Andej-Këtej

E errëta nuk është gjithnjë e errët - Nga Dashnor Kokonozi 

Një autobus linje. Itinerari qendra e qytetit-varrezat e Tufinës. Zagushi. Njerëz të lodhur, që ruajnë një farë distance me njëri-tjetrin. Aq kanë në dorë, në mungesë të klimatizuesit.

Kjo nuk ndodh me dikë që më rri ngjitur. E ndjeva dorën e tij rrotull xhepit tim. As që kthej kokën ta shoh. Kur u bë ca si punë e bezdisshme, u përkula drejt tij, pa e vështruar në sy, për t'i treguar se as më intereson të di se cili jeni. Ngadalë e qartë i thashë se në xhepa nuk kisha as para (të paktën jo aq sa e kishte ai ditën e punës) dhe as telefon. 

Isha nisur për diku ku desha absolutisht të mos kem asnjë ngacmim nga jashtë.

Gjithmonë kujdesem të mos tërheq vëmendjen, në kësi rastesh. E shmang çdo përplase të drejtpërdrejtë. Se në çast bëhen të dhunshëm, të pakontrollueshëm. 

Më vështroi gjatë dhe vendosi të më besonte. Të paktën nuk u afrua më nga unë.

Zbrita dhe e ndjeva menjëherë ndryshe gravitetin të tokës, siç ndodh kur u afrohesh vendeve të tilla.

Zbriti edhe ai.  E ndjeja nga pas. Kjo më shqetësoi. Në raste të tjera dinë të vlerësojnë faktin që nuk u ke bërtitur, që nuk i ke denoncuar, që ta njohin të gjithë. Dhe të lënë rehat.

Ky, mirësjelljen time e kishte marrë për dobësi.

- Ej, ti! - e dëgjova të më thërrasë nga pas, kur autobusi kaloi para nesh.

Ishim vetëm. Nuk qe më rasti të ikja tutje. Në më se njëzet e pesë vite si punonjës social, me këtë kategori njerëzish jam marrë shpesh.

- Nuk më beson që nuk kam gjë në xhep? - e pyeta si një përpjekje e fundit për të shmangur çdo raport force me të.

- Jo! - tha menjëherë duke futur duart në xhepat e veta, - Të besoj, prandaj të ndoqa. Kam këtu një telefon të vjetër. Sa për të mbaruar punë. Po deshe ti, ta jap. 

Si rregull, këtyre njerëzve u duhet pranuar dhurata që bëjnë, ndihma që ofrojnë. Është mënyra më e mirë që të ndihen të dobishëm. Këtu fillon gjithçka.

E falënderova dhe ika tutje. Tashmë duke biseduar me njerëz që i shihja vetëm unë...

©Dashnor Kokonozi