Ocean City stories - Nga Artan Gjyzel Hasani
- Published in Andej-Këtej
Jam duke tymosur në një shesh të Ocean City në Maryland.
Një burrë duke dalë nga parkimi perballe e gërvish goxha makinën pas një shtylle betoni. Kur sheh dëmin vë duart në kokë dhe nuk u beson syve. Përpiqet ta fshijë me një leckë, por gjurma e demtimit është akoma aty dhe e madhe. Duket qartë që duhet çuar të riparohet te llamarinisti e pastaj të lyhet.
Ndërsa burri vazhdon të shajë e të turfullojë i dëshpëruar, nga nje dyqan del një grua që ndalon pranë tij. Është e shoqja.
I pikëlluar në kulm ai i tregon asaj dëmin që i ka bërë makinës.
Gruaja e kqyr me vëmëndje vendin e dëmtuar, kthehet nga i shoqi dhe në vend që t’i bërtasë siç ndodh rëndom në të tilla raste, i fut një të puthur të gjatë në buzë. Pastaj ia largon kokën nga duart e saj, e veshtron thellë në sy dhe e puth përsëri në buzë akoma më gjatë.
Ndoshta edhe më thellë.
Qëndrojnë disa çaste ashtu të bërë një.
Më gëzon deri në mahnitje reagimi i gruas. Bëhem gati t’i them “Ju jeni vërtetë zonjë dhe fisnike!”, por gruaja largohet nga i shoqi që akoma po merret me llamarinën e shtrembëruar, mbështetet pas një peme aty pranë, ndez një cigare dhe merr dikë në telefon.
Ndez edhe unë një cigare tjetër, duke pritur që ajo të mbarojë telefonatën dhe t’i shpreh admirimin tim.
Bën nxehtë dhe është dita ime e fundit në atë qytet.
Një puhizë e lehtë më freskon dhe më sjell në vesh fjalët e gruas fisnike që akoma është në telefon: “Nuk e dëmtova unë, por ai shkërdhata idiot!”.
©Artan Gjyzel Hasani



