin si libra të ndaluar.

 Për fat të mirë librat mbrritën në Bibliotekën Kombëtare dhe mua nuk më tërhoqi njeri vërejtje, por edhe nuk më tha askush faleminderit. Për të qenë edhe më i sigurt vura në dijeni edhe Atasheun Kulturor të Ambasades sonë në Paris.

Sot që po e shkruaj këtë histori, mund të duket qesharake, por unë e gjykoj thejsht si një gjest atdhedashurie. Nuk kërkova të më lavdëronte askush, por bëra një gjest simbolik për pasurimin sado pak të Bibliotekës tonë Kombëtare.

Unë dhe gjithë brezi im e donim pafund këtë bibliotekë si një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare. Gati çdo mbasdite e kalonim duke lexuar në sallat e saj, aq sa ca të marrë na thoshin “peshkopët” e bibliotekës. 

Kjo bibliotekë u themelua më 10 korrik të vitit 1922. Në ato vite fondi i saj numëronte vetëm 6000 vëllime, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore 15,000 dhe sot më shumë se një million të tillë. Fondet e saj u rritën dukshëm vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur u konfiskuan bibliotekat e pasura private të Mit’hat Bej Frashërit, Lef Nosit, Mustafa Krujës etj.

Brenda saj përfshihet një thesar i pallogaritshëm duke filluar nga shkrimet e para në shqip të Mesharit të Buzukut, shkruar më 1555, Abetarja e Naum Veqilharxhit, shkruar më 1884 e deri në botimet e fundit të ditëve tona.

Aty ruhet gjithë pasuria jonë botuese, përfshirë edhe botimet e mia. Jo pak, por më shumë se 140 botime mbajnë edhe emrin tim. Ajo është banka ku ne shqiptarët kemi depozituar prodhimin tonë intelektual të shkruar.

Fondet e Bibliotekës Kombëtare rriten çdo ditë, ndërsa mjediset e saj janë bërë krejt të pamjaftueshëm. Dëmtime të rënda kanë prekur fondet e saj, si një zjarr i vitit 2013 që shkrumboi 3000 vëllime dhe një përmbytje më 23 qershor të vitit 2018 që maskroi 12, 000 libra e koleksione gazetash.

E pafalshme për ndërgjegjen e një kombi. Ia vlen çdo sakrificë financiare për të ndërtuar një bibliotekë të re që ruan brenda saj identitetin dhe kujtesën e shkruar të vendit. Për mua asnjë investim nuk do t’ia vlente para shpëtimit të kësaj pasurie të madhe kombëtare që po u dëmtua e u zhduk, nuk do të mund rikthehet më asnjëherë.  Brezat që do të vinë nuk do t’ua falin vendimarrësve.

©Ethem Ruka