Edona, një histori që e zbulova pas 46 vjetësh - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej

Para disa ditësh, duke udhëtuar nëpër internet, dëgjoj një klik, një klik pak si të mbytur. Ishte reagim për një shkrim të vjetër timin. Një emër shoqëronte klikimin. Edona H.
Kurioziteti më çoi tek faqja e saj. Pashë foton e profilit. Nuk më rezultonte e njohur. Faqja nuk kishte ndonjë informacion. Në fillim mendova se mund të ishte ndonjë profil i rremë, të cilët janë shtuar shumë kohët e fundit, por jo, ishte profil i vërtetë, pasi në dy tri foto që kishte nxjerrë, kishte disa komente, nga njerëz të vërtetë. Midis njerëzve që kishin komentuar njoha edhe njërën. E kam njohur dikur e u përpoqa të bëja lidhjen midis të dyjave. Duke e parë me kujdes foton, nga pak u kujtova. Personin më duket se e njoha, por si? Nuk është e lehtë për të gjetur ngjashmëri me dikë që ke mbi 40 vjet pa e parë… Po e njoha nga mollëzat e faqeve pak të kërcyera e flokët e drejtë, të ndarë në mes e të derdhur mbi supe. Një veçori më mjegullonte pak kujtesën… buzëqeshja. Gruaja kishte një buzëqeshje të bukur, gjë të cilën nuk e kisha të fiksuar.
***
Në vitin e largët 1976 fillova gjimnazin. Shkolla ishte pak larg nga shtëpia ime e më duhej të ecja të paktën 25 minuta. Isha mësuar të shkoja në shkollën tetëvjecare, që ishte pranë shtëpisë, por për në gjimnaz ehe, ishte goxha rrugë. Më ishte bërë si zakon që të ndiqja të njëjtin itenerar çdo ditë. Arësyeja? Isha supersticioz. Çdo devijim nga e përditshmja nuk do të më sillte fat në shkollë. Katër vjet gjimnaz, katër vjet të njejtën rrugë, të cilën e mësova përmendësh dhe dija çdo gropë, asfalt të prishur, apo pllakë të thyer. Njihja çdo shtëpi e ndërtesë. Edhe sikur me sytë e mbyllur të ecja, këmbët do të më çonin në gjimnaz.
Në ecjen time të përditshme ndeshesha me shumë njerëz, me shumë nxënës, kryesisht me ata që shkonin në një shkollë tetëvjëçare jo larg prej shtëpisë sime e aty midis të shumtëve, qysh në vit të parë filloi të më bënte përshtypjë një vajzë. Ndesheshim pothuaj në të njëjtën rrugicë çdo ditë. Ishte një vajzë e brishtë, ndoshta 10, 11 vjeçe në atë kohë. Mbante të veshur në vjeshtë e pranverë, një përparëse atllazi të hekurosur bukur e një jakë e bardhë e ngrirë, ndriçonte e nën të ishte lidhur bukur shalli i kuq i pionierit, edhe ky prej atllazi. Vajza ecte gjithmonë me nxitim e në dimër, për shak të të ftohtit të mëngjesit faqet me mollëza të kërcyera, ngjyroseshin në një ngjyrë rozë të lehtë. Fytyra e bardhë dhe e pastër, ngjyrosur në rozë shndërrohej krejt si fytyrat e disa vajzave në pikturat e Rilindjes europiane. Isha vetëm 14 vjeç e në atë moshë, diçka e vrullshme të përshkon trupin e nuk e kupton, nga se.
Sa herë ndeshesha më të, më hipte një nxehtësi e ndoshta nxehtësia ime, emetohej e skuqte nga pak edhe faqet e asaj vajzë të brishtë. Aq shumë u mësova me të, saqë ato pak ditë që nuk më dilte para sysh, dita më dukej krejt e zbrazët,
Vitet kaluan e unë rritesha e vajza rritej e ne ndesheshim në të njëtën rrugice pothuaj çdo ditë. Kur fillova maturën u ndesha ditën e parë përsëri me të, por kësaj rradhe në shkallët e shkollës. Kishte filluar vitin e parë. Po e njëjta fytyrë, po e njëjta bardhësi. Ishte rritur, por bashkë me rritjen, vura re diçka, vura re ftohtësinë. Në gjimnaz u përpoqa ta studioja më mire e më me hollësi dhe nuk kuptoja, se përse fytyra e saj ishte më së shumti e vrenjtur.
Në klasë ishim një grup djemsh e disa ishin shumë çapkënë. E kishim bërë si ritual që çdo vit, organizonim një si konkurs bukurie, se kush ishin vajzat më të bukura të viteve të para.
Ne bregdetarët kemi patur fatin t’i njohim mirë vajzat, pasi plazhin e kishim aty e të gjithë në plazh përfundonim, kështu që nuk kishte nevojë për skena ku të zgjidhej mis bukuria. Plazhi nuk të linte shteg për gabim.
Një ditë po bënim klasifikimin e vajzave të vitit të parë, por vura re, se vajza e cila më pëlqente mua, nuk përmendej nga asnjeri nga djemtë.
Çudi! Si kishte mundësi? A mos qeshë vallë i paaftë në përzgjedhje, apo vajza më tërhiqte vëtëm mua e askënd tjetër?
Më vinte zor ta vija në diskutim se me siguri ndonjëri do të më thoshte: “Ama edhe ti çfarë pëlqen!”
Anglezet kanë një shprehje: “Nuk është e bukur ajo që është e bukur, është e bukur ajo që më pëlqen mua!”. Ndoshta vajzën, e pëlqeja vetëm unë.
Kishte edhe një arsye që vajza ndoshta nuk binte në sy, pasi ajo nuk merrte pjesë në asnjë nga mbrëmjet e vallëzimit që organizoheshin në shkollë, nuk e kishim parë kurrë në plazh e për më shumë, vajza nuk buzëqeshte kurrë.
Një ditë, me shumë zor i them një shoqes sime të bangës, nëse më gjente dot ndonjë informacion për vajzën.
Kujtoj që ajo më dha një vështrim jo shumë miqësor sikur donte të më thoshte: “E ç’kërkon prej meje të interesohem për një tjetër vajzë, kur ne jemi shokë bange prej kaq vitesh!”
Megjithatë ajo u interesua e vjen e më thotë: “Vajzën e quajne Edona dhe vjen diku nga një qytet, nga Gramshi, apo Librazhdi e jeton tek një tezja e vet. Nuk dinte njeri, më shumë për të.”
Kaq mësova e nga pak interesi për vajzen më bie. E shikoja nëpër shkollë, ajo po e njëjta. E njëjta vajzë hermetike, me fytyrë të bardhë, por e rozta e faqeve nga pak filloi të venitej. Mosinteresimi im, kishte marrë edhe përgjigjen.
Kujtoj në ditën e fundit të shkollës, u organizua një ceremoni e vogël për ne maturantët, që do ndaheshim me shkollën e një grup vajzash nga viti i parë, po mbanin në dorë lule që do na i dhuronin si shenjë mirënjohjeje e shoqërie. Edonën ma zuri syri pak të shkëputur nga grupi. Ajo në dorë nuk mbante gjë e në fytyrë, e bardha si mermer, rezatonte vetëm ftohtësirë. Nga ajo ditë nuk e pashë më vajzën për disa vite. Ajo i përkiste vetëm arkivës sime të kujtimeve.
***
Ishte një ditë vjeshte, studioja në vitin e tretë në universitet. Duke kaluar tek ura e rrugës së Elbasanit, krejt papritur ndeshem me një fytyrë të njohur. Prit pak! Ishte ajo. Ishte Edona. Ishte veshur me përparëse të zezë e po vinte nga gjimnazi që gjendej jo larg nga ura.
Edona me përparëse te zezë shkolle!? Shoqet e saja ishin në universitet, po ajo? Çfarë kishte ndodhur me jetën e saj? Mos kishte qenë sëmurë e kishte humbur një vit shkollë? A mos kishte mbetur në klasë? Nuk kisha nga të merrja përgjigje. E kuptova që më njohu, se menjëhërë fytyra i mori atë ngjyrën rozë, që isha mësuar të shikoja tek ajo shumë vite më parë…
***
Eh ku më çoi një klikim, por historia nuk përfundon këtu. Duke naviguar nëpër internet mësova diçka që më rrënqethi me të vërtetë. U habita kur mësova se kush ishte i jati i saj. E kisha parë e dëgjuar disa herë në TV pas viteve ‘90. Nga sa e kujtoj, ishte një burrë shumë i pashëm, një zotëri i vërtetë, i kulturuar dhe më bënte përshtypje sa bukur e qetësisht fliste. Ai kishte përfunduar studimet në Itali për letërsi e filozofi, dhe ndër vite kishte shkruar shumë. Gjenden disa libra botuar me emrin e tij. Duke kërkuar në internet, lexova një përmbledhje të njerit prej tyre. Aty mesova diçka të re.
Diku lexova:
“Ia dedikoj këtë libër, vajzës sonë të vetme, Edonës, pasi i kemi shumë borxh si prindër. Nuk qemë në gjendje që ta rrisnim e ta edukonim vetë, rrjedhojë e kushteve ku na flaku jeta. U detyruam që ta falnim, shumë e rëndë për ne si prindër, por nuk kishim rrugë tjetër. Ajo duhej t’i shpëtonte kalvarit të vuajtjeve tona, por... por ajo u rrit e dyzuar, e frikësuar, gjithnjë me identitet të fshehur. U ruajt shumë, por në fund... qe pa fat. Në gjimnaz, në maturë, një shoqja e vet e ngushtë e theu në besë. Në një mbledhje rinie ajo u çua dhe tregoi se Edona nuk ishte ajo që të gjithë njihnin. Ajo kishte prindër të tjerë e akoma nuk e kuptoj, se përse shoqja e ngushtë duhej t’ia shtonte më shumë vuajtjet Edonës sonë. Vajza u detyrua të ndërpresë shkollën në mes. Ndryshoi disa shkolla, humbi edhe një vit shkollor e në fund përfundoi në një gjimnaz të Tiranës, por sot mund të vdesim të lumtur, se Edona ka realizuar te gjitha ëndrrat e saj te vegjëlisë e rinisë, ndonëse me shumë vështirësi. Edona! Mami dhe babi të duan shumë!”
Uau! Edona… e nga ta dinim ne, se çfare mendoje ti në ato vite? Nga ta dinim ne, se nga vije e si jetoje Nga t'i dinim ne, vuajtjet e tua?
Edona sot ka kohë që i kaluar të pesëdhjetat, por në fytyrë akoma mbizotërojnë tiparet rinore. Ajo është e martuar e ka fëmijët, të cilët kanë përfunduar universitetin. Vetë ka përfunduar studimet universitare e disa kurse në shtete të ndryshme të Europës e në SHBA, e ka bërë goxha karrierë.
***
Kjo është historia e dhimbshme e fëmijërisë dhe rinisë së Edonës, qe m’u deshën 46 vjet që ta zbuloja. Edona nuk ishte tërheqëse për djemtë në atë kohë, por edhe sot nuk e kuptoj arësyen se përse më tërhiqte mua ajo vajzë? A mos ishte sfida që i bënte sistemit qysh në moshë të re? A mos ishte pastërtia, eleganca prej aristokrateje e saj, si kur ecte, e si kur qëndronte? A mos ishte mënyra e bukur e plot shije, se si vishej, ndonëse e rritur me shumë mund e vështirësi?
©Bamir Bebeziqi