Lufta në Ukrainë, histeria e luftës bërthamore dhe filmat e Hollivudit - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Tashmë që lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të tetë, është ringjallur sërish debati për një luftë atomike, për përdorimin apo jo të armëve bërthamore. Nuk është hera e parë që kjo temë diskutohet nga të gjitha anët. Kjo çështje u ngrit edhe në fillim të luftës në Ukrainë dhe për herë të parë rreth kësaj teme foli presidenti i Bjellorusisë, i cili me datë 27 Shkurt, vetëm 3 ditë pasi Rusia kishte filluar sulmin e saj të armatosur ndaj Ukrainës, ai deklaronte: “Sanksionet do ta shtyjnë Rusinë drejt Luftës së Tretë Botërore. Ndaj duhet të tregohemi të përmbajtur për mos të hyrë në telashe. Sepse një luftë bërthamore do të ishte një fatkeqësi”.
Dhe vetëm disa orë pas kësaj deklarate agjencitë shtetërore mediatike Ruse deklarojnë se “Putini ka urdhëruar forcat e mbrojtjes bërthamore të kalojnë në një regjim shërbimi gadishmërie luftarake”. Ky ishte një vendim i marrë gjatë një takimi midis Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Ruse.
Tani sërish ky debat u nxit nga fjalimi i Putinit mbi aneksimin e rajoneve rusofolëse në Ukrainë dhe sërish gjithë vëmendja është përqëndruar te mundësia e përdorimit të këtyre armëve, edhe pse i referohet tashmë armëve bëthamore taktike me potencial të ulët.
Por çfarë janë armët bërthamore taktike?
Armët bërthamore taktike janë armë me mbushje të vogël bërthamore që përdoren në fushën e betejës për të goditur përqëndrimin e madh të trupave armike, kryesisht në nivel operacional - nivel divizioni dhe në nivel taktitk - nivel brigade dhe batalioni.
Këto armë nuk janë dhe nuk hyjnë tek armët bërthamore strategjike. Armët bërthamore taktike mund të lëshohen edhe nga ana e artilerisë tokësore duke filluar që nga kalibri 120mm e lart, përfshi këtu të gjitha llojet e raketave tokësore, ajrore e detare. Këto lloj armësh dallojnë për nga sasia e mbushjes bërthamore që mbajnë në krahasim me armët bërthamore strategjike, të cilat përdoren vetëm nga raketat balistike ndërkontinentale.
Kapaciteti i mbushjes së armëve bërthamore taktike varion nga disa fraksione të kilotonit deri në maksimumi 50 kiloton. Armët bërthamore strategjike fillojnë nga 100 kiloton. Gjithashtu këto armë dallojnë edhe nga rrezja e përdorimit të tyre, e cila nuk e kalon distancën e 500km. Për të pasur një ide të vogel, arma bërthamore që u përdor në Hiroshimë, kishte një mbushje prej 15 kiloton.
Ajo çfarë vërtet e bënë shqetësues këtë debat është edhe fakti se armët bërthamore taktike nuk hyjnë nën Traktatin e nëshkruar për Kontrollin e Armëve Bërthamore. Dhe nga të 9 vendet e botës që posedojnë armë bërthamore, vetëm Franca dhe Anglia i kanë shkatërruar armët taktike bërthamore, të tjerët jo.
Por pyetja që shtrohet është: A do i përdorë Rusia këto armë?
Për këtë duhen analizuar dy komponentë kryesore në përdorimin e tyre, ai politik dhe ai taktik.
Nga ana politike përdorimin e këtyre armëve rusët e kanë sanksionuar në doktrinën e tyre ushtarake që kanë hartuar në vitin 2014, por një element më i rëndësishëm për përdorimin e tyre përfaqësohet nga një dekret presidencial i datës 2 Qershor 2021, i cili titullohet “Parimet themelore të politikës shtetërore të Federatës Ruse për parandalimin bërthamor”.
Një dokument që përmban 25 pika të cilat shpjegojnë pozicionin e Federatës Ruse mbi përdorimin e armëve bërthamore të të gjitha niveleve.
Pika kryesore e tij thekson mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në rast të një sulmi konvencional që do të rrezikonte “Vetë ekzistencën e shtetit”.
Në pikën katër të këtij dokumenti sqarohet se politika bërthamore Ruse është konfiguruar si politikë mbrojtëse duke ruajtur potencialin e saj në një nivel të mjaftueshëm për të ushtruar parandalim, duke shmangur një sulm të mundshëm armik kundër Federatës dhe aleatëve të saj, për të garantuar njëkohësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit.
Ajo çfarë e bën këtë dokument më të avancuar se doktrina e vitit 2014 është futja në të edhe e vendeve aleate të Rusisë, që në këtë rast i referohet Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), në të cilën bëjnë pjesë Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazkistani, Taxhikistani si dhe Serbia, por vetëm me statusin e vëzhguesit.
Por pavarësisht zhvillimeve të fundit në fushën e betejës, edhe pse përdorimi i armëve bërthamore taktike është parashikur në formën e një sulmi të papritur në formë doktrinale, për arsyen se fuqia e tij shkatërruese kundër objektivave operacionalë dhe taktikë (në nivel operacional është divizioni, në nivel taktik është brigada dhe batalioni), ofron zvogëlimin e fuqisë luftarake të armikut në një terren luftimi, duke përcaktuar ballancën e forcave në këtë terren, sërish politikisht duket se Rusia e ka përjashtuar këtë opsion.
Dy janë faktet që deri tani tregojnë se politikisht kjo nuk do të ndodhë.
I pari, është deklarata e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë më datë 29 dhe 30 shtator se “Rusia po shqyrton rifillimin e inspektimeve reciproke në kuadër të traktatit Strategjik të ri START” dhe se “po studiohet mundësia e takimeve në prani të komisioneve dy palëshe”.
Dhe në këtë kohë ky është vërtet një hap tepër i rëndësishëm politik për të rigjallëruar marëveshjen që kufizon arsenalet strategjike bërthamore të Amerikës dhe Rusisë, në fuqi që nga viti 2011, e rinovuar në 2021 dhe që përfundon në 2026.
Zbatimi i këtij traktati parashikon inspektime reciproke të delegacioneve ruse dhe amerikane në bazat raketore strategjike bërthamore, inspektime që u ndalën në 2020 për shkak të emergjencës së COVID-19.
Po ajo që e përforcon edhe më shumë nga ana politike mospërdorimin e këtyre armëve është edhe deklarata e zëdhënësit të Kremlinit para disa ditësh se “Forcat ruse e përjashtojnë kategorikisht përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë”.
Tani le ta shohim pak nga ana taktike.
Për këtë sërish duhet të rikthehemi te fuqia dhe mbushja e këtyre bombave taktike. Sipas Departamentit të Shëndetit të SHBA një bombe atomike me një mbushje prej vetëm 1 kiloton e ka rrezen e shpërthimit 300 m, ndërsa vala e parë radioaktive e saj e ka rrezen 6km, ndërsa vala e dytë e saj e ka rrezen 10km, ndërsa reja e saj mund të shpërndahet në një rreze prej 30 e më shumë km, në varësi të erës.
Duke parë se vendosja e forcave ruse dhe atyre ukrainase në vijën e frontit është jo më pak se 500m, përdorimi i kësaj bombe taktike do të ishtë vdekjeprurës edhe për vetë forcat Ruse.
Duke llogaritur që tashmë pas deklarimit të aneksimit, i bie që forcat ruse po luftojnë për një territor rus në brendësi të Ukrainës, teorikisht bazuar mbi dekretin e vitit 2021 egziston mundësia e përdorimit të këtyre armëve taktike bërthamore.
Por ama logjikisht dhe taktikisht kjo mundësi është jashtë çdo opsioni, jo vetëm për afërsinë e forcave në front, por edhe për vetë qëllimin e kësaj lufte. Rusia po mundohet të aneksojë këto territore të banuara me rusë, por në rast të përdorimit të një bombe të tillë, atëherë i gjithë ky territor do të ndotej nga rrezatimi radioaktiv nuklear dhe do të kthehej i pabanueshëm për këtë popullatë. Pa llogaritur që Ukraina duke qënë një vend pa male dhe pothuajse me fusha të pafund, era aty është gjithnjë e paparashikuar se nga cili drejtim do të lëvizë. Dhe duke qënë se bëhet fjalë për një territor vetëm disa dhjetra kilometra larg kufirit të sotëm rus, do të rrezikonte edhe popullatën përtej këtij kufiri.
Ndërsa nga ana ushtrake mjafton të shohim se gjatë kohës që ukrainasit vazhdonin ofensivën e tyre në drejtim të qyteteve të Donbasit në Krasni Liman, Rusët vetëm 30 km më tutje, paralel me Limanin, ishin dhe janë duke vazhduar një ofensivë kundrejt qytetit të Bakhmutit dhe përdorimi i kësaj arme do cënonte edhe ofensivën dhe trupat e saj. Po e njëjta gjëndje pozicionimi ushtarak me distanca të shkurtra edhe në jug, e bën të pamundur përdorimin e këtyre armëve edhe aty.
Gjithashtu nga pikpamja doktrinale, sot Ukraina nuk po mundet të grumbullojë forca në nivel divizioni, por vetëm në nivel brigade dhe batalioni. Dhe përdorimi i kësaj arme ndaj kësaj force taktike, nuk do të ndryshonte asnjë lloj balance të forcave në mbarëvajtjen e përgjithshme të luftës, por vetëm në rajonin në të cilin do të përdorej.
Pra duke parë se dëmet e saj janë më të mëdha sesa përfitimi taktik që kjo armë mund të sjellë, ky fakt e bën përdorimin e saj jashtë çdo opsioni.
Bazuar mbi sa më lart mendoj se duket qartësisht që përdorimi i këtyre armëve në Ukrainë është i pamundshëm edhe politikisht edhe taktikisht.
Tani le të saqrojmë pak artin e luftës për ata që e kanë mësuar këtë art nga filmat e Hollivudit.
Në një shkrim timin të mëparshëm, e pata specifikuar se kjo që po ndodh në terren, pra përparimi i trupave ukrainase dhe kapja nga ana e tyre e disa territoreve është thjesht një tërheqje e forcave ruse, një taktikë e tyre.
Edhe pse një pjesë e shohin si propagandë proruse, kjo më shtyu që t’ju shpjegoj sadopak artin e luftës në këtë pikë të këtij operacioni i cili tashmë ka ndalur.
Mund t’i japim shpjegim gjithë kësaj vetëm duke u bazuar mbi artin e vërtetë ushtarak, pasi realisht askush nga ne nuk ka njohuri mbi planin ushtarak të Shtabit të Përgjithëshëm as të ushtrisë ruse dhe as të ushtrisë ukrainase.
Dhe e dyta, faktet në terren nuk është se janë të verifikueshëm, pasi secila palë bën deklaratën e vet.
Gjatë kësaj kohe mund t’i bëjmë pyetje vetes se a kishte shenja të një ofensive, a ishte kjo një mashtrim taktik rus apo një disfatë? Mundësitë janë të shumta, por ama le të shohim vetëm dy më kryesoret dhe më të thjeshtat:
1. A mundën rusët të zbulonin përqëndrimin e forcave ukrainase?
2. A organizuan rusët një tërheqje të rregullt sipas taktikës ushtarake, apo e gjitha ishte një veprim kaotik?
Le t’i përgjigjemi këtyre dy pyetjeve të thjeshta:
1. Kishte gati dy muaj e më shumë që jo vetëm internet, por edhe vetë presidenti ukrainas deklaronte gati përditë se së shpejti do nisim një ofensivë kundër forcave ruse. A thua që shërbimet sekrete dhe ato të zbulimit ushtarak rus ta kenë huqur këtë informacion dhe mundësi informimi?
2. Përsa i përket tërheqjes, këtë do e sqaroj pak më poshtë, por ama po të shohim humbjet e tyre janë shumë herë më të vogla se ato të ukrainasve, kjo e deklarauar nga këshilltari i presidentit ukrainas, i cili në javën e dytë të kësaj ofensive thoshte “Forcat Ukrainase po humbasin nga 150-200 ushtarë në ditë, por ofensivën do e vazhdojmë”.
https://www.youtube.com/watch?v=Q9-NER8aFJ4
Në narrativën e filmave të Hollivudit gjithnjë operacionet ushtarake dhe përqëndrimi i trupave në front bëhet në dy ose tre vija mbrojtjeje, ose si njihen në terminologjinë ushtarake, skalione.
Kjo lloj mbrojtje në artin ushtarak sipas Fjalorit Enciklopedik Ushtarak Shqiptar, botim i vitit 2020, quhet: Mbrojtje Pozicionale Aktive dhe do të thotë: “Lloj mbrojtjeje pozicionale e ndërtuar pa shkëputje, me shumë vija/skalione, rajone dhe breza, në varësi nga sasia e forcave dhe mjeteve që vendosen në to. Organizohet me qëllim që të mbrohet me këmbëngulje rajoni, brezi a zona e mbrojtjes”.
Kjo lloj mbrojtje është pikërisht ajo që po përdor Ukraina në gjithë territorin nga Lindja deri në Jug.
Ndërsa ashtu si edhe e kemi vënë re të gjithë, rusët nuk i kanë vendosur forcat e tyre në këtë lloj pozicionimi. Kjo për arsyen e thjeshtë se një vendosje e tillë kërkon një numër të madh forcash dhe rusët nuk e kanë këtë numër të madh forcash për një vendosje të tillë.
Në të kundërt ata gjatë ofensivës ukrainase, duke qënë se ju mungojnë pikërisht këto forca për të realizuar këtë lloj mbrojtjeje pozicionale aktive, janë detyruar që të përdorin një lloj mbrojtjeje tjetër, që arti ushtarak po sipas Fjalorit Enciklopedik Ushtarak Shqiptar e njeh si: Mbrojtje e Manovrueshme që do të thotë: “Lloj mbrojtjeje që përdoret në disa ushtri të huaja për të fituar kohë dhe për të ruajtur forcat dhe mjetet nëpëmjet dëmtimit të vijueshëm me zjarr e kundërsulme dhe asgjesimit pjesë-pjesë të armikut. Sipas konceptit të kësaj mbrojtjeje, pala mbrojtëse mund të lëshojë edhe pjesë të tërritorrit për të asgjësuar kundërshtarin në thellësi të vendit”.
Dhe pikërisht kjo është lloji i mbrojtjes që rusët po përdorin në Lindje dhe në Jug, duke dorëzuar territore aty ku e shohin që janë inferiorë në sasi trupash, ose e shohin se mund të bien në rrethim, duke i dhënë kohë njësive të tjera të tyre për tu pozicionuar dhe për të nxjerrë në terren të zbuluar forcat ukrainase, të cilat më pas i godasin me anë të artilerisë tokësore dhe ajrore.
Pra shumë thjesht, në mungesë të fuqisë numerike kryen një tërheqje që konsiderohet si mbrojtje e manovrueshme. Pasi një mbrojtje e tillë në këto kushte është jo vetëm logjike por edhe instiktive. (Të tillë mbrojtje përdori edhe UҪK-ja me fillimin e ofensivës serbe “Patkoi”. U urdhëruan Zonat Operative të Pashtrikut, Dukagjinit, Drenicës dhe Llapit që të kalonin në këtë lloj mbrojtje, për arsyen e thjeshtë se ajo me skalione ishte e pamundur jo vetëm për mungesë mjetesh dhe njerëzish, por edhe terreni).
Si duket lufta dhe sidomos arti i luftës nuk është ai që shihet nëpër filmat e Hollivudit dhe sidomos nëpër videot e propagandës në Internet.
Dhe sërish këtu vijmë te konsiderimi i Klauzeviçit, i cili mbetet gjithnjë aktual edhe në luftën e sotme, sipas të cilit “Midis teorisë dhe praktikës nuk dominon logjika, por mund të mbizotërojë instikti dhe intuita”.
©Dritan Goxhaj



