Andej-Këtej

Lufta, Ukraina, Rusia dhe Klauzeviçi - Nga Dritan Goxhaj

Ndërkohë që Ukraina po hedh në front të gjithë ushtrinë e saj që ka arritur të mobilizojë dhe stërvisë gjatë verës, Rusia nga ana e saj duket se është e zhytur në letra dhe proçedura.

Ndërkohë që forcat ukrainase po përparojnë në disa drejtime në frontin e luftës, tashmë gjithë ata që janë pro Ukrainës po festojnë dhe gëzojnë për kolapsin e ushtrisë ruse në këto vija fronti, ndërsa ata që i përkasin kampit rus, po ankohen se lidershipi i tyre politik dhe ushtarak është totalisht kriminalisht i paaftë.

Me gjithë çka po ndodh në teatrin ushtarak, Rusia e ka marrë më shumë qetësi proçesin e aneksimit të territoreve të reja përmes makanizmave të saj ligjorë.

E gjithë kjo duket si një spektatël i çuditshëm.

Qetësia që shfaqet, të paktën publikisht nga Kremlini, duket totalisht në kahje të kundërt me ngjarjet në frontin e luftës.

Po, çfarë po ndodh në të vërtetë?

A është vërtet Kremlini kaq i shkëputur nga ngjarjet në terrenin e luftimeve, saqë nuk është në dijeni se ushtria ruse po mposhtet?

Apo kjo mund të jetë ajo që Klauzeviçi e konsideron, vazhdim i politikës me mjete të tjera?

Gjenerali Prusian Karl Filip Gotfrid von Klauzeviç, një pjesëmarrës në luftërat Napoleonike, në librin e tij të famshëm të titulluar “Vom Kriege” - Mbi Luftën, i cili është një meditim mbi strategjinë ushtarake dhe fenomenin socio-politik të luftës, ka një thënie shumë të famshme: “Lufta është thjesht një vazhdim i politikës me mjete të tjera”.

Në këtë libër, në kapitullin e parë të vëllimit të pare, në seksion 24 ai shkruan: “Lufta nuk është thjesht një akt politik, por edhe një instrument i vërtetë politik, një vazhdimësi e tregëtisë politike, një realizim i saj me mjete të tjera. Gjithçka përtej kësaj që është rreptësisht e veçantë për luftën lidhet thjesht me natyrën e veçantë të mjeteve që ajo përdor. Por sado fuqimisht që këto mjete të reagojnë ndaj pikëpamjeve politike në raste të veçanta, prapëseprapë duhet të konsiderohet gjithmonë si vetëm një modifikim i tyre; sepse pikëpamja politike është objekti, lufta është mjeti dhe mjeti duhet të përfshijë gjithmonë objektin në konceptin tonë”.

Pretendimi këtu duket relativisht i thjeshtë.

Dmth lufta ekziston gjithmonë në lidhje me një qëllim më të madh politik.

Kjo do të thotë që lufta fillon gjithmonë si një përgjigje e një nevoje politike, ajo mbahet dhe vazhdohet si një akt i vullnetit politik me shpresën që në fund të arrijë qëllimin politik fillestar.

Si e tillë lufta nuk mund të ndahet nga politika - në të vërtetë, është aspekti politik që e konsideron dhe e bën atë luftë.

Dhe në të vërtetë, lufta në mungesë të spektrit dhe strukturës politike nuk është më luftë, por thjesht një dhunë e papërpunuar.

Është dimensioni politik ai i cili e bën luftën të dallueshme nga kjo formë e dhunës.

Ta shohim pak luftën në Ukrainë me këtë sy politiko-ushtarak.

Ofensiva e fundit e forcave ukrainase arriti më në fund që të paktën të rrëzojë atë pretendimin fantazmagorik se Rusia pretendonte të pushtonte Ukrainën me vetëm 200,000 forca.

Në letër vërtet Rusia i ka angazhuar rreth 200 mijë forca në këtë luftë, por ama vetëm një pjesë e saj ka qënë në front, kjo pasi pjesa tjetër ka shërbyer si forcë logjistike.

Nga pikëpamja gjeografike Rusia është një vend tepër i madh dhe me angazhime potencialisht kolosale, një vend i cili trashëgoi nga regjimi sovjetik idenë sovjetike të masës.

Asnjë vend tjetër nuk ka mundur të demonstrojë deri më sot ndonjëherë, një kapacitet për mobilizim në kohë lufte, në një shkallë që të përputhet me mobilizimin luftarak të kohës së Bashkimit Sovjetik.

Sovjetikët ishin në gjendje të mobilizonin dhjetra milionë të rinj dhe t’i hidhnin ata në sulm për të asgjësuar përfundimisht forcat tokësore gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e arritur këtë nëpërmjet përdorimit të dy instrumenteve të tyre të fuqishëm politikë.

Rusisë së sotme i mungojnë të dy këta instrumente politikë. Ajo sot nuk ka as organin politik me një shtrirje të fuqishme dhe të gjithanëshme, siç ishte atëhere Partia Komuniste, e cila kishte një fuqi materiale të mahnitshme, por njëkohësisht Kremlinit sot i mungon edhe instrumenti i dytë,  ideologjia bindëse.

Realisht sot, po ta shohësh, asnjë vend në botë, me përjashtim të Kinës dhe Koresë së Veriut, nuk posedon më një aparat politik të tillë të shtrirë në çdo qelizë të shoqërisë.

Si rezultat i mungesës së drejtpërdrejtë të një leve për të krijuar një mobilizim politik dhe ushtarak, të tillë si sovjetikët, Rusisë së sotme i duhej dhe duhet të gjejë një rrugë alternative për të krijuar një konsensus politik për të zhvilluar, ose çuar luftën e shpallur në një nivel tjetër më të lartë. Dhe kjo alternativë për Rusinë ishte dhe është shkalla e madhe dhe e paprecedent e rusofobisë që po tregon gjithë Perëndimi dhe Ukraina si udhëheqëse e kësaj rusofobie.

Kremlini u mundua që prej fillimit ta paraqiste luftën në Ukrainë si një çështje ekzistenciale për Rusinë. Por shumica e rusëve nuk e kuptuan këtë atëherë, kjo bazuar edhe mbi sondazhet në fillim të luftës, kur vetëm 45% e rusëve e mbështesnin operacionin ushtarak rus në Ukrainë.

Ndërsa pjesa tjetër e tyre e shikonin këtë luftë në të njëjtën mënyrë që amerikanët shikonin luftën në Irak dhe Afganistan - thjesht si një sipërmarrje ushtarake e justifikuar deri diku, por që ishte thjesht një detyrë teknokratike për ushtrinë profesioniste dhe aspak si një çështje jete ose vdekjeje për kombin.

Por sanksionet e njëpasnjëshme dhe demonizimi i Rusisë, si dhe lënia hapësirë në të gjitha parlamentet e botës perendimore e Presidentit Ukrainas, i cili bënte thirrje histerike për ndalimin e të gjithë rusëve, duke konsideruar dhe demonizuar  të gjithë popullatën ruse, arriti të kthejë edhe ata rusë skeptikë në favor të luftës.

Pas aneksimit të territoreve rusofolëse të Ukrainës si dhe përparimit të forcave ukrainase në frontin e luftës në Lindje dhe në Jug, tashmë sondazhet tregojnë se ka ndryshuar totalisht kërkesa politike brënda Rusisë.

Para këtyre referendumeve dhe ofensivës ukrainase, në të gjitha mediat ruse debati ishte se sa do zgjasë ky operacion ushtarak dhe cili është plani i Kremlinit. Ndërsa tashti, pas gjithë propagandës anti-ruse të Perëndimit, sanksioneve, referendumeve dhe veçanërisht ofensivës ukrainase, debati tashmë ka ndërruar për 180 gradë.

Tashmë e vetmja kritikë e zëshme ndaj Putinit dhe Kremlinit brenda Rusisë është në anën e përshkallëzimit të mëtejshëm.

Tashmë opinioni rus, nga ana e perspektivës ruse e sheh se Kremlini dhe vetë Putini nuk kanë shkuar aq larg sa duhej. 

Opinioni dhe politika e masave duket se ka ecur përpara qeverisë duke e bërë mobilizimin dhe përshkallëzimin e luftës të rëndësishëm dhe ekzistencial.

Kjo tregon se opinion publik në Rusi tashmë është në dakordësi të plotë me këtë luftë dhe qëllimet e saj politike.

Sondazhet e fundit të bëra në Rusi tregojnë se opinion publik atje në masën 76% mendon se lufta që Rusia po zhvillon në Ukrainë është ekzistenciale për kombin rus, ndërsa 11% janë kundra kësa lufte dhe 13% janë të pavendosur.

Loja e Kremlinit duke kryer një tërheqje taktike ushtarake në disa fronte të luftës në Ukrainë, duke kopjuar kështu pak a shumë të njëjtën strategji që ndoqi Stalini në Luftën e Dytë, kur në 1941, pjesa më e madhe e rusëve ishin kundër një lufte me Gjermaninë, por kur forcat gjermane filluan të merrnin territore të mëdha dhe forcat ruse tërhiqeshin, kjo rriti në masë përkrahjen e masave ndaj luftës dhe ndaj politikës. 

Duket qartësisht që tashmë në Rusi është arritur një konsenus politik për mobilizimin dhe intensifikimin e luftës. Tani mbetet vetëm zbatimi i këtij konsensusi në terren në formën e çizmes, predhës, plumbit dhe gjakut.

Mbi të gjitha, maksima e Klauzeviçit tregon që vazhdon të jetë e vërtetë. Situata ushtarake është thjesht një nënprodukt i situatës politike dhe mobilizimi ushtarak është edhe mobilizim politik, që do të thotë një pjesëmarrje e gjerë e shoqërisë në politikën shtetërore.

Tashti le ta shohim pak vetëm nga pikëpamja ushtarake.

Sulmi ukrainas po vazhdon në disa drejtime në front. Forcat ukrainase po shtyjnë në veri të Luhanskut në pjesën Lindore të frontit dhe pas disa javësh përplasje me forcat ruse në Jug në rrethinat e Khersonit, duket se kanë arritur të marrin disa territore edhe aty.

Nga e gjitha kjo duket se ka vetëm dy mënyra për të interpretuar këtë që po ndodh.

Njëra është interpretimi perëndimor: Ushtria ruse është e mundur dhe po dobësohet nga fushata e gjatë ushtarake dhe komandantët e sajë janë të paaftë.

Mënyra e dytë është interpretimi rus: Forcat ruse po grumbullohen për një përshkallëzim dhe ofensivë dimërore dhe po bëjnë një tërheqje të llogaritur ku po këmbëjnë hapësirën me kohën duke shtuar humbjet në radhët e Ukrainës edhe gjatë kësaj tërheqje. Rusët po tërhiqen aty ku pozicionet e tyre ose janë të kompromentuara operacionalisht, ose janë në numër shumë herë më të vogël numerikisht se forcat Ukrainase.

Realisht nga ajo çfarë vërehet nga terreni duket se rusët do vazhdojnë edhe për disa javë të tërhiqen, duke tërhequr nga fronti ato njësi të tyre që janë të paprekura nga luftimi, nën ombrellën e artilerisë dhe aviacionit, si dhe njëkohësisht duke shkatërruar përqëndrimet e mëdha të forcave ukrainase, duke goditur stoqet e pajisjeve të rënda ushtarake që perëndimi e NATO po i japin Ukrainës, duke e dëmtuar maksimalisht kështu fuqinë ushtarake ukrainase.

Kjo tërheqje duket se do vazhdojë deri në fund të tetorit, ku mendohet se do të ketë një stabilizim të frontit në atë që mund të konsiderohet si një pushim operacional, derisa të fillojë i ftohti në Ukrainë. Pikë kjo ku Rusët do të kenë arritur të pozicionojnë trupat e mobilizuar dhe pastaj të hidhen në një ofensivë dimërore.

Ashtu siç edhe duket tashmë nga filmimet e ndryshme si nga ana e rusëve edhe e ukrainasve, konstatohet se ukrainasit po lëvizin nëpër fusha të hapura dhe ky territor nuk të jep asnjë lloj mundësie për t’u mbrojtur as tashti, as kur forcat ruse vendosin të sulmojnë me artileri dhe aviacion, por as nesër nëse rusët do të vendosin të ndërrmarrin një kundërofensivë. Kjo për shkak se Ukraina nuk e ka as fuqinë ajrore dhe as atë të artilerisë tokësore për të përballuar një sulm të përqëndruar të ushtrisë ruse.

Duket sikur Rusia është duke e tërhequr Ukrainën dhe gjeneralët amerikanë që qëndrojnë pas kësaj ofensive ukrainase, që të marrin territorin dhe më pas të përballen me përpjekjen për të marrë një qytet të madh që është nën kontrollin e rusëve, siç është Khersoni  dhe aty Ukraina do të jetë e detyruar të luftojë lagje për lagje, rrugicë për rrugicë, e shtëpi për shtëpi,  ashtu si rusët luftuan për të marrë Mariupolin.

Kjo do ti detyronte forcat ukrainase të bënin grumbullim dhe përqëndrim të madh të forcave të tyre, por duke qënë se këto forca do jenë pa mundësinë e mbulimit me aviacion dhe artileri, atëherë do të gjendeshin totalisht nën mëshirën e artilerisë dhe aviacionit rus.

Rusia aktualisht nga ana e saj tashmë ka filluar proçesin e inkorporimit të forcave ushtarake të Doneskut dhe Luhanskut dhe milicisë së tyre nën strukturën komanduese ruse. Kjo gjë do t’ju japë mundësi forcave ruse për të kryer manovra të koordinuara në gjithë gjërësinë e frontit.

Bazuar mbi sa më lart, duket se qëllimi është të dobësohet rezistenca ushtarake dhe kapaciteti ushtarak ukrainas, përpara përpjekjes për ta mposhtur totalisht atë dhe efekti është gjithnjë më i mirë kur e tërheq atë nga pozicionet e tij të mbrojtjes.

Ofensiva e tanishme ukrainase i përngjet ofensivës së forcave gjermane nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në disa drejtime. Ofensivë që arriti të shkaktonte edhe humbje në disa forca të aleatëve, por që i detyroi gjermanët të abandononin pozicionet e tyre mbrojtëse të fortifikuara dhe iu dha më pas mundësinë forcave aleate në një kundërofensivë të shkatërronin këto forca gjermane të cilat nuk kishin më as kapacitetin e mjaftueshëm njërëzor dhe as atë material për të realizuar një linjë mbrojtëse në pozicionet e reja të pafortifikuara dhe në terren të hapur.

Dhe kështu vimë sërish të Klauzeviçi dhe aforizma e tij e famshme: “Ҫdo gjë është e thjeshtë në luftë, por gjëja e thjeshtë është e vështirë”.

©Dritan Goxhaj